Kroati “15 mln euro” i Tatimeve Shqiptare, akuza për mashtrim me lingota...

Kroati “15 mln euro” i Tatimeve Shqiptare, akuza për mashtrim me lingota ari e shantazh në emër të kryeministrit

547
0

Ana Marceta, një zyrtare e lartë e administratës tatimore të Kroacisë, mori vlerësime të njëpasnjëshme, kur, nën drejtimin e saj u zbulua një skemë mashtruese miliona-euroshe me fatura fiktive për shit-blerje floriri, në qendër të së cilës qëndronte kompania “Insula Brac”.

Por karriera e saj mori tatëpjetën dhe ajo u shkarkua nga detyra në vitin 2015, sapo zbuloi që “Insula Brac” ishte bashkëpunëtore e ngushtë e “PISMOHRANA”, kompani e drejtuar nga Hrvoje Čabrajić, një mik i ngushtë biznesi me Kresimir Milanovic, vëllain e kryeministrit kroat të asaj kohe, Zoran Milanovic.

Biznesmeni kroat, Čabrajić, së shpejti nuk do të jetë më një emër i panjohur për publikun shqiptar.

Kompania e tij, “Primus Adriatic” është pronare e shoqërisë me seli në Shqipëri, “Jehona Software”, e cila është fituese e tenderit të dyshimtë 15 milionë euro të zhvilluar në Tetor 2018 nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) për “Përmirësimin e e Modulit të Menaxhimin të Kontrollit të Faturimeve”.

Të dhëna të publikuara në media, përfshirë edhe “Boldnews.al”, kanë ngritur dyshime për procedura fiktive në mënyrën se si autoritetet shqiptare kanë shpallur fitues të tenderit 15 milionë euro konsorciumin e drejtuar nga “Jehona” (Primus Adriatic), në një procedurë ku është përfshirë edhe kompania “B360” e Armand Frangut, baxhanaku i kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

Skema e “floririt” në Kroaci

Financierja kroate, Ana Marceta ka treguar në një intervistë të gjatë për gazetën “Jutarni” se si nisi hetimi tatimor në vitin 2013 për tregun e floririt dhe se si, pas rezultateve domethënëse, investigimi u ndërpre kur në skenë doli kompania e Hrvoje Čabrajić, për të cilën në Kroaci janë të bindur se kishte si “kumbar” vëllain e kryeministrit të asaj kohe, Zoran Milanovic.