Kosova, në tetor me kod telefonik dhe operatorë serbë

Kosova, në tetor me kod telefonik dhe operatorë serbë

638
0

telephone

Kosova do të marrë kodin telefonik shtetërorë +383 në fillim të muajit tetor, si dhe pritet të licencohet një operatorë i telefonisë së lëvizshme serbe, që do t’i ketë shtrirjet të kufizuara, bëri të ditur kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Kreshnik Gashi.

Në një intervistë për KosovaPress, Gashi tha se tashmë pala serbe me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian do të heqë bllokadën në ITU.

“Që nga java e ardhshme, pala serbe do ta heq këtë bllokadë dhe Kosova mund të pajiset me kod në fillim të tetorit të këtij viti. Pritet që me përfundimin e këtij raundi të fundit për telekomin të arrihet marrëveshje që në tetor të këtij viti të publikohet në ITU, dhënia e kodit telefonik për Kosovën”, theksoi Gashi.

Sipas tij, të martën e ardhshme, më datën 13 shtator pritet të mbahet takimi përfundimtare për çështjen e kodit telefonik.

“Sigurisht janë mbajtë një varg takimesh dhe pala kosovare qysh në fillim të këtij viti i ka përmbushur gjitha detyrimet që ka pasur në raport me dialogun shtetëror me Serbinë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në lidhje me telekomin, ka qenë pala serbe, e cila e ka bllokuar dhënien e kodit për Kosovën deri më tani nëpërmjet mekanizmave të tyre në ITU”, nënvizoi Gashi.

Gashi ka shtuar se sipas marrëveshjes, do të licencohet një operator të telefonisë së lëvizshme serb, i cili do të ketë licencë të përkohshme deri në shpalljen e tenderit për operatorë të tretë në Kosovë.

Kryetari i ARKEP, bënë të ditur se të gjithë operatorët e telefonisë së lëvizshme dhe shërbimet e telekomunikimit janë të detyruar të shfrytëzojnë prefiksin e ri të Kosovës +383. Kodi telefonik për Kosovës duhet të ishte dhënë në fillim të këtij viti, por pala serbe ishte ajo që kishte bllokuar këtë proces./Kosovapress