NEGOCIATAT PËR SHQIPËRINË/ Sot vendimi i shumëpritur nga BUNDESTAGU, 9 kushtet dhe...

NEGOCIATAT PËR SHQIPËRINË/ Sot vendimi i shumëpritur nga BUNDESTAGU, 9 kushtet dhe 2 çështjet për zgjidhjen e krizës politike

373
0

 

Parlamenti Gjerman, Bundestagu, do të shprehet sot mbi hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian të Shqipërisë. Seanca e sotme e orës 19.00 ka përfshirë në axhendë Shqipërinë dhe pritet të mësohet vendimi i rëndësishëm.

Burime për “Newsbomb.al”, bëjnë me dije se vendimi i Parlamenti Gjerman do të përfshijë disa kushte për politikën shqiptare, të cilat më shumë se sa për kriteret teknike, do kërkojnë zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri dhe kthimit të normalitetit mes maxhorancës dhe opozitës.

Më herët, media gjermane “Deutsche Welle”, bëri me dije se grupi më i madh parlamentar në Bundestag, ai i CDU/CSU ka propozuar 9 kushte për Shqipërinë, të cilat kërkojnë më së shumti zgjidhjen e krizës politike pas zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit.

Vendimi politik i Bundestagut gjerman pritet të jetë pozitiv për Shqipëri, për hapjen e negociatave të anetarësimit në BE të Shqipërisë por kjo do të shoqërohet me kushte. Këto kushte do t’i bashkëngjiten vendimit dhe do të pritet zbatimi i plotë i tyre në mënyrë që Shqipëria të nisë negociatat për hapjen e kapitujve të veçantë me Bashkimin Europian.

Nëse i referohemi kushteve të propozuara nga CDU/CSU, të cilat me shumë gjasë shumica e tyre do të pranohen derisa ky grup përbën shumicën e parlamentit, Shqipërisë do i kërkohet të plotësojë sa më shpejt ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, ngritjen e Gjykatës së Lartë, reformë zgjedhore, vënien në punë të Prokurorisë speciale SPAK, ndjekjen penale të gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk e kaluan vetingut, reformë në administratën publike, rezultate konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsioni dhe ndjekjen penale të “peshq të mëdhenj”.

Dy çështjet më të nxehta që lidhet drejtpërsëdrejti me krizën politike janë kushtet për ndjekjen penale të akuzave për shitblerje votash, një kërkesë e vazhdueshme e opozitës si dhe legjitimiteti i zgjedhjeve lokale përmes një vendimi në Gjykatën Kushtetuese.

Gjithsesi, sot në orën 19.00 do të mësohen kushtet e plota nga Parlamenti Gjerman si dhe ndikimi i tyre i pritshëm në krizën politike shqiptare.