LISTA/ Gafa e SHISH-it, zbulon agjentët e atashuar nëpër ambasada

LISTA/ Gafa e SHISH-it, zbulon agjentët e atashuar nëpër ambasada

525
0

Një pakujdesi e Shërbimit Informativ Shtetëror ka zbuluar vendet ku vendi ynë ka “spiunë”.  Gazeta “Shqip” ka siguruar këtë listë, ku detajohen vendet dhe numri i personave që shërben në disa përfaqësi diplomatike.

Normalisht, lista të tilla duhet të mbahen sekret, pasi “armiku” mund tu çjerrë maskën. Gjithsesi, të dhënat e siguruara nga “Shqip” ndodhen të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik.

Sipas dokumenteve, SHISH ka hapur një tender për “për blerje sigurimi shëndetësor”. Fondi limit është 2 milion lekë të reja dhe kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin është 12 muaj. Subjektet e interesuara kanë kohë deri më 31 gusht të paraqesin ofertë.

Në dokumentet që shoqërojnë këtë prokurim ndodhet edhe numri i personelit të Shërbimit Informativ të Shtetit në përfaqësitë diplomatike. Në Kosovë është një koordinator, ndërsa ai shoqërohet nga 3 pjesëtarë të familjes.

Në Belgjikë janë dy koordinator, ku njëri ka dy pjesëtarë në familje dhe tjetri një. Një tjetër punonjës i SHISH është në Serbi, i cili ka në përbërje familjare një person. SHISH ka nga një punonjës edhe në Itali e Greqi. Këta nuk kanë familjare me vete. Ndërkohë, në Maqedoni, është një tjetër punonjës, i cili ka katër pjesëtarë në familje.

Gjithsej, Shërbimi ka 7 koordinatorë, të cilët, në total, kanë 11 pjesëtarë familje. SHISH ka kërkuar që 18 personat në fjalë tu sigurohet shëndeti.

Në dokumentet e siguruara nga “Shqip” janë edhe grupmoshat. Kështu, nga 18 personat që ndodhen në këto seli diplomatike, 6 persona janë të moshës nga 1-18 vjeç. Dy janë të grupmoshës nga nga 19-39, 9 janë të grupmoshës 40-49 vjeç dhe një punonjës është i grupmoshës nga 50-65 vjeç.

Në dokumentet e tenderit janë edhe kushtet e përgjithshme çfarë përfitojnë nga shërbimi shëndetësor këta punonjës.

Kështu, maksimumi vjetor është 100 mijë euro, ku sigurohet dhomë dyshe, shpenzime mjekësore, kirurgjikale, anestezistët, kujdes intensiv, ilaçet e këshilluara nga mjeku si dhe shpenzimet për materialet dhe qiraja e dhomës së operimit.

Ndërkohë, trajtimi mjekësor ambulator, pa shtrim, mbulohet në masën 4 mijë euro, ku përfshihen shpenzime për mjekim të përgjithshëm, për mjekun specialist, kujdesi parandalues, fizioterapi e kontrolluar nga mjeku, kontrolle me rreze, skaner, etj, kirurgjia ditore dhe ilaçet e këshilluara nga mjeku me maksimum 1 mijë euro.

Punonjësit e SHISH përfitojnë gjithashtu terapi mbështetëse, akuupuntkturë, homopatie, osterapi, kiroprakti, maksimumi 350 euro. Shpenzime për ndjekje shtatzënie dhe lindjeje, përfshirë lindjen me operacion 80 %, maksimumi 2000 euro.

Komplikimet e shtatzënisë dhe lindjes 100%. Ndërkohë, kujdesi për shikimin, një palë xhama, ose lente në vit, mbulohen deri në 350 euro.

Me këtë sigurim mbulohet edhe trajtimi dentar, kujdesi parandalues deri në 300 euro, trajtimi i rëndë dentar deri në 1000 euro. Ndërkohë, sigurimi i shëndetit në udhëtim jashtë zonës së mbulimit, për një udhëtim me kohëzgjatje deri në 30 ditë me përjashtim SHBA, Kanada, Japoni, Zvicër, dhe Hon Kong, mbulohet trajtimi urgjent deri në 10 mijë euro në vit. Evakuimi mjekësor/riatdhesimi urgjent deri në 15 mijë euro në vit.

Gazeta “Shqip”

Shish