Nuk ndalen tërmetet, regjistrohen 850 goditje në 72 orë. Sizmologu: Duhen muaj...

Nuk ndalen tërmetet, regjistrohen 850 goditje në 72 orë. Sizmologu: Duhen muaj që toka të rikthehet në nivelin e saj

519
0

Edhe gjatë ditës së djeshme nuk kanë munguar goditjet e tërmetit. Në total, që prej mëngjesit të së martës janë regjistruar mbi 850 pasgoditje, pjesa më e madhe prej tyre me magnitudë nën 4.

Ndërkohë, paraditen e djeshme është regjistruar edhe një tjetër tërmet me magnitudë 5.1, i cili ka vënë sërish në alarm qytetarët. Sizmologu Llambri Duni thotë se lëkundjet do të vijojnë edhe përgjatë ditëve në vijim, deri në rikthimin e tokës në nivelin e saj, por do të jenë me intensitet më të ulët. “Është një shtyrje ‘mbihipje’ dhe ka krijuar këtë ngritje të tokës. Derisa të shuhen lëkundjet, do të kërkojë muaj. Nuk është thënë që toka të rikthehet në nivelin e saj. Pasgoditjet do të vazhdojnë, kështu që ne duhet të mësohemi me lëkundjet sizmike”.

Në kushtet kur ndodhemi, kur edhe një pjesë e banesave në Tiranë dhe Durrës kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme, duke vënë në rrezik jetën e banorëve, Duni apelon që të evitohet qëndrimi në objektet e dëmtuara.

“Njerëzit nuk duhet të shkojnë në banesa, ku një lëkundje e vogël mund të të rrezikojë. Njerëzit nuk duhet të lejohen të futen në banesa që janë dëmtuar”.

E sikur të mos mjaftonte ankthi dhe frika e krijuar nga tërmeti, dje nisi të qarkullonte një lajm mbi kërcënimin e mundshëm nga një cunam. Lidhur me këtë tymnajë të ngritur, Duni tha se ishte totalisht një alarm i rremë.

Në intervistën dhënë për “News 24”, ai vuri në dukje se tërmeti i së martës me magnitudë 6.3 i shkallës rihter, nuk e ka fuqinë që të shkaktojë një dukuri të tillë si cunami.

“Ne kemi lidhje se të dhënat tona shpërndahen në të gjitha qendrat në botë (në rastin kur alarmi u dha nga Instituti Italian i Tërmeteve). Të dhënat tona shpërndahen në kohë reale në të gjitha qendrat, në Amerikë dhe Europë. Ne kemi lidhje në kohë reale me këto vende, për të përcaktuar cunamet, nëse ato mund të gjenerohen në vendin tonë, mund të përdoren. Ata nxjerrin alarmin, që këto kanë nevojë të rishikohen. Jo çdo alarm që jepet është i vlefshëm. Në rastin tonë nuk i vlefshëm. Pasi madhësia 6.3 nuk është e atij niveli që të gjenerojë cunamet. Epiqendra e tërmetit nuk ka qenë në mes të Adriatikut, po në bregdetin shqiptar, ku nuk ka kolonë ujë. Është e pamundur që ky tërmet të shkaktojë cunam. Vatra e tërmetit ka qenë e thellë. Nuk ka pasur çarje që të ngrihet toka. Që të ngrihet, kërkohet spostim. Derisa e kanë hequr alarmin, e kanë kuptuar që është fals”, tha Duni.