Rama flet para se të ikë në Itali: Opozita në rrugë pa...

Rama flet para se të ikë në Itali: Opozita në rrugë pa krye

341
0

Kryeministri Edi Rama ka rikujtuar marrëveshjen e bërë dy vite më parë me Partinë Demokratike pas çadrës së famshme të ngritur në Bulevard. Shefi i maxhorancës ka marrë fjalën i pari sot në seancën plenare, duke sqaruar se zgjodhi të flasë në fillim pasi më pas do të largohej drejt Italisë.

Ai e cilësoi protestën jo të popullit por një reagim nga pallati i politikës. Sipas tij opozita është në rrugë pa krye dhe ka marrë një vendim politik vetëvrasës.

“E mora këtë fjalë që në fillim pasi pastaj më duhet të largohem për të shkuar matanë detit dhe për të bërë përpjekjen time për të shpjeguar për publikun e Italisë se çka lajmet kanë shfaqur me ato pamje shqetësuese se nuk është një protestë popullore por reagim nga pallati i politikës nga ajo pjesë që për asnjë moment nuk pati sensin e realitetit dhe reflektimit mbi vetveten në radhë të parë. Ajo çka ndodh sot është vijimi i një rruge pa krye ku e vetmja gjë e re është një vendim politik vetëvrasës i udhëheqjes politike të opozitës si rezultat i humbjes së vetvetes.

Sot jemi në kushtet e një seriali të njohur”, tha Rama.

Duke iu referuar marrëveshjes së 2017 për qeveri të përbashkët me opozitën, Rama tha se kjo maxhorancë vuri interesin e vendit mbi interesin e ngushtë politik.

“Nuk besoj që për ju këtu është e vështirë t’i bëni një thirrje të shpejtë kujtesës për situatën ekzaktësisht 2 vite më parë në këtë periudhë kur në bulevard u ngrit një çadër dhe nga ajo çadër nisi një rrugëtim për të ndërtuar një republikë të re me kushtin e panegociueshëm për një qeveri pa Ramën kryeministër dhe tranzitore për të garantuar zgjedhje sipas dëshirës së atyre që sot janë larguar përfundimisht nga ky parlament. E mbani mend të gjithë se ne vumë interesin e vendit mbi interesin e ngushtë politik dhe faktikisht bëmë një hap të panjohur në historinë e konflikteve politike në Shqipëri duke i vënë në dispozicion opozitës të gjitha ato që kërkuan. Gjithçka. Edhe duke marrë mbi vete pakënaqësinë e pjesës dërrmuese të mbështetësve tanë. morën ministrinë e Brendshme, morën të gjitha ministritë që kërkuan, Arsimin, Shëndetësinë financat, me idenë se këto ministri ishin ministri elektorale dhe PS mund t’i përdorte për qëllime elektorale. Pse? Sepse këtë gjë kishin bërë kur kishin qeverinë”, tha Rama.