Konstituohet “Aleanca e Grave Deputete” për legjislaturën e IX në Kuvendin e...

Konstituohet “Aleanca e Grave Deputete” për legjislaturën e IX në Kuvendin e Shqipërisë

1248
0

 

Në kujdesin e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë z. Gramoz Ruçi si edhe me mbështetjen e OSBE-së, PNUD dhe Ambasadës Suedeze në Tiranë, u konstitua sot në Kuvendin e Shqipërisë “Aleanca e Grave Deputete” për legjislaturën e IX, e cila përbëhet nga gratë deputetë të grupeve parlamentare të PS, PD dhe LSI dhe PR. Në këtë aktivitet merrnin pjesë Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Gramoz Ruçi, zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Vasilika Hysi, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt,  Koordinator i Përhershëm i OKB-së dhe Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së z. Brian J. Williams, Ambasadori i Suedisë në Tiranë z. Johan Ndisi, Shefja e sektorit politik dhe ekonomik të ambasadës së SHBA në Tiranë, znj. Carson Relitz Pocker, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, ish-anëtare të Aleancës së Grave Deputete përgjatë legjislaturës së VIII, Ministra, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile etj. Në këtë aktivitet, z. Ruçi mbajti një fjalë përshëndetëse ku vlerësoi konsitituimin e Aleancës së Grave Deputete në Kuvendin e Shqipërisë duke u shprehur se: “Si një nga deputetët e vjetër në Kuvendin e Shqipërisë, e kam mbështetur rolin e grave dhe vajzave në Kuvend, dhe në cilësinë e Kryetarit të Kuvendi të Shqipërisë do të keni gjithë mbështetjen time për aspektet që lidhen me funksionimin e Aleancës. Falë edhe rolit tuaj në forumet politike dhe angazhimeve tuaja në nismat ligjore për të rritur pjesëmarrjen e grave në politikë numri i grave në qeveri është rritur, numri i grave në detyra drejtuese është i kënaqshëm, numri i grave deputete është më i lartë se në legjislaturën e kaluar”. Zëvendëskryetarja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi, e cila moderoi aktivitetin, në fjalën e saj nënvizoi rëndësinë që ka fuqizimi i rolit të gruas në shoqëri dhe ndikimi që ka Aleanca e Grave Deputete në këtë drejtim. “Kam besimin e plotë që ne, gratë deputete që këtë radhë jemi më shumë se në çdo legjislaturë tjetër, pra 39, do të punojmë sëbashku për të adresuar më mirë problemet që lidhen me gratë dhe fëmijët, por edhe çështje të tjera që lidhen me familjen, me mirëqenien, pasi në çdo shoqëri, aty ku gruaja dhe fëmija trajtohen më mirë, edhe shoqëria është më e shëndetshme”,- u shpreh znj. Hysi. Gjithashtu zëvendëskryetarja e Kuvendit znj. Hysi u shpreh se të gjitha gratë në politikë, si ato që janë në parlament dhe ato që nuk janë kanë shumë kontribute për fuqizimin e rolit të gruas në Shqipëri.  Ambasadori i OSBE-së në Tiranë theksoi në fjalën e tij se pjesëmarrja e grave ligjvënëse në parlament është vendimtare për të përmirësuar cilësinë dhe llogaridhënien e shoqërive demokratike. “OSBE beson tek ju dhe ju jeni vlerë e shtuar dhe kjo është arsyeja pse ne e mbështetën krijimin e aleancës në 2013. Disa nga ju kanë tashmë përvojën të mjaftueshme për ta drejtuar këtë aleancë. Ju të gjithë jeni në dijeni për rolin esencial që luajnë partitë politike dhe ndikimin tuaj në efektivitetin e partive”,- u shpreh kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë. Koordinator i Përhershëm i OKB-së dhe Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së z. J. Williams u shpreh në fjalën e tij se deputetët kanë një pushtet të rëndësishëm për zhvillimin e rolit të gruas në shoqëri. “Si deputetë ju keni një pushtet të jashtëzakonshëm për zhvillimin e rolit të gruas në Shqipëri. Ju keni fuqinë që të ndryshoni rregullat përmes ndryshimeve në ligje. Ju keni pushtetin që t’i kërkoni qeverisë për masat që janë marrë për të arritur barazinë gjinore. Nga ana e saj, qeveria ka shtuar buxhetin gjinor në planin e saj gjashtë mujor dhe kjo është një element shumë pozitiv në këtë drejtim. Për mua është një privilegj që kemi mbështetur aleancën e grave në këto vite”,- u shpreh z. Williams. Shefja e sektorit politik dhe ekonomik të ambasadës së SHBA në Tiranë, znj. Carson Relitz Pocker, theksoi rëndësinë që ka konstituimi i Aleancës së Grave Deputete duke nënvizuar se qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e mbështet këtë nismë. “Qeveria e SHBA e mbështet këtë aleancë sepse ajo bashkon bashkë parlamentare përtej përkatësive partiake. Këto anëtar të parlamentit mund të avancojë përmes fjalës dhe përmes veprës të drejtat dhe nevojat e grave dhe vajzave në të gjitha fushat, nga siguria në shtëpi, në vendin e punës, deri në avancimin e tyre në biznes, politikë, shoqërinë civile dhe në të gjithë sektorët. Aty ky gratë kanë sukses edhe vendi është i suksesshëm”,- u shpreh znj. Pocker. Këtë aktivitet e përshëndetën edhe gratë deputete të grupeve parlamentare të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim. Deputetja e PS, znj. Eglantina Gjermeni në fjalën e saj theksoi se në këtë legjislaturë, Kuvendi i Shqipërisë ka numrin më të madh të grave në përbërje të tij gjë që dëshmon rritjen e rolit të gruas në politikë. “Falë angazhimi të grave në politikë, falë angazhimit të shoqërisë civile, falë të gjithë organizmave ndërkombëtar, kemi arritur në fakt që të kemi një numër të konsiderueshëm si asnjëherë tejtër të grave në parlament”,- u shpreh znj, Gjermeni, duke shtuar se: “Aleanca e grave deputete është një mekanizëm më shumë në dorën tonë për ta fuqizuar dhe për t’i përfaqësuar më denjësisht gratë dhe vajzat për të pasur në qendër të vëmendjen problematikat që gratë dhe fëmijët kanë duke dashur ti adresojmë” Deputetja e PD, znj. Albana Vokshi në fjalën e saj u shpreh se Aleanca e Grave Deputete gjatë kësaj legjislature mund të ndërmarrë disa nisma konkrete të cilat do të ndihmojnë në rritjen e rolit të gruas në shoqëri. “Mendoj se Aleanca e Grave Deputete e kësaj legjislature ka shumë për të bërë në drejtim të miratimi të politikave që do të ndihmojnë në mënyrë të drejtpërdrejt për punësimin e grave dhe për rritjen e mirëqenies së familjeve të tyre. Ndaj edhe ky takim i parë i AGD në ditët e sensibilizimit kundër dhunës ndaj grave, mendoj që do t’i shërbeje për t’i mbështetur më shumë gra, për të ndërmarrë më shumë nisma për të përmirësuar sado pak statusin e tyre në shoqëri”,- u shpreh znj. Vokshi. Deputetja e LSI-së, znj. Klajda Gjosha u shpreh se kjo aleancë duhet të ndërmarrë një rëndësi të veçantë sepse gratë dhe vajzat e Kuvendit të Shqipërisë kthehen në një model për të gjithë ato vajza dhe gra që i kanë votuar, për të ndryshuar jo vetëm politikën në vend. “Duhet të jetë kjo aleancë një model konstruktiviteti, solidariteti që shesh herë mungon mesa grave dhe vajzave, dhe patjetër duhet të fusim edhe frymën e konsensusit gjë e cila,- u shpreh znj. Gjosha.