Kush është 18 vjeçarja përmetare që tërhoqi vëmendjen e dy ambasadorëve: Vij...

Kush është 18 vjeçarja përmetare që tërhoqi vëmendjen e dy ambasadorëve: Vij nga një familje e thjeshtë me prindërit punëtorë, kam vërejtje për BE

495
0

E lindur në 2003, kur Shqipëria kish vite që kish nisur rrugëtimin evropian, sot, 18 vjeçarja Esmeralda Metko nga Përmeti ka impresionuar dy ambasadorë, atë të BE Luigi Soreca dhe Yuri Kim të SHBA, ndërsa rrëmbeu mikrofonin në një aktivitet në Përmet dhe i tha ambasadorit se në të ardhmen donte të bëhej prokurore që ti shërbejë shtetit të së drejtës në vend.

Po kush është përmetarja, sot student në vitin e parë për Drejtësi, me fokus kriminalistikën? Në një rrëfim për newsbomb.al, Esmeralda Metko thotë se vjen nga një familje e thjeshtë.

“Babai punon në ndërtim, ndërsa nëna shtëpiake. Kam edhe një motër të vogël që më mbështet shumë” fillon rrëfimin vajza 18 vjeçare.

Në një vështrim të shpejtë në profilin e saj në rrjetet sociale, shohim postime të Esmeraldës, jo pak ironike edhe me BE.

E pyetur për këtë gjë, ndërkohë që mori vlerësimet e Sorekës, Esmeralda thotë:

“Qëndrimi im ndaj BE është sa pozitiv aq edhe kritik. Shqipëria duhet të bëjë përpjekje të vetedisiplinohet në drejtime të ndryshme te zhvillimit duke krijuar kështu një model unik dhe të njëtrajtshëm në të cilin të gjithë mund të kontribuojnë në përmirësimin e mëtejshëm të vendit. Qëndrimin tim në lidhje me BE nuk ja thashë ambasadorit. Gjithesesi gjithe biseda që realizuam ishte rezultative në dhënien apo ndarjen e informacionit lidhur me progresin e Shqipërisë, të të rinjve, mundësive dhe qasjen e BE nëpër qytetet e Shqipërisë”, thotë si një vajzë me logjikë “të pjekur” 18 vjeçarja që është shumë aktive në jetën social-politike.

Në Përmet, dikur ka qenë në grupin e kërcimit dhe ka marrë pjesë gjerësisht në projekte artistike të qytetit. Sot, është deputete e Parlamentit të Nxënësve, dhe këtë e pohon jo pa krenari.

“Unë jam një vajzë që aktivizohem dhe jam gjithmonë e gatshme të marr pjesë aktive nëpër aktivitete , kam qenë pjese e grupit  te valleve të Përmetit ku kam qene pjesëmarrëse ne koncerte artistike , kulturore te ndryshme . Jam deputete ne parlamentin e nxënësve , e angazhuar nëpër qendra rinore , kam qenë pjesë e trajnimeve të ndryshme te organizuara nga organizata vendase dhe të huaja” thotë Esmeralda.

Ajo ka qenë një votuese për herë të parë në këto zgjedhje. Ditën e zgjedhjeve, madje e angazhuar me televizionin Euronews për exitpoll. A është ajo me PD apo me PS? Si e gjykon një 18 vjeçare, Ramën? Po Bashën? Po zgjedhjet në PD?

Esmeralda heziton të japë një përgjigje të prerë se kush i pëlqen. Madje, si parlamentare e nxënësve, flet për demokratizimin e partive. Për zgjedhjet thotë se ishin të qeta sic I pa dhe ajo vetë, por I vjen keq që ka pasur aq shumë vota të pavlefshme.

“Më pëlqen të jem apartiake edhe pse politika është në interesat e mia. Situata e partive në Shqipëri duhet të përmiresohet e të strukturohet më shumë” thotë për newsbomb.al 18 vjeçarja përmetare Esmeralda Metko.