Mhill Gjuraj, patriot i devotshëm, shembull i përkushtimit për komunitetin shqiptar në...

Mhill Gjuraj, patriot i devotshëm, shembull i përkushtimit për komunitetin shqiptar në Amerikë

674
0

Të flasësh për lidhjet e shqiptarëve me amerikanët, është e pamundur të tejkalohet emri i një humanisti dhe kontribuuesi të çështjes kombëtare, biznesmenit dhe veprimtarit kombëtar. Mhill Gjuraj.

 

Në sheshin qendror të qytetit Waterbury Connecticut të ShBA-së, Mhill Gjuraj ngriti flamurin e Kosovës, duke u shpallur “Kryetar i Ditës” – The Mayor of the Day”. Ky ishte edhe rikonfirmim se komuniteti shqiptaro-amerikan në Amerikë njihet gjithmonë si kontribuuesi kryesor për pavarësinë e Kosovës dhe forcimin e lidhjeve shqiptaro-amerikane.

 

Kush është Mhill Gjuraj?

 

“Kryetar i Ditës – The Mayor of the Day”, Mhill Gjuraj, është një biznesmen, humanist aktiv dhe aktivist i çështjes kombëtare.

 

“Faleminderit Amerikë për çdo gjë që keni bërë për shtetin e Kosovës. Zoti e bekoftë Amerikën dhe Zoti e bekoftë Kosovën!”, pati thënë me pak fjalë njeriu që u zgjodh ta ngrehë flamurin e Kosovës në sheshin qendror të qytetit Waterbury-it.

 

Kjo ishte porosia e z. Gjuraj, për të gjithë shqiptarët që jetojnë jo vetëm në Amerikë, por në mbarë diasporën: “Ata që e ndiejnë vetën shqiptarë, sidomos ata që ia duan të mirën kombit shqiptar, të bëhen bashkë siç kanë qenë gjithmonë në shërbim të atdheut dhe të kombit”.

 

Prejardhja

 

Familja e z. Mhill Gjuraj është me origjinë nga Iballja e Pukës, i vendosur në Sfërkë të thatë të Pejës.

 

Humanizmi dhe atdhedashuria kanë bërë që familja Gjuraj të jetë e përndjekur vazhdimisht nga pushtimi serb, ku edhe jeta e tyre u bë e vështirë, andaj kjo familje vendosi ta marrë rrugën e migrimit.

 

Më 1972, Mhill Gjuraj bashkë me familje u largua nga Kosova drejt Italisë, ndërsa në nëntor të vitit 1973, pas 16 muajve, tërë familja, baba, nëna dhe shtatë fëmijët e tyre, pasi u pajisën me dokumente italiane, emigruan drejt Amerikës.

 

Në fillim u vendosën në Bronx të New York, ku ndenjëm gati një muaj dhe pastaj u shpërngulën për Stamford të Cinnecticut. Z. Gjuraj aty filloi punën në një restorant italian për të vijuar me veprimtari tjetër, patundshmërinë si fushë që i sillte më shumë leverdi.

 

Ai për “Epokën e re” ka treguar se pasi nuk fitonte shumë para, filloi edhe një punë të dytë, në të cilën punoi katër vjet, dhe më pas kishte blerë një shtëpi të cilën e riparoi dhe më vonë e shiti me një çmim të dyfishtë. Nga ky moment filloi të merret me këtë biznes me patundshmëri, duke u bërë një nga biznesmenët më të suksesshëm shqiptarë në Nju Jork.

Jeta dhe veprimtaria e shquar atdhetare, humanitare, fetare dhe sukseset në biznes, kanë bërë që Mhill Gjuraj të jetë një shembull i mirë që duhet ndjekur çdo shqiptar kudo që ndodhet. Si i tillë ky shqiptar i suksesshëm është figurë model për gjeneratat e reja se si ndershëm, me punë, mund e djersë, mund të kontribuosh jo vetëm për vete, por edhe në tabanin kombëtar si aktivist i palodhur i çështjes shqiptare.

 

Gjuraj ishte mbështetës i veprimtarive me interes nacional kudo në Amerikë, duke përfshirë Fondin e Qeverisë së Kosovës e Fondin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Organizimi i darkave për mbledhjen e fondeve për qëllime humanitare dhe politike, ishte një angazhim i vazhdueshëm i z. Gjuraj, aty, me atë rast mblidheshin fonde për çështjet me interes nacional, lobim pranë institucioneve amerikane si dhe promovimin e çështjes shqiptare.

 

 

 

Si një patriot i mirëfilltë, ai ka dëshmuar shumë herë, edhe anën e përshpirtshme, duke bërë donacione dhe sponsorizime, në mesin shumë prej tyre veçohet donacioni prej 8. 000 dollarëve për fillimin e punimeve dhe prej 20.000 dollarëve për vazhdim e punimeve për Katedralen e Prishtinës. Po ashtu ka bërë donacione për Katedralen e Tivarit dhe të Malit të Zi, si dhe për kishën “Lady of Shkodra” në New York.

 

Shtatorja e shenjtës “Nënë Tereza” në Pejë, të cilën e ka ndërtuar me vetiniciativë, me vlerë prej 100 mijë dollarësh, por ai nuk është ndalur me kaq, sepse, siç thotë z. Gjuraj u ka dhënë shpesh shoqatave të ndryshme në Amerikë, për të organizuar aktivitete me përmbajtje kombëtare, të cilat i vlerëson si simbolike, por të dhëna me dëshirë duke i sjell kënaqësi të madhe dhe mbarësi në biznes.

 

Krahas këtyre kontributeve ai ka qenë i pandalshëm edhe në kontributet dhe ndihmën që është kërkuar sidomos gjatë dekadës 1990-2000 e më tutje për çështjen e Kosovës, njëherësh ka ndihmuar shumë familje në nevojë, shoqata të ndryshme në Amerikë, si dhe ka organizuar aktivitete me përmbajtje kombëtare.

 

Përveç aktivitetit të tij si afarist i suksesshëm, intelektuali i shquar shqiptaro-amerikan, ka dhënë një kontribut dhe mbështetje mbresëlënëse në ndihmën për sensibilizimin e çështjes kombëtare, veçmas asaj të Kosovës së tij, dhe procesit të zhvillimeve demokratike Kosovë, Shqipëri dhe trojet tjera stërgjyshore.

 

Ai tregon interes e vëmendje të veçantë për gjendjen e vështirë ekonomike të Kosovës dhe të tokës mëmë – Shqipërisë, dhe të trojeve të tjera etnike për të cilat i bashkëngjitet të gjitha aktivitetet dhe veprimtaritë me taban kombëtare, historik e kulturor.

 

Me modestinë që e karakterizon, si patriot e atdhetar i vërtetë, ka dëshmuar duke dhuruar ndihma dhe kontribut deri në pavarësinë e Kosovës.

 

“Populli ynë e ka pasur traditë ndihmën ndaj njëri – tjetrit, biles edhe kur ndonjëri martonte djalin, i gjithë fshati kontribuonte në ngritjen e dhomës së çiftit, se dihet ne kemi qenë përherë nën pushtim, tani ka shumë gjëra tjera më madhore që kërkojnë zgjidhje e nëse të gjithë do japim nga pak nga trasta jonë e bukës, siç bënin të parët tanë, sigurisht tani janë mundësitë më të mëdha këtu në Amerikë, vërtet shumë gjëra do të jenë më në rregull”, theksoi për një medium, z. Gjuraj.

 

Gjuraj, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në nivelin politik me kontribut të nivelit të lart të institucioneve amerikane, por edhe duke u solidarizuar me shqiptarët dhe çështjen shqiptare, në veçanti për Kosovën dhe pavarësinë e saj.

Për familjen

 

Pasi erdhi në Amerikë, u martua me Agen, në vitin 1977, martesë që u bekua me 4 fëmijë, dy djem dhe dy vajza. Vajza e madhe quhet Linda, e cila mbaroi kolegjin dhe punon në zyrën e tij, në biznesin familjar, vajza e dytë e vazhdoi shkollën për mësuese dhe vazhdon në profesionin e saj, djali i madh, Zefi, punon për shtetin në New York si super revizor, ndërsa djali i dytë punon në Manhattan.

Mhill Gjuraj, nga një fshat i vogël i Dukagjinit, së bashku me familjen e tij, pas një rrugëtimi të gjatë, nga viti 1973, jeton e punon si një shqiptar shembullor, duke kontribuar në të gjitha zhvillimet pozitive të shqiptarëve në Amerikë, në Amerikën e shpresës, mundësive dhe miqësisë së përjetshme me kombin shqiptar.

 

Mhill Gjuraj, do të bëhet model dhe “Kryetar i Ditës” – The Mayor of the Day, duke ngritur lartë flamurin e Kosovës, duke thelluar dhe fuqizuar lidhjet e përjetshme shqiptaro-amerikane, me mesazhin e ndershmërisë, punës dhe përkushtimit për komunitetin.