Paralajmërimi nga drejtuesit e bizneseve, zinxhirët globalë të furnizimit janë në rrezik...

Paralajmërimi nga drejtuesit e bizneseve, zinxhirët globalë të furnizimit janë në rrezik kolapsi

317
0

Zinxhirët globalë të furnizimit janë në rrezik kolapsi nëse qeveritë në mbarë botën nuk rivendosin lirinë e lëvizjes për të transportuar punëtorët dhe nëse nuk u japin atyre përparësi mbi vaksinat, ka paralajmëruar një koalicion ndërkombëtar i drejtuesve të biznesit.

Në një letër të hapur drejtuar krerëve të shteteve dhe qeverive që merrnin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Dhoma Ndërkombëtare e Transportit dhe grupet e tjera të transportit, paralajmëruan se pothuajse dy vjet ndalime udhëtimi dhe kufizime të tjera, kishin pasur një “ndikim jashtëzakonisht të dëmshëm tek punëtorët e transportit”.

 

“Keqtrajtimi” i punëtorëve ka ushtruar presion mbi zinxhirin tashmë të “tendosur” global të furnizimit, thanë ata, duke shtuar se çdo dështim për të vepruar ka të ngjarë të përkeqësojë mungesat e mallrave thelbësorë, përfshirë pajisjet elektronike, ushqimet, karburantin dhe furnizimet mjekësore, përpara Krishtlindjeve.

 

Ky paralajmërim erdhi ndërkohë që qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka mobilizuar ushtarë për të transportuar benzinë ​​pasi vendimi i Britanisë për të lënë BE-në dhe pandemia çuan në një mungesë të shoferëve të kamionëve. Ka një mungesë të shoferëve të kamionëve në nivel global, dhe Shoqata Amerikane e Kamionëve raporton një mungesë prej gati 61,000 shoferësh në SHBA.

 

Në kulmin e krizës, 400,000 detarë nuk ishin në gjendje të linin anijet e tyre, dhe disa punuan 18 muaj më tepër pas përfundimit të kontratave fillestare, thuhej në letër. Fluturimet janë kufizuar dhe punonjësit e aviacionit janë përballur me mospërputhjen e kufizimeve/kërkesave të udhëtimit dhe vaksinave, shtoi ai.

 

“Të gjithë sektorët e transportit po përjetojnë një mungesë të punëtorëve dhe pritet që më shumë të largohen si rezultat i trajtimit të padrejtë që kanë marrë gjatë pandemisë, duke kërcënuar zinxhirin e furnizimit në mënyrë të jashtëzakonshme”, thuhet në letër.

 

Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës duhet të veprojnë shpejt nëse duan të adresojnë këto shqetësime.

 

Willie Walsh, drejtori i përgjithshëm i Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror, tha se “pavarësisht gjithë punës së mirë që po ndodh prapa skenave, të dhënave në dispozicion dhe ekspertizës, tek vendimet ndikon shkenca politike, jo shkenca e mirëfilltë”, shtoi ai.

 

Umberto de Pretto, sekretari i përgjithshëm i Unionit Ndërkombëtar të Transportit Rrugor, tha: “Ajo që kërkohet është një vendim politik. Dëshironi një rimëkëmbje ekonomike apo jo? Nëse po, duhet që lidershipi politik të trajtojë këtë krizë. ”

 

Javën e kaluar, grupi i transportit Maersk, i cili transporton rreth një të pestën e të gjithë ngarkesave detare dhe shihet si një pikë kyçe për tregtinë globale, tha për Financial Times se ishte në rrugën e duhur për të siguruar fitime rekord këtë vit për shkak të tendosjes së zinxhirëve të furnizimit global, teksa u rrit kërkesa e konsumatorëve dhe bashkë me të, çmimet e mallrave. Sidoqoftë, kompania gjithashtu tha se ka të ngjarë që në vitin 2022, zinxhiri i furnizimit do të fillojë të kthehet në normalitet./ Financial Times