Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër kundër zgjedhjes së kryetarit dhe zv/kryetarit të Akademisë së Shkencave.
Rama i quan farsë këto zgjedhje dhe thotë: “Meqë “Akademia” zgjodhi farsën uroj të gjejnë dhe fondet për vijimin e farsës! Fondet tona do t’i shkojnë universitetit për kërkim shkencor”.
Reagimi i kryeministrit erdhi pasi Gudar Beqiraj u zgjodh në postin e Kryetarit të Akademisë së Shkencave.
Ndërsa në postin e nënkryetarit të Akademisë u zgjodh Muzafer Korkuti.
Ironia është se deri tani Korkuti mbante detyrën e kryetarit, dhe Beqiraj ishte nënkryetar u bë kryetar.
Pra, thjesht kanë bërë një ndryshim pozicionesh.
Më herët, gjatë ditës, kryeministri Edi Rama deklaroi se Akademia e Shkencave duhet të reformohet, në të kundërt nuk do të marrë asnjë qindarkë.
Në një status në Facebook, kreu i qeverisë i është përgjigjur kërkesës së profesorëve dhe të akademikut Artan Fuga, i cili bëri letër të hapur ndaj Kryeministrit.
“Nëse nuk reformohet Akademia e Shkencave nuk do marrë më asnjë qindarkë nga buxheti e do të duhet të dorëzojë godinën! Prandaj #StopFarsës”, shkruante kryeministri Rama.