Partia Aleanca Popullore është tërhequr nga ankimimi për shpalljen të pavlefshme në Kolegjin Zgjedhor të listave të kandidatëve për deputet të regjistruara me 29 prill. Në seancën e zhvilluar sot, kreu i PAP-së Artur Dojaka tha se duke u bazuar në rrethanat e reja, tërheqim padinë e parë dhe kërkojmë pushimin e çështjes. Edhe pas përfundimit të seancës, Dojaka tha në një deklaratë për mediat se “ne kërkuam pushimin e çështjes jo tërheqje dhe me datën e re të hapen listat edhe për partitë opozitare dhe të futemi dhe ne”. “ Ne presim që KQZ të miratojë datën e 25 qershorit dhe pas kësaj do vazhdojmë me veprimet tona ligjore. Ne do jemi për të shfrytëzuar çdo hap që na jep ligji, për të marrë pjesë në zgjedhjet e reja”, tha Dojaka. Më herët, Partia Agrare Ambientaliste, një tjetër forcë politike kjo që kërkoi rrëzimin e listave, u tërhoq nga padia me argumentin se arritja e marrëveshjes Rama-Basha e bën të pavlefshme ankimin në Kolegj.