Manastirliu: Protokollet e trajtimit të qytetarëve me Covid do ndryshojnë. Si do...

Manastirliu: Protokollet e trajtimit të qytetarëve me Covid do ndryshojnë. Si do asistohen pacientët që kurohen në shtëpi

431
0

Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Rama, ku u njoftuan masat e reja mbrojtëse ndaj Covid 19, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu foli edhe për rishikimin e protokollit të trajtimit të pacientëve me Covid 19.

“Prej momentit të parë të pandemisë ka pasur rishikime të protokolleve, për faktin që këto protokolle qoftë nga pikëpamja e unifikimit të tyre janë objekt i rishikimit edhe në rastin tonë. Ne i shohim dhe rinovojmë në mënyrë ciklike. Komiteti i ekspertëve aktualisht sa i përket trajtimit të qytetarëve me simptoma të lehta është duke zhvilluar protokollin me stade. Aty do ketë disa ndryshime edhe në bazë të protokolleve europiane. Do kemi ndryshim të tyre, nuk ka targetim apo trajtim të Covid por trajtim të simptomave të Covid. Parimi në mjekësi është mos dëmto, rishikimi i tyre do sjellë një rishikim të situatës në raport me barnat që do përdoren apo elementëve që do vlerësohen”,- tha Manastirliu.

 

Ministrja foli më tej edhe për një ekip mbështetës që do të asistojë pacientët me Covid 19 që trajtohen në banesa.

 

 

“Ne jemi duke u përgatitur që të kemi ekipe të mbështjes në banesë për rastet që trajtohen në mënyrë ambulatore. Ekipet do jenë të pajisur me mjete përkatëse, materiale dhe barna për trajtimin në banesë të rasteve që kanë nevojë. Kapacitetet e Urgjencës Kombëtare për të trajtuar rastet në banesë po finalizohen”,- tha ajo.

 

Ndërkohë që kryeministri Rama i ftoi gazetarët të mbështesin qeverinë në përhapjen e informacioneve për masat e reja të covid.

 

“Na jepni ndihmën tuaj që të përcjellim mesazhin që nga dita e enjte maskat të bëhen të detyrueshme për të gjithë në çdo moment jashtë shtëpisë, në rrugë, në park. Policia e Shtetit në bashkëpunim me policinë bashkiake do jetë në terren për të parë zbatueshmërinë e ligjeve dhe urdhrave të qeverisë”,- tha Rama.