“Letra për Ramizin”, Elona Agolli: Tani që Dritëroi s’është në jetë, thurin...

“Letra për Ramizin”, Elona Agolli: Tani që Dritëroi s’është në jetë, thurin thashetheme

459
0

Elona Agolli, e bija e Dritëroit, ka reaguar për disa shkrime botuar prej librit të ri të Dashnor Kaloçit “Shkrimtarët e artistët nën diktatin komunist dhe intrigat e njëri-tjetrit”.

Shkak për reagimin është bërë artikulli me titull “Letra për Ramizin: “Dritëroi është dakord që Faik Ballanca të mos shkojë në Egjypt”, ku thuhet se zbulohet dokumenti arkivor i vitit 1973 për shkrimtarin e njohur Faik Ballanca, nga ku filloi më pas goditja e tij, gjë e cila e çoi në veprimin fatal të vetëvrasjes pak vjet më vonë.

Dokumenti, është një raport-informacion që mban datën 16 prill të vitit 1973, ku Hamit Beqja, asokohe instruktor në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së për problemet e Arsimit, Artit e Kulturës, i bën me dije eprorit të tij, Ramiz Alisë, lidhur me problemin që kishte dalë për shkrimtarin e ri, Faik Ballanca, të cilit i ishte komunikuar vajtja në Egjipt me një delegacion ku bënte pjesë edhe kolegu i tij, shkrimtari dhe dramaturgu i njohur Ruzhdi Pulaha.

“Shoku Ramiz,

Disa kohë më parë, në bazë të konventës kulturale është aprovuar që të venë në Egjypt shkrimtarët Ruzhdi Pulaha dhe Faik Ballanca, të cilëve u është komunikuar kjo.

Kohët e fundit ndonjë shok nga Lidhja (këtu edhe Dritëroi), ka ngritur çështjen që Faik Ballanca, gjer tani redaktor në revistën ‘Nëntori’, është mirë që të mos vejë, pasi ka patur disa kritika për të. Organizata bazë e partisë nuk e ka vënë në listën e atyre që largohen, pse kanë bërë gabime dhe lëshime (megjithëse edhe ky ka pasur ndonjë të tillë), por ka menduar të transferohet në ndonjë punë më afër bazës duke qenë se është edhe i ri.

Shokët drejtues të Lidhjes, duke u nisur nga ajo që gabimet e tija nuk kanë qenë të asaj shkalle sa të largohet nga Lidhja për ta, si dhe nga fakti se i është komunikuar që do të vente, mendojnë që të mos anullohet vendimi për ta dërguar”, thuhet në letër.

Për sa më sipër, e bija e shkrimtarit Dritëro Agolli ka reaguar si më poshtë, në adresën e saj në Facebook.

REAGIMI I ELONA AGOLLIT

Mendim për një titull e një shkrim

Medemek do rindërtojnë historinë “pa ndryshime dhe pa shkurtime”, duke harruar që siç thotë Dritëroi “me shufra të kalbura, nuk thuret gardhi”.

Marrin përsipër barrë të madhe dhe që në titull manipulojnë.

“Letra për Ramizin” dhe shigjeta grafikisht shënjon “Dritëroi, dakord që Ballanca të mos shkojë në Egjypt”.

Lexon shkrimin jo pa durim dhe sheh një letër të Hamit Beqjes drejtuar Ramiz Alisë, letër e cila citon emrin e Dritëroit, i cili asokohe nuk ishte as Kryetar i Lidhjes.

“Kohët e fundit ndonjë shok nga Lidhja (këtu edhe Dritëroi) ka ngritur çështjen që Faik Ballanca, gjer tani redaktor në revistën ‘Nëntori’, është mirë të mos vejë, pasi ka patur kritika për të” (Hamit Beqja).

Vërtetësia e faktit nuk është duke përdorur citate të të tjerëve për mendimet personale të atij që citohet. Dhe, aq më tepër tanimë që Dritëroi nuk është në jetë, është mjaft kollaj të ndërtohen histori me thashetheme. Por siç thotë i adhurueshmi babai im: “Dikush ka thënë se gazetat janë hekurudha të gënjeshtrës. Po unë mendoj se sot mund t’i quajmë edhe autostrada të shpifjes”.

Por do vijë momenti që do të dëgjohet e lexohet mendimi i të pakrahasueshmit Dritëro përmes dorëshkrimeve dhe dosjeve që vetë Dritëroi i ka lënë përkohësisht të mbyllura, për t’u çelur atë ditë e atë moment që do ta gjykojmë të duhur.

Po bashkëngjis disa aforizma e thënie që shumë shpejt do shohin dritën e botimit, e në fakt këto do të quheshin përgjigjja më e mirë e vetë Dritëroit:

* Unë nuk kam frikë as nga e djeshmja, as nga e nesërmja. Kjo është për mua kryesorja. Kurse të sotmen e kam në dorë vetë, për frikën dhe për guximin.

* Nuk ndërtohet rrota e historisë me masën e rrotës së veturës tënde.

* Të vërtetës dhe gënjeshtrës nuk i gjendet kufiri ndarës, ashtu si zjarrit dhe tymit.

* E vërteta noton kundër rrjedhës së përroit të gënjeshtrave.

* Gënjeshtra është një e vërtetë e kthyer kokëposhtë.

* Nuk fshihet bualli në rërë.

* I qep kopsat me pe të kalbur.

* Gënjeshtra këmbët i ka të shkurtra, por thonjtë i ka të gjatë.

* Gënjeshtrën e ledhatojnë, të vërtetën e gërvishtin.