Policia e shoqëroi për fakenews, reagon gazetarja e ‘Shekullit’: Nuk ishte lajmi...

Policia e shoqëroi për fakenews, reagon gazetarja e ‘Shekullit’: Nuk ishte lajmi im, kësaj çështje do i shkoj deri në fund

322
0

Vetëm para pak minutash ka reaguar gazetarja e gazetës “Shekulli” Daniela Grriça, e cila u shoqërua mbrëmë nga policia për përhapjen e një lajmi të rremë, që shkaktoi panik dhe terror te qytetarët.

Gazetarja thotë se ajo nuk e ka bërë një lajm të tillë, pasi pretendon se ka qenë një foto e modifikuar dhe e bërë virale në rrjetet sociale.

“Nuk e di! Nuk e di kush, pse, çfarë kërkoi ai apo ajo që modifikoi atë foto. Sepse ai nuk është një lajm, i shpërndarë me link, është një foto e modifikuar me fotoshop që përhapi panik”, thekson ajo.

Grriça thotë se është ndjerë tmerrësisht keq kur pa lajmet se ishte arrestuar, ndërsa deklaron se kësaj çështje do t’i shkojë deri në fund, deri sa të dalë në dritë e vërteta.

Reagimi i plote:

NUK ISHTE LAJMI IM, POR NJË FOTO E MODIFIKUAR DHE E BËRË VIRALE!

Nuk jam arrestuar. U shoqërova në polici për të sqaruar detaje rreth një foto (skrin) që nuk e di nga ku mbiu, por fatkeqësisht bëri hatanë. U ndjeva tmerrësisht keq kur kolegët e mi në polici kishin shpërndarë një deklaratë për mediat, se jam shoqëruar ende pa bërë asnjë lloj verifikimi apo pa më pyetur: Si qëndron puna moj vajzë?

Gjithashtu edhe kolegët e mi në televizione e portale, u ngutën për të bërë lajmin i pari, kush me foto, e kush me emër e mbiemër. FALEMINDERIT të gjithëve!

Unë di t’ju them që lajmi që unë kam publikuar në gazetën “Shekulli-online” nuk është ai që u bë viral, ai që la mijëra qytetarë jashtë shtëpive për të mbrojtur veten dhe fëmijët e tyre.

Ju siguroj se unë shtetasja, Daniela Grrica, që u shoqërova në polici për diçka që s’kam bërë, se ai lajm nuk është deformuar apo ekzagjeruar nga unë për disa palo klikime.

Nuk do e bëja kurrë! Sepse pikë së pari jam njeri, dhe ashtu siç më kanë rritur prindërit e mi, një njeri me parime, që nuk e shet apo zmadhon fjalën pa pasur një bazë apo indicie konkrete. E aq më pak nuk do e bëja si gazetare sado e “vogël” që jam.

Lajmi i im ishte vetëm një citim i një medie preststigjoze shqiptare dhe titulli im fjalë për fjalë është ky:

“Paralajmërimi i sizmologut grek: Kujdes tërmetet e tjera, mund të jenë shkatërruese!” (Pjesa tjetër e titullit, ku fitet për një orar është e shtuar)

Dhe më poshtë vijon intervista e plotë, ashtu siç ishte në median që unë kam cituar, pa asnjë lloj ndryshimi të mëvonshëm, përveç se publikimit të tij të parë në orën 15:11 minuta të datës 22 shtator.

Ju do thoni: Po ai foto-skrin që përhapi panik te të gjithë qytetarët dhe që mban emrin tënd çfarë ishte?

Nuk e di! Nuk e di kush, pse, çfarë kërkoi ai apo ajo që modifikoi atë foto. Sepse ai nuk është një lajm, i shpërndarë me link, është një foto e modifikuar me fotoshop që përhapi panik.

Ndjej keqardhje të thellë që e gjitha kjo u përhap dhe u keqpërdor në masë, duke njollosur emrin tim, ende pa u akuzuar. Por për një gjë të jeni të sigurt, kësaj çështje do t’i shkoj deri në fund, deri sa të dalë në dritë e vërteta e njollosur nga një “mjeshtër” fotoshopi.