Intervista/ Shqiptarët të stresuar, psikologia Valentina Telhaj: Ja faktorët që ndikojnë në...

Intervista/ Shqiptarët të stresuar, psikologia Valentina Telhaj: Ja faktorët që ndikojnë në nivelin e lartë të stresit

1101
0

Në sondazhin e fundit të “Gallup” për stresin, popullsia shqiptare zë vendin e katërt në botë, ku 55% e popullsisë kanë pohuar se përjetojnë stres gjatë ditës. Për “Vizion.com.al”, Valentina Telhaj,  Psikologe këshillimi rendit disa nga faktorët që ndikojnë në nivelin e lartë të stresit te shqiptarët. Sipas saj, faktor kryesor është  mirëqënia, e cila me shumë vështirësi arrin të sigurohet duke përmendur edhe faktin se në shoqërinë shqiptare nuk ka më shtresë të mesme.

 

 

Zonja Telhaj, një sondazh i fundit i kryer nga Gallup ka dalë në përfundimin tronditës se shqiptarët janë populli i katërt më i stresuar në botë. Sipas jush pse ndodh kjo?

 

Stresi është i pandashëm në jetën e përditshme  të çdo individi. Kemi dy lloje të ndryshme stresi, njëri është eustres që është stres positiv. Ndodh kur ke evente pozitive (kur ke ceremonin e diplomimit, dasma, festa të ndryshme). Tjetri quhet distres që janë një shumëllojshmëri ngjarjesh stresuese të përditshme duke nisur që nga orët e para të ditës e deri në mbrëmje për mos të thënë edhe gjatë natës ku shpeshherë bëhet pengesë për gjumin e qetë. Ritmi i shpejtë i jetës, mungesa e vazhdueshme e kohës, bombardimi me informacione, mënyra e shpejtë e komunikimit, lufta për të ardhura materiale, puna ose papunësia që sjell problemet financiare, mungesa e vazhdueshme e kohës për qetësi emocionale . Sipas kësaj renditje nga Gallup ne renditemi më poshtë se vendet afrikane apo ato vende që janë në koflikete lufte ku premisat për rrethana të tilla janë shumë larg. Faktor kryesor është  mirëqënia, e cila me shumë vështirësi arrin të sigurohet duke përmendur edhe faktin se në shoqërinë shqiptare nuk ka më shtresë të mesme. Te ne janë ndërtuar  dy shtresa, ajo e pasur dhe ajo e varfër.

Përfundimet e sondazhit të Gallup konfirmojnë se shqiptarët nuk vuajnë vetëm gjendjen e vështirë ekonomike, por edhe atë shpirtërore…..

Gjendja shpiterore (psika) është e ndikuar nga faktorët e jashtëm në shumicën  e rasteve. Duke përjetuar vështirësi nga ana ekonomike qoftë individualisht apo kolektivisht pësohet edhe lëkundja shpirtërore.  Pasiguria që përjetojmë ndikon në shumë gjëra duke krijuar pengesa, edukimi, familja, puna, shoqëria etj. Të jesh i lumtur nuk do të thotë të kesh sepse mund të jesh i lumtur edhe duke patur pak, por të mirat materiale janë bërë primare në kohët e sotme për fat te keq.

 

“Papunësia, padrejtësia… Politika e mbrapshtë, vështirësia në strehim”, thonë qytetarët. Janë këta faktorë që ndikojnë në rritjen e stresit në një popullsi?

 

Padiskutim që janë faktorë  që ndikojnë në rritjen e stresit të gjitha këto, por edhe më shume se sa këto që ju përmendët. Papunësia është një faktor dytësor për burim stresi, sepse padrejtësia vjen e para duke mos lënë në fund politikat e mbrapshta apo të sistemit të keq qeverises ka pasojat e veta. Që në fakt janë shumë të lidhura me njëra- tjetrën.

 

Gallup nuk përcakton me detaje se cili është burimi i stresit të lartë tek shqiptarët. A ndikon situata e përgjithshme qoftë kjo politike, sociale, emigracioni etj?

Të gjitha kanë ndikimin e vet, pa përjashtuar asnjë nga këto. Kushtet e papërmbushura socio-ekonomike, dhe egoja e eksituar “famëkeqe” e ideve individuale për favore profitabile, shtyp dhe gozhdon motivacionin dhe ëndrrat e gjeneratave rinore gjithandej. Ata arrijnë të gjejnë një jetë më të mirë në një vend larg nga Shqipëria. Duke krijuar vakanca dhe pengesa ndikon në administrimin e shume situatave problematike dhe shuarjen e shumë vendbanimeve e trashëgimive .  Duhet të rekomandojmë mundësi shqyrtimi, analize, intervenimi, dhe zgjidhjeje nga një sërë alternativash, sepse pasojat e këtij fenomeni mund të kenë efekt psikologjik tendecioz, dhe me shkaqe të natyrave të shumta psiko-emocionale, sociale, etj.

Intervistoi: Eglantina Alliaj