Mos më ngarkoni gjëra të tepërta, i kam shërbyer shtetit si ushtarak”,...

Mos më ngarkoni gjëra të tepërta, i kam shërbyer shtetit si ushtarak”, babai i Klodian Rashës pret në derën e shtëpisë protestuesit: Ju falenderoj të gjithëve sa jeni

388
0

Është mbyllur 20 minuta para mesnate marshimi i aktivistëve dhe qytetarëve, nga kryeministria drejt banesës së Klodian Rashës, 25-vjeçarit që u vra nga punonjës të Policisë së Shtetit. Marshimi ishte kryesisht i heshtur, ndërkohë që qytetarët vendosën lule pranë vendit ku u vra i riu.

 

Teksa iu drejtuan banesës, protestuesit u pritën dhe nga babai i Klodianit, i cili kërkoi në emër të familjes që të mos bëhen inskenime ndaj tyre, ndërsa shtoi se ai i ka shërbyer dhe vetë shtetit si ushtarak, dhe kërkoi në mënyrë indirekte shmangien e akteve të dhunës në protestë.

 

“I kam shërbyer shtetit si ushtarak, kam punuar me nder, gëzoj respektin e të gjithë lagjes. Mos më vini gjëra të tepërta, unë i shërbej vetëm familjes, mos më rëndoni me inskenime të lloj lloj formave se pse duhet të bëhen. Ju falenderoj të gjithëve sa jeni, paçi vetëm gëzime në shtëpitë tuaja, mos më lodhni më tepër”, u shpreh babai i Klodian Rashës, i cili duhet thënë se ishte në një gjendje të rënduar psikologjike.

 

Gjatë ditës së djeshme protesta për Klodianin nisi rreth orë 16:00 të pasdites, dhe më pas u zhvendos për rreth 5 orë në institucione të ndryshme të vendit, nga Ministria e Brendshme te kryeministria dhe më pas te Drejtoria e Policisë së Tiranës.

 

Protestuesit kryesisht të rinj, kërkuan drejtësi për vrasjen e të riut, ndërkohë që nuk munguan thirrjet për dorëheqjen e ministrit të brendshëm Sandër Lleshaj, ndërsa ky i fundit është mjaftuar vetëm me një reagim patetik në Facebook për ngjarjen.

 

Nga ana tjetër nuk munguan as përplasjet mes Policisë dhe protestuesve, ku në spital përfunduan 8 efektivë dhe dy qytetarë, si pasojë e lëndimeve, vetëm njëri prej tyre në gjendje më serioze.