Rashel Solomon, poetja shqiptaro-izraelite merr çmimin “Ambasadore e Paqes”

Rashel Solomon, poetja shqiptaro-izraelite merr çmimin “Ambasadore e Paqes”

677
0

Rashel Solomon, një poete shqiptaro-izraelite, që merr çmimin “Ambasadore e Paqes”, një çmim ndërkombëtar, por që i jepet në qytetin e lindjes, në Vlorë. Një çmim i akorduar nga Federata e Paqes Universiale, “Një lëvizje botërore për promovimin e qeverisjes së mirë dhe edukimin e udhëheqësve të të gjitha niveleve”. Ceremonia u organizua në qytetin bregdetar, më 18 qershor 2021, ku të pranishëm ishin personalitete nga fusha të ndryshme të këtij qyteti, pjesë nga Federata e Paqes Universale. E vlerësuar mes disa personaliteteve që morën këtë çmim, poetja Rashel Solomon, e cila ka botuar dy libra me poezi, “Një puthje për ty nga Jeruzalemi”, dhe “Dy gurë, dy flamuj”, na rrëfen mes emocionesh lidhjen mes dy popujve tanë, shqiptarë dhe izraelitë.

Rashel, ju morët një çmim të rëndësishëm, siç është “Ambasadore e Paqes”. Si ndiheni?

 

Shumë e emocionuar, e lumtur, e vlerësuar nga kjo Federatë. Një vlerësim dhe mirënjohje është edhe për njerëzit të cilët kanë propozuar emrin tim për të marrë këtë çmim. Jam ndier e befasuar, por mendoj se kjo është një rezultat i punës sime ndër vite, i përpjekjeve të mia për lidhjen dhe avancimin e marëdhënieve të popujve tanë që janë të ngjashëm, të vuajtur ndër vite dhe të bukur.

 

Gjithmonë me energji të pashtershme për të forcuar më shumë lidhjet shqiptaro-izraelite. Ku e merrni gjithë këtë energji, ku e gjeni forcën?

 

Unë vërtet jam një vajzë hebre, por si e lindur në Vlorë kam trashëguar prej saj, dashurinë për njerëzit, kam njohur sakrificën që bëri populli shqiptar për ne hebrejtë, që nuk u dorëzoi tek gjermanët, por i strehoi në shtepitë e tyre, duke vënë në rrezik jetën e tyre dhe të familjes së tyre. Natyrisht ishte besa shqiptare ajo që na lidhi, që na ndihmuan në ditët e vështira, ndaj sot që Izraeli është një shtet i fuqishëm,  dëshiroj që kjo mbështetje të kthehet në kohë, në forcë dhe në rrritje të marrëdhënieve dhe zhvillimit të dy vendeve.

Sa ka ndyshuar Shqipëria sipas mendimit tuaj? Cila është arsyeja e vizitës tuaj?

 

Unë kam 30 vjet që jam larguar nga Shqipëria, dhe nuk kam familjarë këtu, por kur vij ndihem si vajza që martohet dhe gjithmonë ka mall për shtëpinë e babait dhe kthehet me kënaqësi. Vlora është qyteti që u linda, u rrita dhe u edukova dhe ndiej se çdo vlonjat është një vëlla apo motër i afërt për mua. Dashuria që më ofrojnë është një dashuri e sinqertë, e pastër ndaj them që ndihem si në shtëpinë time, sepse në të vërtetë jam në shtëpinë time. Kjo është edhe motoja e dy librave të mi, por kryesisht e librit të dytë me titull “Dy gurë, dy flamuj”, të cilët as gurët, as flamurët asnjëherë nuk i ndaj. Janë po njësoj të shtrenjtë për mua, në zemrën time, dhe në moment gëzimi apo vështirësie në jetë, tek ata e gjej forcën.

Kam vizituar disa qytete, ndonëse jam lindur në Shqipëri, nuk e kam njohur më parë dhe më ka bërë përshtypje që kudo në Shqipëri apo Kosovë, takova njerëz njësoj të ngrohtë, njësoj të dashur, mikëpritës, gjë që më bëri të përjetoja emocione që nuk i kisha provuar më parë. Gjithandej, në të gjitha trojet shqiptare gjeta një sofër të ngrohtë vëllazërore.

 

Shqipëria ka ndryshuar shumë, zbukuruar gjithandej, por megjithatë mendoj se ka shumë për të bërë. Dhe këtë avancim e presin me padurim të gjithë shqiptarët kudo janë.  Largohem me dashuri të shtuar, me mall, e përlotur që po largohem, dhe premtoj që do punoj më shumë për lidhjen tonë, për paqen në botë dhe këto emocione dhe mbresa do ti paraqes në librat e ardhshëm.