Manastirliu Me Mësuesit Në Britani: Ju Jeni Ambasadorët Më Të Mirë Të...

Manastirliu Me Mësuesit Në Britani: Ju Jeni Ambasadorët Më Të Mirë Të Shqipërisë

424
0

Nga Anila Kadija

 

Ministria e Arsimit dhe Sportit, znj. Ogerta Manastirliu e cila ndodhet për një vizitë pune në Britaninë e Madhe ditën e sotme u takua me mësues e përfaqësues të Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë. Gjatë këtij takimi ajo theksoi rëndësinë e madhe që ka mbrojtja e gjuhës shqipe dhe përhapja e kulturës ndër breza në mërgatë. “Është nder dhe privilegj që ndodhem midis një pjese të  kontribuuesve në përcjelljen e gjuhës dhe kulturës shqipe” – tha ministrja, duke e falenderuar në veçanti z.Lutfi Vata për bashkimin e mësuesve në krijimin e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar. Me këtë rast ju akordua një vlerësim mirënjohje me simbolin e selisë ministeriale, në kristal, nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, z. Lutfi Vata dhe znj. Anila Kadija për kontributin e tyre në mbrojtjen e kulturës, traditës dhe gjuhës shqipe në mërgatë.

Në fjalën e hapjes, Kryetari i Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë z.Lutfi Vata bëri një përmbledhje të shkurtër të eksperiencës së mësimdhënies së gjuhës shqipe që në fillesat e shkollave shqipe “Ardhmëria” e deri në ditët e sotme, duke përmendur dhe vlerësuar edhe kontributin e madh të shoqatave të tjera. Ndërsa ministrja Manastirliu jo vetëm nënvizoi punën kolosale të mësuesve kudo në diasporë por edhe vuri në dukje ndryshimin, këto vitet e fundit, të politikave bashkëpunuese mërgatë – shtet amë. Lidhjet dhe ndihmën konkrete e cila lëviz me projekte në mbështetje të mësimdhënies në diasporë, paketat e librave nga QBD-ja të cilat shpërndahen falas, librat që përpunohen dhe vazhdohen të botohen pas Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare 1 është në proces edhe vazhdimi i tekstit me Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare 2, trainimet në vazhdim për mësuesit e diasporës, vazhdimi i regjistrimit të mësuesve në regjistrin shtetëror apo lidhjet e Universitetit Shtetëror Shqiptar me universitetet e tjera nëpër botë dhe firmosja e kontratave midis tyre. Duke vazhduar me shumë e shumë plane të tjera  me perspektivë pozitive për brezin e ri.

I pranishëm në këtë takim edhe deputetit z. Lavdrim Krashi. Ai me eksperiencën e tij në Londër dhe bashkëpunimin e pa ndërprerë me shoqatën “Ardhmëria”, si kryetar bordi, për mbarëvajtjen e shkollave shqipe vazhdon të jetë një lidhje e fortë dhe konkrete e një përfaqësuesi shteti me komunitetin. Nga të pranishmit, anëtarë të lidhjes dhe bashkëpunëtorë, e morën fjalën me ide dhe sugjerime interesante siç ishte ajo për bashkëpunim dhe shpërndarje përvoje nga akademikët e mërgatës në Shqipëri dhe Kosovë ide e propozuar nga prof. Shyqyri Xhaxha. Apo mendime dhe eksperincë nga Ardjana Gjoni, Rozana Hyka, Dhurata Hoti, Feim Kabashi, Vildana Dibra Zhubi, Marsela Koçi, Anila Kadija, Lindita Bazina, Najada Fani, Mira Sakura Brazhda, Euord Pajo, Altin Sula, Migena Goga, Majlinda Xhaferri, Marsela Kalaja Hoxha, Skënder Përpepaj, Feim Kabashi, Egla Legisi dhe Endri Gjoni. U përgëzua në mënyrë të veçantë, nga znj. Ogerta dhe këshilltarja e saj Etiola Kola  biznesmeni Xhevat Lita i cili i ka dhuruar ambientet e bukura të zyrave ku u krijua Lidhja e Mësuesve Shqiptarë dhe ku punon vullnetarisht tashmë  stafi i shoqatës “Ardhmëria”. Tri vajza të bukura dhe plot emocione, nxënëse në njërën nga shkollat “Ardhmëria”, përshëndetën me poezi dhe shqipen e pastër që u trashëgohet atyre nga prindërit dhe u mësohet aq bukur nga misionerët mësues të Lidhjes.

Gjithmonë me krahët hapur për bashkëpunim Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në MB.