Largimi i gazetarit Blushi, reagon Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Largimi i gazetarit Blushi, reagon Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

505
0

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar lidhur me rastin më të fundit të largimit të gazetarit Tedi Blushi nga posti i Drejtorit të portalit Balkanëeb pa u shoqëruar me motivacionin përkatës në çastin e komunikimit. Sipas unionit, kjo tregon edhe një herë, se sistemi anarkik i marrëdhënieve të punës në skenën aktuale mediatike shqiptare, ka degraduar plotësisht. “Ky rast dhe shumë të tjerë të raportuar herë pas herë nga organizata jonë, kanë lidhje me realitetin tronditës të mediave të vendit. Largimi nga detyra i një k/redaktori/e nga një media e rëndësishme, pa asnjë lloj sqarimi/ njoftimi publik, është praktikë e rëndomtë në mediat shqiptare. Por pretendimi i kolegut Tedi Blushi për sjelljen e administratorit ndaj tij, flet edhe për kërcënimin e integritetit fizk të gazetarit në vendin e punës, aq më tepër që në rastin e kolegut Blushi bëhet fjalë për rol drejtuesi në strukturën redaktoriale. UGSh i kërkon administratorit dhe drejtuesve vendimmarrës të medias në fjalë, të respektojë bazën ligjore të marrëdhënies së punës në raport me gazetarin, i cili përfaqëson profesionistin në komunitetin tonë. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e denoncon rastin në fjalë dhe shpeh solidaritetin me kolegun Tedi Blushi duke i kërkuar administratorit të medias të shprehet për arsyen reale të largimit të kryeredaktorit nga detyra. UGSH i bashkohet deklaratës së kolegut në të cilën denoncohet censura që pronarë dhe administratorë të medias ushtrojnë mbi gazetarët. UGSH bën me dije se në këtë fundjavë përmes një konference shtypi, do të bëjë të njohura të dhënat e një raporti për marrëdhëniet e punës, pagat e gazetarëve dhe konfliktet mes gazetarëve dhe punëdhënësve mediatikë në vend si dhe për injorimin e institucioneve ligjore ndaj këtij realiteti”-përfundon deklarata e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë.