Raporti i KVV-së:Fushata u dominua nga liderët; Task Forca shmangu përdorimin e...

Raporti i KVV-së:Fushata u dominua nga liderët; Task Forca shmangu përdorimin e administratës

439
0

Një ditë para votimeve, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë(KVV) publikoi të shtunën raportin e ndërmjetëm të monitorimit të procesit zgjedhor për zgjedhjet e 25 Qershorit. Duke analizuar fushatën zgjedhore, raporti konstaton se ajo u dominua nga lidershipët partiakë, duke lënë mënjanë argumentet dhe platformat elektorale. Sa i takon roli të Task Forcës, kjo strukturë shmangu rastet flagrante të përdorimit të administratës publike. Megjithatë, baza ligjore e ndjekur dhe transparenca e punës së saj ishin problematike, thuhet ne raport. Sipas KVV-së, në fushatë nuk mungoi angazhimi i burimeve shtetërore dhe eksponentëve politikë, veçanërisht atyre drejtues apo zyrtarë të pushtetit vendor. Veprimtaria financiare e subjekteve zgjedhore për këtë fushatë zgjedhore dyshohet të jetë e lartë. Akoma më shqetësuese janë kanalët financiarë të kësaj fushate, ku format e “fushatës hije” apo nga te tretët janë sofistikuar edhe më, citohet raporti i monitorimit të KVV-së. Sa i takon pjesës së rekomandimeve KVV apelon të gjithë aktorët politikë, institucionalë dhe mediatikë që të respektojnë Ditën e Heshtjes Zgjedhore dhe Ditën e Zgjedhjeve. Partitë të përmbushin sa më parë detyrimin ligjor në plotësimin e anëtarësisë së Komisioneve të Qendrave të Votimit dhe të respektojnë vullnetin e qytetarëve shqiptarë, si mbajtës të sovranitetit, thuhet në raport. KVV i bën thirrje Forcave të Rendit të kryejnë në respektim të ligjit ruajtjen e rendit publik Ditën e Zgjedhjeve, që qytetarët shqiptarë të shprehin të lirë vullnetin e tyre. Ky proces zgjedhor, thuhet në raport, duhet të jetë fundi dhe shembulli më i keq i një procesi ku vullneti politik qëndron përtej ligjit në administrimin e zgjedhjeve. Po ashtu, KVV i bën thirrje qytetarëve të distancohen nga çdo formë demagogjie elektorale apo shit-blerje vote, dhe po ashtu, militantëve partiakë i kërkon të distancohen nga format e korrupsionit zgjedhor.