Mjekët protestojnë në Tiranë dhe në Shkodër, ja çfarë kërkojnë

Mjekët protestojnë në Tiranë dhe në Shkodër, ja çfarë kërkojnë

394
0

Pas rasteve të dhunës ndaj mjekëve në Tiranë, Durrës dhe Lezhë, mjekët e Spitalit Universitar “Nënë Tereza” në Tiranë dhe ata të Spitalit të Shkodrës kanë protestuar ditën e sotme. Mjekët kërkojnë që të ndryshojë Kodi Penal duke ashpërsuar dënimet për ata që ngrenë dorë ndaj bluzave të bardha, si edhe kërkojnë ambiente pune më të sigurta.

Një mjek në Shkodër tha se ndryshimi duhet të nisë edhe nga vetë ata. “Personeli shëndetësor kërkon ambient pune të sigurt, të lirë larg bulizmit dhe provokimeve. Ne jemi të kujdesur për pacintët tanë, por dhuna nuk sjell cilësi në shërbim. Dhuna lodh e ndikon tek kujdesi që ne duhet të ushtrojmë. Nëse mjekët e infermierët nuk janë të sigurt edhe pacientët nuk janë të sigurt. Dhuna duhet parandaluar para se të ndodhë, ndryshimi duhet të nisë nga ne. Kjo është një thirrje për veprim, për bashkim. Të flasim nën një zë, politika të dëgjojë”, tha ai.

Ndërkohë në Tiranë, mjeku Tritan Kalo drejtoi gishtin nga politika. “Vaksinë për problemin tonë nuk ka, por vaksina gjendet. Populli ta ketë të qartë që mjekët nuk ua krijojnë problemet, janë politikat ato që duhet të ndryshojnë. Në ‘97 edhe kur shteti u shkërmoq e vetmja që funksiononte ishte mjekësia. Duhet ta konsideroni bluzën e mjekut të shenjtë”, u shpreh Kalo.

Në mbështetje të mjekëve ka qenë edhe zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli. “Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për rastet e dhunës në ditët e fundit. Ne po kërkojmë ndryshime në Kodin Penal që të shtrëngohen masat për ata që dhunojnë mjekët si dhe rritje sigurie në spitale”, u shpreh ajo.