Operacioni “Asetet”, sekuestrohen 2.1 milionë euro pasuri, para dhe prona në Tiranë...

Operacioni “Asetet”, sekuestrohen 2.1 milionë euro pasuri, para dhe prona në Tiranë dhe bregdet

400
0

Pas një viti hetimesh, Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin “Asetet” dhe ka vendosur sekuestro preventive ndaj pasurive të dy shtetasve të huaj, të dy me rekorde të theksuara kriminale, pasuri që kapin vlerën 2,1 milionë euro.

Pasuritë të luajtshme dhe të paluajtshme u vendosën në sekuestro preventive me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Ato i përkisnin shtetasve H. L., 50 vjeç, lindur në Junik (Kosovë) dhe banues në Olten (Zvicër) dhe R. (A.) S., 47 vjeç, lindur në Poloni dhe banues në Olten.

Konkretisht u sekuestruan: 3 apartamente në Rrugën e Kavajës, Tiranë; Njësi tregtare e ndodhur në Rrugën e Kavajës, Tiranë; Sipërfaqe toke, afërsisht 5.500 m2, në Radhimë, Vlorë; Asete të një ish-kompanie të transportit ndërkombëtar të mallrave; Llogari bankare pranë bankave të nivelit të dytë, në shumën 240.000 euro dhe 210.000 franga zvicerane; 6 automjete të markave të ndryshme, prodhime të viteve të fundit.

H.L. është nën hetim nga Prokuroria e qytetit Solothurn, Zvicër, për veprat penale që lidhen me lojërat e fatit (kazinotë) dhe “Pastrim parash”. Ky shtetas është i njohur për veprimtari kriminale në Zvicër, pasi është dënuar nga Gjykata e Olten-Gosen/So, më datë 26.11.2011, për veprat penale “Zhvatje me dashje”, “Sulm”, “Shtrëngim për dhënie pasurie”,“Shkelje e ligjit për armët”, të ndodhura në kohë të ndryshme.

Ndërsa shtetasi R. (A.) S. është në kërkim kombëtar në Zvicër, për veprat penale që lidhen me lojërat e fatit (kazinotë) dhe “Pastrim parash”.