Presidenti Meta “Rama po e çon vendin në konflikt civil”

Presidenti Meta “Rama po e çon vendin në konflikt civil”

350
0

Java e punës për Presidentin Meta nisi dje me një takim me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian.

Që në orët e para të mëngjesit të djeshëm, Meta mblodhi në Pallatin e Brigadave krerët e misioneve diplomatike të vendeve të BE-së në Tiranë, në një mëngjes pune ku fokusi i takimit ishte kriza politike dhe dekreti i tij për anulimin e 30 qershorit si ditë zgjedhore.

Ndonëse takimi u zhvillua pa media dhe në mënyrë konfidenciale, mësohet se kreu i shtetit, për rreth 2 orë, ka diskutuar me ambasadorët mbi qëndrimet e tij mbi krizën politike, që ka kapur vendin. Burimet bëjnë me dije se një pjesë të diskutimit kishte zënë dhe çështja e anulimit të 30 qershorit si ditë zgjedhore.

Burimet bëjnë me dije se Presidenti ka theksuar para diplomatëve, se vendimi i tij është në mbështetje të kompetencave, që Kushtetuta e Shqipërisë i jep atij. Ky dekret, sipas Metës, është plotësisht konform Kushtetutës dhe tanimë ai ka hyrë në fuqi me publikimin në Fletoren Zyrtare, duke shtuar se zbatimi i tij është i detyrueshëm.

Për sa i përket krizës politike, kreu i shtetit ka theksuar se ky vendim i tij duhet të shfrytëzohet nga aktorët e krizës politike për gjetjen e gjuhës së bashkëpunimit ,në mënyrë që të kapërcehet kjo situatë, e cila, sipas tij, do t’i shërbente edhe aspiratës së Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian.

Meta ka theksuar se tensionimi i situatës dhe qëndrimet e Kryeministrit Rama rrezikojnë ta çojnë Shqipërinë drejt një konflikti civil. Këto qëndrime që Presidenti Meta u bëri ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Europian, ia ka parashtruar përpara disa ditëve edhe zëvendësambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.