KVV: Ecuria e procesit të Reformës Zgjedhore, aspak premtuese pa dakordësimin e...

KVV: Ecuria e procesit të Reformës Zgjedhore, aspak premtuese pa dakordësimin e vullnetit më të lartë politik mbi çështjet thelbësore

648
0

Koalicioni I Vëzhguesve Vendorë, në një deklaratë për mediat bën të ditur se ecuria e procesit të Reformës Zgjedhore, aspak premtuese pa dakordësimin e vullnetit më të lartë politik mbi çështjet thelbësore. Sipas këtij koalicioni, arritjet e deritanishme që kanë shënuar proceset zgjedhore, por edhe të gjitha problematikat e deritanishme që i kanë shoqëruar ato janë meritë, por edhe përgjegjësi e drejtëpërdrejtë e dy forcave kryesore politike, Partisë Socialiste (PS) dhe Partisë Demokratike (PD).

Deklarata e plotë

Reforma Zgjedhore është procesi më i rëndësishëm reformues në përcaktimin e një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm i cili përbën gurin e themelit të sistemit demokratik. Si i tillë ky proces reformues duhet të sigurojë transparencë maksimale dhe zbatimin më të mirë të kuadrit ligjor e veçanërisht të legjislacionit mbi konsultimin publik, të gjithëpërfshirjes së aktorëve të interesuar si dhe të trajtimit e shqyrtimit me seriozitet të propozimeve dhe rekomandimeve të tyre. Nga ana tjetër, për nga ndjeshmëria dhe implikimet që sjell, ky proces kërkon maturi vullnetesh politikë, projektime afatgjata dhe ekspertiza nga më të lartat. Por ky model përkon të jetë ende i largët në përvojën shqiptare, përfshirë këtu edhe procesin aktual të Reformës i cili duket se po manifeston një sjellje pjesërisht institucionale dhe një sjellje politike në asimetri me zotimet. I mandatuar gati 7 muaj më parë nga Kuvendi i Shqipërisë, Komisioni ka zhvilluar vetëm 6 mbledhje, ku mbledhja e fundit e organizuar në formën e një ëorkshop-i më datë 20 prill 2018 ishte manifestim i gjendjes jo shumë premtuese të këtij procesi reformues. Një proces i ngadaltë, me transparencë të munguar, me një plan pune të miratuar me vonesë, pa një Rregullore të Posaçme pune për vetë Komisionin dhe Grupin e Ekspertëve (i cili ishte një ndër propozimet kryesore të KVV-së dhe për të cilin nuk u dha asnjë kundërargument (bashkëlidhur kopje e Kërkesës së depozituar)), me mosrespektim të ceremonialitetit institucional dhe procedurave, moskonsensus të anëtarësisë, me mënjanim të aktorëve vendas dhe me një funksionalizim të paqartë të asistencës ndërkombëtare në kontekstin vendas. Në terrenin politik tejet të ngarkuar është për t’u vlerësuar funksionimi i këtij Komisioni me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike parlamentare, e veçanërisht me pjesëmarrjen e opozitës, pavarësisht se ajo ka vendosur të ndjekë një marrëdhënie të kushtëzuar me jetën parlamentare.

 

Pjesëmarrja mazhorancë-opozitë në proceset reformuese zgjedhore është vlerë dhe pasuri e praktikës parlamentare, e komunikimit dhe dialogut politik. Këto vlera duhen shfrytëzuar në tërë dimensionet e tyre duke siguruar bashkëpunimin dhe gjithëpërfshirjen e të gjithë aktoreve të tjerë institucionalë, politikë dhe jo-politikë, karakteristikë e cila nuk është manifestuar asnjëherë më parë. Arritjet e deritanishme që kanë shënuar proceset zgjedhore, por edhe të gjitha problematikat e deritanishme që i kanë shoqëruar ato janë meritë, por edhe përgjegjësi e drejtëpërdrejtë e dy forcave kryesore politike, Partisë Socialiste (PS) dhe Partisë Demokratike (PD). Shumica e përfaqësimit në Komision me deputetë të këtyre dy forcave dhe drejtimi i tij me bashkëkryesim të PS e PD ështe një formulë e pranuar që synon të përbëjë garanci për mosveprime të njëanshme nga asnjëra prej palëve dhe jo frymë për një dakortësi të mbyllur mes tyre. Pikërisht për rëndësinë thelbësore që përmban, procesi i Reformës Zgjedhore duhet të jetë një model shembullor i ligjshmërisë, gjithëpërfshirjes dhe transparencës për çdo proces tjetër politik, ligjor apo ndërinstitucional. Veçanërisht pas rekomandimit të Komisionit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, këto parime e vlera të sistemit demokratik marrin një rëndësi jetike për të ardhmen demokratike të Shqipërisë. I shqetësuar nga ecuria e deritanishme e këtij procesi, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë i bën thirrje liderit politik të mazhorancës Z. Rama dhe liderit të opozitës z. Basha që në frymën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit për interesat madhore të vendit, t’i kushtojnë vëmendjen e duhur këtij procesi dhe të ndërmarrin një vendosje të qartë politike mbi modalitetin dhe objektivat e tij. Prej tyre pritet të përcaktohet nëse procesi do jetë një artikulim i ngushtë bi-partizan në traditën e vendosur, por së paku duke konkluduar në një produkt ligjor, apo do të ndërmerret një proces integral gjithëpërfshirës sikundër janë bërë zotime dhe e meriton procesi. Pa një qartësim të tillë, diskutimi teknik nuk do të arrijë të konkludojë në produkt ligjor dhe do të sjellë ridikulizim të vetë proceseve reformuese në vend. Kjo shprehje e vullnetit politik bëhet akoma më e domosdoshme nëse pretendohet të adresohen ndryshime të çështjeve thelbësore të procesit zgjedhor si: administrimi, teknologjia, sistemi i përfaqësimit, etj, pasi në dritën e rekomandimeve të Kodit të Praktikave të Mira për Çështjet Zgjedhore të Komisionit të Venecias, këto ndryshime ligjore duhet të miratohen brenda muajit qershor 2018, një vit para zgjedhjeve vendore të qershorit 2019. Në këto rrethana, Koalicioni sjell në vëmendje se Komisioni duhet të angazhohet së pari në adresimin e problematikave ngushtësisht të lidhura me procesin e Zgjedhjeve Lokale dhe t’i miratojë ato brenda mandatit aktual të zgjatur nga Kuvendi. Ndërkohë dialogu politik dhe grupi i ekspertëve të vazhdojë adresimin e çështjeve të tjera në raport me Zgjedhjet Parlamentare, të cilat të adresohen institucionalisht pas zgjedhjeve vendore 2019 e të miratohen mundësisht një vit përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare 2021