Investimet e huaja bien me 17% në tremujorin e dytë në Shqipëri

Investimet e huaja bien me 17% në tremujorin e dytë në Shqipëri

439
0

Investimet e huaja shënuan rënie në gjashtëmujorin e parë të vitit, si rrjedhojë e përfundimit të projektit TAP, por edhe krizës së shkaktuar nga Covid-19, që paralizoi ekonominë në tremujorin e dytë.

Gjithsesi, tkurrja ka qenë e moderuar, me rreth 17% në krahasim me janar-qershor 2019.

 

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, investimet e huaja direkte ishin 454 mln euro në gjashtëmujorin e parë, nga niveli i lartë rekord prej 546 milionë euro që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Në tremujorin e dytë, investimet e huaja ishin 221 milionë euro, me një tkurrje prej 11% me bazë vjetore.

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, fluksi   i investimeve   të   huaja   direkte në   formën   e   zgjerimit   të   kapitalit,   vijon   i përqendruar në sektorin e energjitikës (në masën 38%), të ndërmjetësimit financiar (në masën 21%) dhe telekomunikacionit (në masën 11%). Rënia vërehet e përqendruar në ecurinë e sektorit të hidrokarbureve.

 

Gjatë tremujorit të dytë, Bankers Petroleum, që është investitori më i madh në fushën e hidrokarbureve ndërpreu prodhimin për herë të parë për disa javë, si rrjedhojë e rënies së kërkesës nga situata e krijuar nga Covid-19. Kompania ka raportuar se nga qershori i është rikthyer sërish normalitetit.

 

TAP drejt përfundimit

 

Gazsjellësi TAP, i cili do të transmetojë gaz nëpërmjet Shqipërisë nga fushat Shah Deniz në Azerbajxhan në tregjet e Europës ka përfunduar 97 për qind të punimeve, bëjnë te ditur burimet zyrtare nga kompania.

 

Burimet zyrtare nga projekti sqarojnë se, realizimi 97 për qind i punimeve përfshin të gjithë fushën e inxhinierisë, prokurimeve si dhe ecurinë sipas 12 hapave të ndërtimit të tubacionit në pjesën tokësore, ndërtimin e impianteve mbi sipërfaqe (stacionet e valvulave të bllokimit, stacionet e kompresorëve dhe terminalin pritës të gazsjellësit) si dhe ndërtimin e instalimin e pjesës detare të gazsjellësit.

 

TAP ishte investimi më i madh që ka pasur ndonjëherë vendi, me një vlerë prej 1.5 miliardë eurosh. Punimet për ndërtimin e tij i dhanë një hov investimeve të huaja direkte gjatë viteve të fundit. Por, pas përfundimit të projektit, efekti i këtij investimi në ekonominë e vendit pritet të jetë minimal, pasi vendi nuk ka një infrastrukturë për shfrytëzimin e gazit. Projekti parashikon dy dalje në Shqipëri, ndërsa ka dhe plane afatgjata për ndërtimin e rrjeteve të transmetimit në zonën qendrore të vendit dhe lidhjet me rajonin, që janë ende në fazën e studimeve të fisibilitetit./ Monitor