Intervista/ Jeton Neziraj: “Shqipëria me potencial të madh turistik dhe kurrëfarë oferte...

Intervista/ Jeton Neziraj: “Shqipëria me potencial të madh turistik dhe kurrëfarë oferte kulturore”

2021
0
Jeton Neziraj: foto nga Slavica Ziener

 

Nga Sabina Veizaj

Rebelët ngjan sikur kanë humbur ditëve të sotshme, e sidomos ata që kanë një farë reputacioni publik dhe mund të ndikojnë në shoqëri.  Një prej tyre e ka takuar “vizion.com.al”. Është shqiptar i Kosovës. Ka një humor anglez, ironizon thellë aktualitetin, satirën e ka në majë të gjuhës e shkon deri në tallje ekstreme të fenomeneve që kanë prekur aktualitetin shqiptar dhe atë të rajonit. Jeton Neziraj është dramturgu Kosovar që aktivitetin e tij profesional dhe jetësor e zhvillon në Prishtinë. Ai është drejtues i “Qendrës Multimedia’ e cila është e fokusuar në aktivitetin e saj kah tetarit dhe letërsisë. Në muajin maj është zhvilluar edicioni i 7 i festivalit Polip që “Qendra Multimedia” organizon dhe Jetoni flet gjatë intervistës për risitë e këtij edicioni. Duke qenë se Jetoni nuk ka qime në gjuhë kur flet, ka ngritur në këtë bisedë disa nga problematikat në lidhje me teatrin në Tiranë dhe Prishtinë, mungësën e interesit për bashkëpunim nga ana e Tiranës në këtë lëmi dhe suksesin e verprave të tij brenda dhe jashtë rajonit. 

Jeton, sapo është përmbyllur edicioni i 7 i Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë Polip në Prishtinë. Ky vit i ishte kushtuar letërsisë në ekzil. Pse?

Sivjet festivali ka qenë i fokusuar në këto ndryshimet e mprehta politike që kanë ndodhur në skenën ndërkombëtare (veçanërisht këto zhvillimet e “prekshme”, siç është lufta në Siri) dhe implikimet që kanë këto ndryshime në skenën letrare e kulturore. Në fokusin tonë ka qenë edhe letërsia që krijohet në ekzil. Çfarë relacioni të ri krijojnë shkrimtarët në ekzil me letërsinë dhe çfarë lloji i letërsisë krijohet nga ata shkrimtarë që jetojnë e krijojnë larg atdheut të tyre, çfarë lidhje letrare e intelektuale ata krijojnë me vendin ku krijojnë dhe me atdheun të cilin e kanë lënë e kështu me radhë. Pra, këto kanë qenë disa prej pyetjeve që neve na kanë interesuar dhe prandaj festivalin e kemi tematizuar rreth letërsisë dhe ekzilit. Një pjesë e madhe e shkrimtarëve të këtij edicioni kanë qenë shkrimtarë që jetojnë e krijojnë në ekzil – ata ose kanë ikur për shkak të luftrave ose turbulencave politike në vendin e tyre, apo, në disa raste, janë larguar nga atdheu i tyre për motive thjesht private.  Ka qenë synimi ynë të sjellim sa më shumë shkrimtarë nga lindja, respektivisht nga Siria prej nga, për shkak të luftës, janë larguar, ndër të tjera, edhe shumë shkrimtarë. Thjesht, kemi konsideruar se zëri i këtyre shkrimtarëve duhet të dëgjohet edhe në Kosovë. Por s’jemi mjaftuar me kaq – në festival ne kemi sjellë edhe shumë shkrimtarë të tjerë nga vende të tjera të cilët jetojnë në ekzil, ndër ta, edhe tre shqiptarë: Gani Jakupin, Shqiptar Osekun e Entela Tabaku Sörman. Dhe besoj që përvojat e këtyre shkrimtarëve shqiptarë kanë qenë  interesante të krahasohen me përvojat e shkrimtarëve të tjerë, veçanërisht atyre nga Siria. Ka natyrisht shumë përvoja të përbashkëta, por edhe shumë të ndryshme.

Historia e letërsisë ka njohur vlerë të shtuar nga letërsia në ekzil?

Natyrisht. Letërsia që krijohet në ekzil është pjesë e mozaikut të përgjithshëm të letërsisë. Letërsia që është krijuar nga shkrimtarët në ekzil e ka fuzionuar letërsinë me tema të reja, me trajtim shpesh ndryshe dhe shpesh me temperament tjetër. Por kjo letërsi ‘ekzili’, më shpesh ka pasur impakt në letërsinë e atdheut të shkrimtarit të ikur, sepse, ajo përpos që ka motivuar shkrimtarët e tjerë, u ka dhënë edhe shtytje e kahje proceseve të rëndësishme politike e shoqërore. Në çdo rrethanë, kur flitet për letërsinë, kjo natyrisht e nënkupton edhe letërsinë që krijohet në ekzil. Kur flitet për letërsinë e mirë, kjo natyrisht  e nënkupton edhe letërsinë që shkruhet në ekzil.

Lexohet kjo letërsi në raport me letërsinë me tematika të tjera?

Kjo pyetje më ka interesuar moti edhe mua. Nga ajo sa kam parë është se, letërsia që shkruhet në ekzil lexohet por edhe paragjykohet shumë. Në kuptimin që, ajo kur i prezentohet lexuesit, shpesh i prezantohet me një farë kualifikimi dhe kornizimi jashtëletrar krejt të panevojshëm, pra si “letërsi e këtij apo atij autori që jeton në ekzil”. Pra, lexuesi ballafaqohet me zgjedhjen mes “letërsisë” dhe “letërsisë në ekzil”, e cila, në disa raste, vetëm krijohet në ekzil, por tematikisht nuk është e lidhur me atdheun prej nga vjen shkrimtari në ekzil. Letërsia në ekzil e merr vëmendjen e merituar vetëm në rastet kur shkrimtari bëhet ose është shumë i njohur dhe në rastet e krizës në vendin prej nga vjen shkrimtari. Ta zëmë, para disa vitesh pati krejt befasishëm një vëmendje të shtuar për letërsinë nga Ukraina, apo tani, për shkak të krizës në Siri, është e dukshme që letërisa nga atje është në qendër të vëmendjes së shumë botuesve evropian.

Pse është e rëndësishme kjo letërsi?

Ajo është e rëndësishme si çdo letërsi, në këtë rast, sepse na afron një pamje të botës të shkruar nga shkrimtarë që jetojnë të zhvendosur (me ose pa vullnetin e tyre) nga atdheu i tyre. Dhe kjo zhvendosje dosido lë gjurmë në veprën e shkrimtarit, edhe atëherë kur ai nuk i referohet zhvendosjes drejtpërdrejtë. Pra, lexuesi pos që lexon letërsi, ai përthithë edhe një përvojë unike të ekzilit. Ajo letërsi, përpos që na i fisnikërkon dhe edukon ndjenjat tona, edhe na edukon dhe na vetëdijëson për përvojën e ekzilit dhe përtej…

                                                                                                  Si ka ndryshuar me kohën?

Tash nuk dua të tingëlloj si një ‘specialist’ i letërisë në ekzil, sepse nuk jam. Por, çka besoj është që, kjo letërsi ka ndryshuar ashtu siç ka ndryshuar edhe letërisa në përgjithësi. Pra, ajo, besoj, shpesh i ka përcjellur zhvillimet letrare por po ashtu shpesh i ka ndikuar zhvillimet letrare. Në çdo rrethanë, mendoj që kualifikimi dhe diferencimi në “letërsi” dhe “letërsi në ekzil” është krejt i panevojshëm, i panatyrshëm dhe artificial. Së paku, kur flasim për letërsinë si të tillë. Ai kategorizim mund të bëhet nëse duam të analizojmë faktorë të tjerë politik e social mbase.

Ç’risi pati festivali këtë vit?

Gjithnjë kemi prirje të themi se “sivjet ka qenë festivali më interesant dhe me më së shumti risi”, por sivjet, vërtetë ka qenë i tillë. Kemi pasur një përzgjedhje të shkëlqyeshme të shkrimtarëve, ndër ta edhe fituesin e çmimit Pulitzer, poetin e shkrimtarin amerikan Gregory Pardlo, por edhe shkrimtarin e famshëm izraelit Nir Baram. Dhe natyrisht, edhe plot emra të tjerë kredibil në fushën e letërsisë.  Festivali sivjet ka pasur si titull tematik “Koha e fanatizmit” dhe panelet kanë trajtuar disa prej problemeve që kriza globale ka imponuar në regjion. Dhe, është e dukshme që krizat dhe turbulencat aktuale globale kanë pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në vendet e Ballkanit perëndimor dhe kjo pastaj ka afektuar në njëfarë mënyre edhe fushën e kulturës dhe të letërsisë në këto vende. Nga elitat politike të korruptuara dhe nga grupet e djathta populliste në Ballkan, letërsia shpesh konsiderohet e padëshiruar dhe prandaj bëhet ‘objekt vëzhgimi’. Kjo natyrisht e margjinalizon dhe e tkurrë kulturën dhe letërsinë deri në cep të ekzistencës.  E kam fjalën për letërsinë e cila me kokëfortësi i reziston ndikimeve ideologjike që imponon e djathta ekstreme. Pra, ajo pjesë e letërsisë dhe ajo pjesë e kulturës e cila sheh me dioptrik kririke problemet dhe zhvillimet shoqërore. Si rezultat, është krijuar njëlloj ‘ekzili i brendshëm’ i kësaj letërsie dhe i kësaj kulture. Dhe kjo natyrisht bën që ato të zhvillohen dhe komunikojnë me publikun me vështirësi.

Kush autor spikati më shumë?

Për sa i përket vëmendjes mediale, por edhe interesimit të publikut, natyrisht, ato kryesisht kan qenë të drejtuara tek autori amerikan Gregory Pardlo, por edhe te ai izraelit Nir Baram, librat e të cilit janë bestseller. Megjithatë, më duhet të përmend që sivjet kemi pasur edhe një shkrimtare tepër të vecantë nga Siria, Aïcha Arnaout, me origjinë shqiptare e cila tash e disa vjet jeton në Paris. Por, kemi pasur edhe poetin grek me origjinë çeçene Jazra Khaled.  Dhe duhet të themi se në përgjithësi, në çdo edicion të festivalit përpiqemi të bëjmë një balancë ndërmjet emrave të njohur të letërsisë me emra të rinjë. Sepse, festivalin Polip e konsiderojmë si një platformë që duhet t’u ofrojë qasje dhe promovim edhe shkrimtarëve të rinj.

 

Si janë autorët shqiptarë dhe të rajonit në raport me prurjet e tjera?

Pyetje e vështirë, së paku për mua. Sepse nuk jam shumë njohës i mirë as i letërsisë shqipe, as i letërsisë së rajonit. Në anën tjetër, as festivali që organizojmë ne në Prishtinë s’mund të konsiderohet ndonjë barometër për krahasime të kësaj natyre.

 

Sipas teje a ka njohur letërsia e re shqipe rritje dhe zhvillim, të paktën duke u nisur nga përzgjedhjet tuaja për Polip?

Prap, mund t’i referohem ekskluzivisht asaj letërsie që është prezentuar këto gati 10 vite në festivalin Polip. Dhe në këtë drejtim, po, rritja dhe zhvillimi i letërsisë shqipe është i dukshëm.  Sidomos në Kosovë, ku sot, ta zëmë proza shkruhet nga shumë më tepër autorë të rinj. Para 10 vitesh, nuk ka qenë thuajse asnjë prozator i ri, tash janë së paku 10 të cilët shkruajnë dhe shkruajnë prozë të mirë.

Çfarë sjell Polip për publikun e thjeshtë?

Para së gjithash sjell letërsi kualitative të autorëve të njohur të cilët publiku i njeh, por edhe të autorëve të njohur të cilët publiku nuk i njeh, por i zbulon për herë të parë aty, gjatë festivalit. Janë tri ditë festë letrare dhe veç leximeve, në festival organizohen edhe aktivitete të tjera letrare. Në fillim, në edicionet e para, mezi grumbullonim një grusht publiku të interesuar, tani, ndërsa, salla mbushet plot. Pra, interesimi i publikut është rritur me kalimin e viteve. Në fillim kemi pasur kryesisht publik të rinjtë, tash ndërsa, të rinjtë sërish dominojnë, por vijnë edhe më të moshuar. Dhe kjo më gëzon.

Në fakt Qendra Multimedia, të cilën ju e drejtoni, kryesisht është e drejtuar kah teatri për shkak të profesionit tuaj të dramaturgut. Veprat tuaja, përpos Shqipërisë e rajonit janë vënë edhe në skena me rëndësi në Europë. Pse pëlqehen dramat shqiptare nga të huajt?

Shfaqja “Një shfaqje teatri me 4 aktorë…”: foto nga Jetmir Idrizi

Qendra Multimedia merret kryesisht me teatër dhe letërsi. Në fakt, teatrin e kemi në plan të parë dhe kjo vjen natyrshëm, për shkak të profesionit tim të dramaturgut. Gjatë vitit realizojmë një apo dy shfaqje dhe pastaj ato i shfaqim në Kosovë, rajon e në vende të ndryshme të Evropës, në festival e teatro të ndryshëm. Në këtë drejtim jemi shumë krenar me punën që bëjmë. Sa i përket pjesës së dytë të pyetjes: në të vërtetë, kurioziteti i pakët që ka ekzistuar për dramën shqipe para, të themi, 10 vitesh, tani më nuk ekziston thuajse fare. Ai ka qenë kuriozitet që ka buruar për shkak të kontekstit social e politik të Kosovës dhe Shqipërisë. Ka qenë koha kur edhe Shqipëria edhe Kosova ishin disi, në qendër të vëmendjes, qoftë për shkak të luftës në Kosovë, qoftë për shkak të asaj Shqipërie të panjohur që po ‘zbulohej’, dhe natyrshëm, teatrot kishin njëlloj kurioziteti për dramën shqipe.  Por, fatkeqësisht, oferta e dramaturgjisë shqipe asokohe ishte shumë e varfër. Tani, kjo ofertë është rritur dhe ka dramaturg shqiptarë që shkruajnë drama shumë të mira, megjithatë, tani, interesimi i teatrove të huaja për dramën shqipe disi është zbehur. Ose, nëse ekziston, ai lidhet kryekëput me cilësinë e një drame dhe jo më për shkak se ajo dramë vjen nga Kosova apo nga Shqipëria.

Në veprat  tuaja ironizohet dhe tallet fort politika. Ky këndvështrim ndaj politikës është individual, apo kulturë e shoqërisë kosovare?

Në Kosovë ka një traditë më të hershme të teatrit politik.  Teatri politik ka nisë në Kosovë diku në vitet e 80-ta, në kohën kur nisë të ndryshojë klima politike në ish Jugosllavi. Në vitet e 80-ta, mbas vdekjes së Titos, zhvillimet dramatike politike imponojnë edhe njëlloj fryme tjetër teatrore në Kosovë. Bëhet e pamundur të transmetohen tek publiku në mënyrë të drejtpërdrejtë disa nga temat e problemet nacionale shqiptare. Si rrjedhojë, krijuesit teatrorë shqiptar në Kosovë fillojnë gjithnjë e më shumë të përdorin simbole dhe shenja të ndryshme teatrore. Por kjo është një temë e gjerë dhe ia vlenë të diskutohet me një rast tjetër. Në këtë drejtim, edhe qasja e dramave të mia shkon në atë frymë, kritik ndaj politikës dhe pushtetit, kritik ndaj të pushtetshmit që sillet me kërcënim ndaj të voglit, ndaj të pafuqishmit…

 

A kërkohen veprat e tuja në Tiranë?

Jo, deri tani nuk ka pasur ndonjë interesim për dramat e mia në Tiranë, përpos në rastet kur ato kanë ardhur si shfaqje të realizuara gjetiu. Ta zëmë, kur kemi sjellur shfaqjet “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës”, “Shembja e kullës së Ajfelit”, “Kosovo for dummies” e të tjera, në ato raste po, ka pasur interesim të publikut dhe mund të them se janë pritur mjaft mirë nga publiku. Për sa i përket botimit, dy apo tri drama të mia i ka botuar në revistën poeteka, Arian Leka, për çka edhe i jam shumë mirënjohës.  Pëndryshe, interesim nga ndonjë teatër nuk ka pasur. Në gjendjen në të cilën ndodhet teatri atje, nuk është se më ngelet shumë merak.

 Si është bashkëpunimi me Tiranën?

I zorshëm. Vërtetë i zorshëm. Po flas për fushën e teatrit për të cilën kam më shumë njohuri. Në Tiranë ka fare pak kureshtje për teatrin që krijohet në Kosovë. Në të vërtetë, ata besojnë që janë qendra teatrore e Evropës, por në të vërtetë, nuk janë. Dhe duke qenë se kanë atë bindje për vehten, ta merr mendja se prej çfarë perspektive e shohin teatrin në Kosovë; pra, nga lart poshtë. Por, në anën tjetër, nuk është ky problemi i vetëm, pra, ky i ‘egos së qëndrës;, por janë edhe shumë probleme të tjera, mungesa e infrastrukturës teatrore në Tiranë, mungesa e fondeve me t’cilat ata do t’mund të mirëpritnin teatrot nga jashtë Tirane e kështu me radhë. Në të vërtetë, në këtë aspekt ata veprojnë në kushte të mizershme dhe mua sinqerisht më vjen keq për këtë. Nuk është se në Prishtinë ka kushte më të mira, megjithatë, aq zi sa në Tiranë nuk është. Sinqerisht, buxheti që ka në dispozicion Teatri Kombëtar në Tiranë është tmerrësisht i vogël për të realizuar një program çfarë do t’i kishte hije. Dhe kjo është e pafalshme.

A është zhvilluar teatri në Kosovë dhe Shqipëri pas “90-ës?

Natyrisht, kjo gjë s’diskutohet. Nuk e di si ka qenë teatri në Shqipëri para të 90-tave, por mund ta imagjinoj. Megjithatë, rruga e zhvillimit të teatrit në Kosovë ka kaluar nëpër drejtime të tjera, do të thoja, shumë më të vështira. Sepse, përderisa në Shqipëri, pas të 90-tave, mund të flitet për një periudhë të ‘lulëzimit’ estetik e tematik të teatrit (së paku teoritikisht ai ishte i lirë të zhvillohej e reformohej), në Kosovë,  vitet e 90-tave janë më të errëtat në historinë e teatrit në Kosovë. Është periudha kur teatri shqip shtypet deri në mosekzistencë nga regjimi i Millosheviçit. Dhe, në të vërettë, fazë e ‘zhvillimit’ të teatrit Kosovar nisë tek mbas përfundimit të luftës në Kosovë. Teatrin në Shqipëri e kam përcjellur më intensivisht vetëm pas vitit 2000 dhe natyrisht përgjatë këtyre gati 20 viteve teatri është zhvilluar, ndonëse, jo në ritmin normal dhe jo sa pritej. Sepse, e thashë më lartë, është teatri në Shqipëri është vërtetë i lënë pas dore nga shteti. Por atje ka emra dramaturgësh e regjisorësh shumë kredibil pa të cilët teatri në Shqipëri nuk do ta kishte as këtë pamje që ka tani. Dhe nëse duhet të përmend emra regjisorësh e dramaturgësh, natyrisht që mund të përmend Altin Bashën, Stefan Capalikun, Gjergj Prevazin (koreograf i shkëlqyeshëm), Arben Kumbaron, Armando Bora, Elma Doresi, Iliriana Basha (padyshim, kostimografja më e mirë shqiptare që kemi), Enton Kaca, Hervin Çuli e plot të tjerë. Në Kosovë, ndërsa, do të përmendja Bekim Lumin, Fadil Hysajn, Doruntina Bashën, Ilir Bokshin, Agim Sopin, Ilir Gjocajn, Arta Arifin, Haqif Mulliqin, Agon Myftarin, Kushtrim Koliqin, Zana Hoxhën e shumë të tjerë. Pra, është një ‘ushtri’ e tërë artististësh teatri këtu në Kosovë e atje në Shqipëri të cilët pavarësisht rrethanave i kanë dhënë drejtim e formë teatrit shqiptar.

 ‘Ç’ingredientë’ mungojnë?

Lista është e gjatë, megjithatë, në krye të listës do të veja mungesën e regjisorëve dhe dramaturgëve që do të sillnin ide dhe qasje më të freskët teatrore, më inovative dhe që do të ishin pak më të guximshëm. Natyrisht, që këta regjisorë dhe këta dramaturgët të vijnë, duhet të ketë edhe teatro që do t’u ofronin qasje. Dhe kjo gjë aktualisht është e pamundur, në rrethanat kur, ta zëmë, në Tiranë nuk ka asnjë teatër të pavarur, kur në krejt Kosovën, gjatë një viti, nuk realizohen më shumë sesa 20 premiera teatrore. Pra, në këtë ambient kaq jo-dashamirës për teatrin, lista e gjërave që mungojnë dhe që janë emergjente të jenë është e gjatë.

Ju bashkëpunoni për veprat tuaja kryesisht me bashkeshorten tuaj Blertën, e cila është regjisore shumë e talentuar për ata që marrin vesh nga ky zanat. Është e vështirë apo komoditet të punosh me gruan?

Edhe, edhe! Pra, ka përparësitë e veta, por ka edhe telashet. Në të vërtetë, përparësitë janë më të shumta, kjo s’do diskutim. Jemi intensivisht dhe shumë sinqerisht të përfshirë në të bërit teatër, pra, gjërat i themi troç dhe pa keqkuptime, dhe kjo e ndihmon, para së gjithash, cilësinë e shfaqjes. Në të vërtetë, diskutimet fillojnë që kur unë nis të shkruaj dramën, pra, në embrionin e saj. Ajo është natyrisht lexuesja e parë e materialit dhe di të jetë goxha e ashpër në vlerësime. Dhe këtë qëndrim kam edhe unë në kohën kur ajo bën regjinë e shfaqjes pastaj. Dhe kjo lloj ‘taktike’ e tipit  “polici i mirë, polici i keq” në këtë proces kreativ është shumë i dobishëm dhe shumë frytdhënës. Në anën tjetër, në kohën kur jemi të përfshirë në proces të realizimit të një shfaqjeje, atëherë jeta private bëhet krejtësisht ‘teatër’ – në kuptimin që, bisedat rreth shfaqjes zënë vend deri edhe në shtratin e gjumit.

A ndikon realisht dhe a ka ndikuar arti tek masa, shoqëria?

Natyrisht. Por mandej, më e vështirë është ta definojmë “ndryshimin”. Në çdo rast, mendoj impakti i artit është emancipues për shoqërinë, të cilën arti e bën më tolerante, duke ia ‘shtyrë’ kufijtë e ‘tolerancës’ (respektivisht, duke i shtyrë kufijtë e lirisë). Dhe kjo është edhe shpresa jonë, që shfaqjet e teatrit, me çfarëdo tematike që do të jenë dhe me çfarëdo përmbajtje që të kenë, ato të konsiderohen ‘normale’ dhe si pjesë e asaj lirisë sonë për të komunikuar e për t’u shprehur artistikisht shlirë.

A investohet sot për artin dhe letërsinë? Pse?

Një far investimi bëhet, natyrisht, por jo aq sa duhet dhe jo aq sa do të kishim dashur ne krijuesit. Shoh që në Shqipëri, këto vitet e fundit, ka pasur një interesim të shtuar të shtetit, për sa i përket letërsisë. Janë inicuar disa programe të reja të letërsisë, të cilat, sado modeste, hapin rrugë për gjëra më serioze në të ardhmen. Ta zëmë, fakti që Ministria e Kulturës atje u ka mundësuar botuesve të huaj të përfitojnë fonde të vogla për botim të veprave shqipe është kryelajm. Në Kosovë shteti ndanë buxhet më të madh për kulturën, për dallim prej Shqipërisë, ku buxheti është vërtetë tejet i vogël. Kurr nuk e kam kuptuar përse është kështu. Sidomos për faktin që, Shqipëria ka kaq shumë turistë, ndërkohë që nuk ka kurrëfar ofertë kulturore. Për mua është vërtetë e pakuptueshme që financohen kaq dobët festivalet si ai i dancit bashkëkohor që organizon Gjergj Prevazi, ose festivali i teatrit në Butrint. Në Kosovë, ndërsa, ta zëmë, nuk ka akoma një festival ndërkombëtar të teatrit. Dhe disi, pavarësisht se buxheti për kulturën në Kosovë është më i madh, ai keqmenaxhohet dhe keqadministrohet. Shkon për lesh, si themi ne këtej. Në të vërtetë, fusha e kulturës në Kosovë është e e ngulfatur nga burokratë të padije të Ministrisë së Kulturës.  Pra, janë një mal me probleme e me cështje që duhen diskutuar e trajtuar me kujdes dhe me dashamirësi, si këtu në Kosovë, ashtu edhe atje në Shqipëri.

Keni ndonjë projekt ndër duar aktualisht?

Jam duke e përfunduar dramën e re që ka titull pune “55 shades of gay” dhe e cila do ta ketë premierën më datë 8 tetor në Prishtinë. Regjinë po e bën Blerta Neziraj. Kemi 5 aktorë të rinj, të shkëlqyeshëm dhe një ekip shumë të mirë bashkëpunëtorësh kreativ.

 

 

 

loading...