Mediat sociale: vija midis seleksionimit të materialit dhe censurës po zbehet gjithnjë...

Mediat sociale: vija midis seleksionimit të materialit dhe censurës po zbehet gjithnjë e më shumë

625
0

Gjatë fazave të para të funksionimit të mediave sociale përzgjedhja dhe redaktimi (moderimi) i përmbajtjes së mediave sociale kryhej zakonisht nga përdorues, redaktorë vullnetarë, ose secila kompani e përpunonte vetë materialin e saj.  Në ditët e sotme, liria e fjalës në mediat sociale po i nënshtrohet një sistemi kompleks të administrimit dhe redaktimit të informacionit.  Një pjesë e mirë e debatit publik po kontrollohet dhe rregullohet nga korporata private.

Për të diskutuar në lidhje me këtë temë komplekse biseduam me Jillian C. York, Drejtore për Lirinë Ndërkombëtare të Shprehjes në Fondacionin e Hapësirës së Re Elektronike (Electronic Frontier Foundation – EFF).  York ka folur mbi këtë temë edhe gjatë një seminari në internet (uebinar) rreth zhvillimeve të fundit dhe prirjeve në fushën e edukimit mbi median, në kuadër të projektit Media për Qytetarët – Qytetarët për Median (Media for Citizens – Citizens for Media) të zhvilluar me anëtarët e rrjetit SEENPM në Ballkanin Perëndimor.

 

  • Çfarë nënkuptojmë me moderim të përmbajtjes në ditët e sotme?

 

Moderimi i përmbajtjes është një proces i përdorur nga kompanitë e teknologjisë së informacionit për të administruar përmbajtjen mediatike — postime, imazhe, video, etj — që përdoruesit postojnë në platformat e tyre.  Kjo realizohet nëpërmjet një sërë metodash, që nga punësimi i moderatorëve të përmbajtjes, kontrolli dhe rishikimi i materialeve që raportohen nga përdoruesit për shkelje të rregullave të një platforme, e deri te përdorimi i algoritmeve dhe automatizimit për të kufizuar përhapjen e llojeve të caktuara të përmbajtjes, si pornografia apo terrorizmi.  Po kështu, edhe qeveritë kërkojnë të ndërhyjnë në rrjedhën e informacionit në rrugë zyrtare ose informale (pa kaluar nëpër sistemin e drejtësisë) – dhe kjo kryhet nëpëmjet proceseve të përmendura më lart, por redaktimi i informacionit mund të kryhet edhe nga ekipe të posaçme që analizojnë vendimet dhe dokumentet e lëshuara nga gjykatat apo forcat e zbatimit të ligjit.

 

  • A mund të na jepni ndonjë shembull të procedurave të përdorura nga SH.B.A., BE, apo vende të tjera?

 

Vende të ndryshme i aplikojnë kufizimet në përmbajtje në mënyra të ndryshme.  Për shembull, Gjermania ka miratuar një ligj – Për Funksionimin e Rrjeteve (NetzDG) – që i detyron kompanitë që të kufizojnë aksesin në përmbajtje të paligjshme në territorin e vendit brenda 24 orëve nga raportimi i shkeljes.  Vende të tjera, duke përfshirë edhe qeveri më pak demokratike si Turqia, kanë miratuar ligje të ngjashme gjatë viteve të fundit. Në Shtetet e Bashkuara, qeveria ka më pak liri veprimi në marrjen e masave për të kufizuar aksesin në informacion, por një ligj i miratuar në vitin 2018 i quajtur SESTA-FOSTA ka ndikuar në kufizimin e informacionit që përdoruesit mund të hedhin në internet.  Ligji ka për qëllim që të ndalojë aktivitetin e trafikimit seksual në internet, por kjo ka detyruar kompani të ndryshme që të kufizojnë gjithnjë e më shumë publikimin e materialeve me përmbajtje seksuale dhe lakuriqësi, nga frika e shkeljes së ligjit. Në vende të tjera, veçanërisht në shtete më autoritare, ekziston prirja që t’i kërkohet kompanive që të heqin materiale nga faqet e internetit, ose të kufizojnë aksesin në përmbajtje online në nivel lokal.  Në disa vende kjo arrihet me vendim gjykate ose me urdhër të organeve të rendit, por në shtete të tjera kompanitë e internetit i nënshtrohen presioneve të ndryshme për t’i detyruar që të marrin masa, dhe nganjëherë ato kërcënohen edhe me bllokimin e faqeve të tyre në zona të caktuara, nëse nuk bien dakord me kërkesën e autoriteteve.

 

  • A mund të na thoni diçka në lidhje me moderimin bashkëkohor të përmbajtjes, kur bëhet fjalë për gjuhën e urrejtjes, ekstremizmin, sulmet dhe ngacmimet personale, ose dezinformimin? Ku është kufiri midis moderimit dhe censurës?

 

Dallimi midis moderimit dhe censurës po zbehet gjithnjë e më shumë.  Ndonëse kompanitë amerikane kanë të drejtë, sipas amendamentit të parë të kushtetutës të SH.B.A.-së, që të vendosin kufizime mbi lloje të ndryshme të shprehjes si ta gjykojnë të arsyeshme, gjatë viteve të fundit ato kanë kaluar nga promovimi i lirisë së shprehjes në vendosjen e kufizimeve gjithnjë e më shumta mbi atë që njerëzit mund të thonë dhe të bëjnë.  Kjo vjen pjesërisht si pasojë e ndryshimit të normave të shprehjes, por janë vendosur edhe një sërë rregullash të tjera si rezultat i presionit nga jashtë, si nga publiku ashtu dhe nga qeveritë. Po kështu, kompanitë amerikane mbrohen nga përgjegjësia ligjore për (pjesën më të madhe) të vendimeve që lidhen me publikimin e informacionit, me një ligj që zakonisht njihet me emrin “Kapitulli 230” ose “CDA 230”.  Siqoqoftë, atyre u kërkohet me ligj që të heqin përmbajtje të paligjshme mediatike, siç janë imazhet e abuzimit seksual të fëmijëve. Në Shtetet e Bashkuara nuk ka një përkufizim ligjor të “gjuhës së urrejtjes.”  Për pasojë, këto kompani e përcaktojnë vetë se çfarë përbën gjuhë urrejtjeje, ndërsa duket se këto vendime merren në varësi të situatave të caktuara, dhe rregullat ndryshojnë shpesh nga njwri-tjetri.  Problemi me moderimin e gjuhës së urrejtjes është se, edhe kur përkufizimet janë të qarta, është jashtëzakonisht e vështirë që të përcaktosh me saktësi shkeljen e normave të shprehjes, ndërsa programet kompjuterike nuk arrijnë dot që të analizojnë nuancat gjuhësore dhe letrare.  Për këto arsye, kufizimet mbi gjuhën e urrejtjes mund të rezultojnë edhe në bllokimin apo heqjen e materialeve që nuk përmbajnë shprehje të urrejtjes – veçanërisht kur bëhet fjalë për satirë, komedi, dhe replika.

 

Situata paraqitet disi më ndryshe kur kemi të bëjmë me ekstremizëm, por edhe në këtë rast hasen probleme.  Në Shtetet e Bashkuara ka ligje që ndalojnë publikimin e materialeve në platforma nga grupe të huaja që konsiderohen nga Departamenti i Shtetit si organizata terroriste.  Sidoqoftë, kur bëhet fjalë për ekstremizmin e brendshëm nuk ekzistojnë kufizime të tilla, kështu që edhe në këtë rast kompanitë e kanë në dorë vetë që të vendosin se cilat janë grupe ekstremiste.  Edhe në këto raste, presioni nga faktorë të jashtëm (nganjëherë edhe të brendshëm) mund të rezultojë në marrjen e vendime që varen nga situata e momentit.

 

  • Sipas mendimit tuaj, cilat procedura transparence mund të funksionojnë më mirë kur bëhet fjalë për moderimin e përmbajtjes?

 

Ka një sërë hapash që duhet të ndërmerren nga kompanitë private, por që janë lënë në harresë.  Së pari, ato duhet të botojnë informacione mbi numrin dhe përqindjen e gabimeve në moderimin e përmbajtjes, që përdoruesit të dinë se sa gabime bëhen në kategori të ndryshme të platformës.  Gjithashtu, ato duhet t’u japin përdoruesve informacion të hollësishëm rreth rregullave që kanë shkelur dhe cilat janë pasojat – si dhe procedurën e rishikimit të vendimit kur mendohet se mund të jetë bërë ndonjë gabim.

 

Po kështu, kompanive po u kërkohet gjithnjë e më shumë që të jenë transparente në lidhje me informacione të tilla, si numri i moderatorëve që punojnë për një materiale nga një gjuhë, vend ose rajon i caktuar.

 

Të gjitha këto elemente janë të rëndësishme, dhe mendoj se kompanitë duhet të dedikojnë më shumë fonde dhe punë për t’i realizuar këto hapa.

 

  • Çfarë masash po ndërmerren aktualisht për të rregulluar funksionimin e platformave të mëdha ndërkombëtare?

 

Ka një sërë iniciativash në disa shtete nëpër botë për të rregulluar funksionimin e platformave në internet, madje shumë prej tyre janë mjaft shqetësuese (si ligjet e reja në Turqi dhe Indi), por dua të ndalem mbi dy iniciativa kryesore.

 

E para është në Shtetet e Bashkuara, ku janë hartuar disa projektligje në lidhje me reduktimin e nivelit të mbrojtjes nga përgjegjësia ligjore që sigurohet nga Kapitulli 230.  Këto iniciativa ligjore ndryshojnë disi nga njëra-tjetra, por të gjitha synojnë që t’i detyrojnë kompanitë që të mbajnë përgjegjësi ligjore për përmbajtjen e postuar nga përdoruesit e tyre.  Disa nga këto përpjekje mbështeten nga Facebook, dhe kjo është diçka shqetësuese, pasi një kompani si Facebook ka burime të mjaftueshme për të përmbushur të gjitha kërkesat ligjore mbi moderimin, ndërsa kompani më të vogla nuk ia arrijnë dot kësaj.  Kjo do të ketë një ndikim negativ mbi konkurrencën e lirë, duke u lënë përdoruesve më pak zgjedhje se ku të publikojnë në internet.

 

Iniciativa e dytë ligjore që dua të përmend këtu po ndërmerret nga Bashkimi Evropian.  Së pari, Ligji mbi Shërbimet Digjitale: ky ligj ka disa komponente, por mua më pëlqejnë më shumë ato që duan t’i detyrojnë kompanitë që të jenë më të përgjegjshme, përmes aplikimit të normave të transparencës dhe ankimimit të vendimeve që përmenda më lart.  Nga ana tjetër, është shumë shqetësuese Paketa Anti-terrorizëm që duhet t’i nënshtrohet votimit javën e ardhshme.  Ky akt ligjor i detyron kompanitë që të marrin masa brenda një ore për denoncimin apo raportimin e terrorizmit në platformat e tyre.  Unë besoj se një afat kaq i shkurtër kohor do të ketë një efekt negativ mbi lirinë e shprehjes, duke përfshirë këtu replikën, përpjekjet për të dokumentuar shkeljet e të drejtave të njeriut, si dhe shprehjen artistike, duke përfshirë edhe satirën.