KASTRIOT KAPAJ, dhe libri i tij autobiografik: “Rrëmoj në kujtesë”/ Nga EDMOND...

KASTRIOT KAPAJ, dhe libri i tij autobiografik: “Rrëmoj në kujtesë”/ Nga EDMOND SHENAJ

170
0

Kastriot Kapaj është i pari intelektual gjormjot, që shkroji një libër të mirëfilltë historik për vendlindjen. Librin e titulluar: “Për Gjormin flet historia”….

Kur doli në publik, gjeti jehonën ngrohëse, vlerësuese e falënderuese të një pjese të konsiderueshme të bashkëfshatarëve dhe personave të lidhur me Gjormin. Por zgjoi edhe interesimin e medias dhe autorëve të shumtë historianë të cilët më vonë e morën si pikë referimi për trajtimin e ngjarjeve që kishin të bënin me fshatin tonë.

Më pas botoji librin: “Pema e fisnisë”, për origjinën e familjes së tij në 12 breza deri te i sotmi dhe të tretin librin që kam në dorë “Rrëmoj në kujtesë”!

I fundit, ashtu si dhe ai para tij, është më tepër privat, Kastrioti flet për jetën e tij, që nga prindrit dhe lidhja e tyre në martesë, fëmijëria me mangësitë e kohës, shkollimi në fshat, pastaj në Vlorë, Fier e deri shkolla e lartë në Tiranë, punësimi larg vendlindjes, krijimi i familjes, kthimi në Vlorë dhe përfshirja në lëvizjen demokratike, arritjet dhe kundërshtitë e hasura në udhëtimin e tij në jetë…

Po pse mund të lexohet nga të gjithë një libër autobiografik, çfarë mund të përfitohet prej tij?

Mendoj se jeta apo historia e një individi, nuk mund jetë kurrë vetëm e tij dhe as vetëm e njerëzve përreth tij. Ajo tregon më shumë se aq. Tregon përpjekjet njerëzore në shoqërin ku jeton, aftësitë dhe kufizimet për të shfrytëzuar kapacitetet mendor e fizik për të ndërtuar një jetë dinjitose sipas botkuptimit dhe rrethanave….

Në prologun e librit Kastrioti sintetizon me këto fjalë:

“Jeta jonë u përballë me ecje të detyruar në rrugica me gjemba, pamundur që t’i shmangesh çpimit ngado që të kthehesh.”

Një pjesë të mirë të librit, gati gjysmën e zë kapitulli “Fëmijëria dhe arsimi”, që përmbledh, siç e e thotë vetë shprehja, momentet e moshës parashkollore, shkollën 7-vjeçare, të mesme dhe të lartë.

Deri në mbarimin e shkollës në Gjorm, shumë të brezit tonë ose pak para nesh, do të gjejnë vetveten ose diçka të përafërt që ka lidhje me jetën e at’herëshme në fshat…

Një e ngrënë qeni apo një e trembur nga ujku, një garë me kuaj apo një e rrëzuar nga mushka, loja e futbollit zbathur në fushat natyrale apo larja në lumë mes argëtimit dhe rrezikut, shtyrja e deleve për të mjelë në shtrungë që shpesh herë “shpërblehej” me ngrënie shkume ose me një kapak teneqeje qumësht… Natyrisht çdonjeri nga ne i ka përjetuar dhe në veçantinë e personit dhe momentit.

I veçantë është rasti i regjistrimit në Gjimnazin “Ali Demi” në Vlorë të Kastriotit. I ati arrit ta regjistrojë, po ku të rrinte? Rastësia ose fati e solli, të jetonte te familja e ish-hekurpunuesit të fshatit, të cilit i ishte “liruar” një vend përsheshi, se kish shkuar një djalë, nga tetë fëmijtë, ushtar!…

Pastaj te kushërinjtë e babait në Fier.

Nuk dua të heq kërshërinë e atyre që kanë ndërmend të lexojnë këtë libër, por kjo lloj zemëgjerësie është vërtetë prekëse dhe e vështirë për ta mbajtur për vete.

Më pas autori shkruan për gëzimin e tij e të familjes për të drejtën e studimit për veteriner dhe reagimet jomirëdashëse të ndonjërit.

Gjatë shkollës së lartë pati dhe një përpjekje për t’i ndërprerë studimet, për “sëmundjen” Gjormjote – biografinë!

Diskutimi në organizatën e partisë në Gjorm, pas letrës e ardhur nga Tirana dhe fjalët me peshë të bolenasit Metlli Jaupi:

“Kush më shumë e kush më pak, që të gjithë zieni në një kazan. Mos e pengoni për shkollim!”

Pozitiv dhe vendimtar ishte dhe shkresa e sekretarit të parë të partisë Vlorë që i përgjigjet letrës së institutit bujqësor për studentin Kastriot Kapaj:

” … në përgjithësi fshati i lindjes, në mënyrë të pandërgjegjëshme u influencua nga Xhepi(Sadik Premte). Duke u konsultuar me komitetin e partisë menduam të vazhdojë studimet”.

Kapitulli për vitet në punë, shoqërohet me problemet që kishin të bënin me ato që mund të përplaset një djalosh i ri pas jetës studentore në fshatin më malor të Beratit, në Rehovë, por edhe me hijet që vinin nga origjina.

Ai nuk e thotë, por merret me mend se në sajë të aftësive të tij, arriti të vlerësohet për rezultatet në punë, duke u transferuar në Mbrakull e më pas, mësues në shkollën e mesme “Kristo Isak” në Berat.

Më tej përshkruhen vështirësitë e tranzicionit deri te peripecitë e stabilizimit në Vlorë.

Në kapitullin e titulluar:”Ajsberg”, Kastrioti jep opinionet e tij nëpërmjet nëntitujve:

-Kush na i vrau ëndrrat?

-Hijet e frikës

-Përsiatje, grimca në kujtesë

-1997, viti i marrëzisë

– E nesërmja  …?!

Dhe në kapitullin e fundit, “Rehabilitimi i të Shkuarës” flet për takimet e para gjithëpërfshirëse në fshat me sloganin:

“Partia jonë është Gjormi” dhe kundërshtitë e ndonjërit …

Pak fjalë dhe për shoqatën “Atdhetare kulturore Gjormi”, ku vlerëson veçanërisht Zykë Zykaj(ndjesë pastë!) dhe Bashkim Habilaj, për themelimin e saj!

Tregon dhe arsyet që e çuan në lënien e drejtimit të shoqatës….

Personalisht, falënderoj  Kastriotin për përpjekjet e pareshtura për të dritëzuar gjithëçka historike e patriotike që ka lidhje me vendlindjen tonë Gjormin, për virtytet dhe vlerat, që lidhen dhe me devizën e SHAK :

“Vëllazëri, mirëkuptim, bashkim”….

E falënderoj gjithashtu, që me numrin e kufizuar të kopjeve, më bëri pjesë të atyre që do t’ua dhuronte këtë libër, jo vetëm për lidhjet tona të gjakut, por edhe për konsideratat reciproke.