Si mund të ndihmojë media në edukimin mediatik: Përvoja e The Guardian

Si mund të ndihmojë media në edukimin mediatik: Përvoja e The Guardian

465
0

 

Media News concept

Intervistë me Kelly Walls, drejtoreshë ekzekutive dhe Margaret Holborn, shefe e sektorit të arsimit të mesëm dhe të lartë, The Guardian Foundation

 

Mund të na thoni shkurtimisht cili është misioni dhe puna e Fondacionit Guardian, si dhe komponentët e programeve të edukimit mbi median të fondacionit tuaj?

 

Fondacioni Guardian është një organizatë e pavarur bamirësie që mbështet mediat e kërcënuara nga faktorë të ndryshëm, promovon diversitetin në media, dhe ndihmon fëmijët dhe të rinjtë që të angazhohen në raportimin e lajmit.  Gjatë punës sonë me një gamë të gjerë individësh, komunitetesh e organizatash, kemi hartuar programe mësimore dhe trajnimi për të bërë të mundur realizimin e ndryshimeve pozitive në një sërë fushash.

 

Kemi dy programe për edukimin mbi lajmin dhe informacionin; Qendra Arsimore Guardian (The Guardian Education Centre) – që harton dhe zhvillon seminare sa më interesante dhe tërheqëse mbi lajmet dhe median në shkolla, universitete, për mësues dhe prindër, si dhe projekti NewsWise (MediaZgjuar) për prezantimin e fëmijëve të moshës 7-11 vjeç me lajmin – projekt që ka fituar disa çmime në këtë fushë.  Të dy programet synojnë t’u japin të rinjve aftësi dhe njohuri për të analizuar në mënyrë kritike lajmet që marrin, për të mos rënë pre e dezinformimit.  Këto programe i mësojnë fëmijët dhe të rinjtë edhe si të raportojnë mbi situata të ndryshme, dhe të shprehin opinionin e tyre mbi çështje të komunitetit.

 

Ju lutem, a mund të përshkruani si u hartua dhe zhvillua programi i punës për edukimin mbi median në Qendrën Arsimore? 

 

Qendra Arsimore u krijua si pjesë e Qendrës së Arkivit dhe Vizitorëve të Guardian (Redaksia) në maj 2002.  Për disa muaj me radhë para hapjes së qendrës u këshilluam gjerësisht me mësues, arsimtarë dhe gazetarë për t’u siguruar që programi arsimor të ishte unik, autentik dhe tërheqës për pjesëmarrësit .  Fillimisht u zhvilluan dy seminare provë, ku studentët punuan së bashku për realizimin e faqeve të para të gazetave në kohë reale, dhe brenda dy muajve pati aq shumë kërkesa për seminare trajnimi saqë qendra u rezervua plotësisht për të gjithë pjesën e mbetur nga ai vit akademik.

 

Me kalimin e viteve, programi mësimor i seminareve tona, që përdoret gjerësisht edhe nga institucione të tjera, u pasurua më tej duke përfshirë montazhin e pamjeve filmike dhe hartimin e programeve kompjuterike, për të pasqyruar zhvillimet e reja në gazetari.  Në vitin 2009, u zhvendosëm në ambiente të ngritura posaçërisht për trajnime dhe seminare brenda zyrave të reja të Guardian, në Kings Cross, Londër.  Kjo i ka dhënë më shumë mundësi të rinjve që të krijojnë një tabllo më të qartë mbi funksionimin e një organi mediatik.  Në vitin 2016, organizuam programe informimi në Londër dhe Lancashire për fëmijët e shkollave fillore, dhe ky projekt provë bëri të mundur krijimin e NewsWise së bashku me partnerët tanë, Organizata Kombëtare e Arsimimit (National Literacy Trust) dhe Shoqata PSHE.  Në prag të 200 vjetorit të gazetës Guardian (5 maj 2021), kemi zhvilluar një sërë seminaresh mbi historikun e lajmit dhe rolin e arkivistëve, dhe kjo mundësoi ngritjen e projektit aktual të financuar nga Llotaria Kombëtare (Heritage Lottery Funded project).  Programet tona përpunohen dhe zhvillohen rregullisht, dhe në kuadër të pandemisë Covid-19 kemi organizuar kurse e takime virtuale, si dhe seminare në internet (webinars) për trajnimin e mësuesve, për të përdorur programet dhe materialet tona për mësimin në distancë.

 

Si punoni me shkollat dhe mësuesit?

 

Marrëdhëniet e mira me shkollat dhe mësuesit kanë rëndësi themelore për punën tonë, dhe është mënyra kryesore për të qenë në kontakt dhe për të angazhuar një numër sa më të madh fëmijësh.  Ne i japim përparësi punës me një gamë të larmishme shkollash në komunitete të varfra dhe problematike, ku ka një numër më të madh nxënësit që përfitojnë ushqim falas në mensat e shkollës (një tregues i varfërisë dhe privimit), në shkolla ku anglishtja mësohet si gjuhë e dytë për një numër më të madh nxënësish, si dhe në zona dhe komunitete të nuk përfaqësohen mjaftueshëm në media.  Shumë prej këtyre shkollave sjellin klasa për të vizituar Qendrën Arsimore, duke marrë pjesë në një sërë seminaresh mbi edukimin mbi lajmet dhe median brenda ndërtesës së gazetës Guardian.  Po kështu, ekipi ynë NewsWise viziton shkolla të ndryshme dhe zhvillon takime në ambjentet e tyre.  Në të dyja rastet, fëmijëve dhe të rinjve shpesh u jepet mundësia që të takojnë gazetarë profesionistë.

 

Për mësuesit, ne ofrojmë seminare dhe konferenca trajnimi mbi lajmet dhe median, si dhe programe mësimore në internet të krijura nga Qendra Arsimore dhe NewsWise.  Konsultimi me mësuesit luan një rol kryesor në hartimin dhe organizimin e seminareve tona.  I gjithë programi i aktiviteteve tona hartohet në bashkëpunim me mësues dhe vlerësohet prej tyre, duke përfshirë edhe një rrjet mësuesish të dedikuar.

 

Keni të dhëna mbi ndikimin e programeve tuaja të edukimit mbi median?

 

145,000 studentë, mësues dhe të rritur kanë marrë pjesë në programet e Qendrës Arsimore që nga hapja e saj në vitin 2002.  Mësuesit kanë bërë komente të shumta në lidhje me efektin shumë pozitiv që kanë patur këto seminare mbi nxënien dhe thithjen e njohurive të reja nga studentët, angazhimin e tyre me lajmet, aftësitë për analizë kritike, dhe aspiratat për karrierë.  Mësuesit vazhdojnë të punojnë dhe bashkëbisedojnë me nxënësit e tyre rreth këtyre temave edhe pas përfundimit të seminareve.  Ne kemi patur një shtrirje të gjerë gjeografike në shkolla anembanë Mbretërisë së Bashkuar.  Një numër i madh të rinjsh që kanë marrë pjesë në seminaret tona punojnë në gazetari dhe media.

 

Pas përfundimit të programit NewsWise në 2019/20, u zhvilluan testime me më shumë se 3,700 nxënës nga 75 shkolla:

  • Dy herë më shumë nxënës ishin në gjendje të vlerësonin nëse një lajm ishte i rremë.
  • Nxënësit ishin dy herë më shumë të interesuar mbi lajmet.
  • Dy herë më shumë nxënës thanë se kontrollojnë paraprakisht nëse lajmet vijnë nga një burim i besueshëm.
  • 100% e mësuesve thanë se nxënësit kishin më shumë njohuri mbi aspekte të ndryshme të lajmit, si ndryshimi midis faktit dhe opinionit.