Mashtrimi gjigand i “Kurum”, si i mori 210 milion euro nga 5...

Mashtrimi gjigand i “Kurum”, si i mori 210 milion euro nga 5 bankat shqiptare me bilance fiktive

37
0

Mashtrimi gjigand bërë 33 bankave në Turqi, Shqipëri dhe Angli nga kompania e njohur e sektorit të prodhimit të hekurit në vend “Kürüm” ka mbërritur në gjykatë.Mediat turke, shkruajnë sot se bëhet fjalë për skandalin më të madh bankar të dhjetë viteve të fundit në Turqi.E përditshmja turke “Sabah” shkruan se skandali i kompanisë turke “Kürüm Demir”, që në Shqipëri operon përmes kompanisë “Kürüm International SHA” është i mirëorganizuar. Gazeta shkruan se kohët e fundit kompania në fjalë është paditur në gjykatë nga 14 banka turke për mashtrim. Kjo kompani ka marrë rreth 191 milion euro kredi përmes bilanceve fiktive, në një kohë që ishte duke falimentuar.

Të njëjtën skemë mashtrimi sipas “Sabah”, kompania turke e ka ndjekur edhe në Shqipëri përmes “Kürüm International SHA” ku ka marrë 210.3 milion euro kredi nga 5 bankat shqiptare, edhe pse me bilance negative.

Kompania “Kürüm Demir” i përket biznesmenit të njohur Haşmet Bedii Kürüm. “Kürüm Demir” ishte një ndër kompanitë më të mëdha të prodhimit të hekurit në Turqi deri në vitin 2013. Gjithçka ndryshoi pas vitit 2013, kur kompanive iu duhej që ta nxirrnin hekurin përmes përpunimit të pasurive nëntokësore dhe jo përmes mbledhjes së skrapit. Kjo rriti kostot nga njëra anë duke ulur fitimin e kompanive, ndërkohë që nevojiteshin investime të mëdha për të qenë konkurrent në treg.

 

Siç raporton “Sabah”, ky ishte momenti kur kompania filloi të përballej me humbje, por drejtuesit e saj përdorën bilance fiktive për ta treguar kompaninë me fitime. Përmes këtyre bilanceve dhe përdorimit të kompanive fantazmë për të treguar në mënyrë të rreme se kishte porosi të shumta, “Kürüm Demir” mashtroi bankat duke vijuar të merrte kredi edhe pse ishte në prag të falimentimit.

 

Më pas kompania aplikoi tek autoritetet e taksave dhe tatimeve për të shtyrë falimentin, ndërsa shiti pronat e saj tek kompanitë e tjera të hapura nën emrin e të afërmve të Haşmet Bedii Kürüm. Synimi ishte që kur kompania të falimentonte, pronat të ruheshin dhe bankat të mos kishin se çfarë të sekuestronin. Gazeta turke “Sabah” shkruan se kompania mëmë “Kürüm” ia faturonte një pjesë të humbjeve të sa atje, filialit në Shqipëri “Kürüm International SHA”.

 

Për të mbuluar këto humbje, “Kürüm International SHA” në Shqipëri aplikoi përmes bilanceve fiktive për kredi tek pesë banka shqiptare duke marrë prej tyre diçka më shumë se 210 milion euro kredi prej tyre.  Drejtuesit e kompanisë akuzohen nga autoritetet turke për vepra të rënda penale si mashtrimi dhe pastrimi i parave.