PËR ATA QË THONË NUK ËSHTË PROBLEMI IM…

PËR ATA QË THONË NUK ËSHTË PROBLEMI IM…

483
0

Në shtëpinë e një bujku jetonte një mi i cili e bezdiste shumë gruan e bujkut. Një ditë, miu vuri re gruan e bujkut e cila po hapte një kuti. Miu shkoi afër për të parë nëse ishte ushqim.

 

Por ai u shkatërrua shumë shpirtërisht kur vuri re se ishte një çark miu (paisje mekanike që i zë kurth dhe vret miun). Miu i tmerruar doli në oborrn e fermës dhe nisi të bërtasë me të madhe: “Brenda në shtëpi ka një çark miu..!!”

 

Në fillim shkoi tek pula dhe i tregoi për çarkun. Pula e krekosur me kokën lart i tha, “O mi… Është një problem i madh për ty por për mua nuk ka asnjë pasojë… kështuqë mos më shqetëso më për këtë gjë…”

 

Më pas miu i trembur shkoi tek derri. Derri e ngushëlloi disi dhe i tha, “Më vjen keq për ty por nuk kam se çfarë të bëj.”

 

Miu u kthye nga bualli. Ai iu përgjigj, “Nuk është gjë që më shqetëson mua… Megjithatë e vetmja që mund të bëj është të lutem për ty dhe të sigurohem që ti do jesh në lutjet e mia.”

 

Miu i mërzitur u kthye në shtëpi i rraskapitur dhe i frikësuar, për tu përballur i vetëm me hallin që e kishte zënë.

 

Atë natë një zë u dëgjua në shtëpi, ishte zëri i çarkut që zuri prenë e tij. Menjëherë gruaja e bujkut nxitoi për të parë nëse kishte kapur miun, por ngaqë ishte errësirë nuk e vuri re se ishte një gjarpër helmues, bishtin e të cilit e kishte zënë çarku.

 

Sapo gruaja iu afrua, gjarpri e pickoi. Atë e dërguan me nxitim në spitalin më të afërt. Pas mjekimit ajo u kthye në shtëpi me temperaturë. Mjekët i sugjeruan që të hajë ushqime të mira.

 

Bujku shkoi në oborr dhe theri pulën për ti bërë gruas së tij supë dhe të shërohej dhe t’i shpëtonte temperaturës.

 

Edhe pas disa ditësh ajo nuk u përmirësua dhe vazhdonte të ishte e sëmurë. Miq, shokë dhe komshinj erdhën për ta vizituar nga larg. Kështu, për ti shtruar darkën atyre që kishin bërë gjithë atë rrugë në respekt të gruas së tij, bujku theri derrin.

 

Pas disa ditësh gruaja e bujkut ndërroi jetë. Në varrimin e saj mori pjesë i gjithë fshati, dhe këtë herë bujkut iu desh të therte buallin për ti dhënë një kafshatë bukë atyre në respekt të gruas së tij.

 

Miu e pa gjithë këtë ndodhi nga muri i çarë i shtëpisë me keqardhje të madhe.