Integriteti: Çfarë leverdis dhe çfarë është e drejtë?

Integriteti: Çfarë leverdis dhe çfarë është e drejtë?

777
0

Nga Elona Mraja dhe Tea Islamaj

15 vjeçarja e  abuzuar sistematikisht nga roja i shkollës, një 65 vjeçar në bashkëpunim edhe më disa djem të rinj bëri që në kryeqytet të dalin mijëra protestues gra dhe vajza duke kërkuar ndëshkimin e një krimi të pandëshkuar.

Rasti i 15 vjeçares nuk është “aksident” apo “incident” i izoluar.

E njëjta gjë ndodhi vetëm një vit më parë, ku një grup djemsh të mitur kishin përdhunuar një 13 vjeçare në një shkollë në Kavajë. Për ironi të fatit gjykata vetëm pak ditë më parë, dhe vetëm një vit pas ngjarjes, uli dënimin për autorët, duke i lënë ata të lirë.

Këto dy raste morën vëmendje të madhe të medias dhe opinionit, por Shqipëria është përballur në heshtje me këtë krim të pafalshëm për një kohë të gjatë. Ajo ç’ka është më e rëndë dhe më shqetësuese në të gjithë këtë ngjarje, është fakti ka plot njerëz që ngatërrojnë agresorin me viktimën.  Gishti i fajit qëndron mbi viktimën dhe kështu denoncimet për këto raste janë thuajse të pamundura të gjinden. Ajo që lëndon më shumë është mos gjetja e mbështetjes, mungesa e ligjeve mbrojtëse, paaftësia institucionale për të marrë çështjet në shqyrtim.

Në vendin tonë një abuzues dënohet mesatarisht 6 muaj deri në 4 vjet për këtë shkelje, madje në shumicën e rasteve siç edhe u përmend më lart, ata përfitojnë edhe shkurtim të dënimit. Ndërkohë që ligjet evropiane parashikojnë që autori të dënohet 5-10 vjet kur viktima është e rritur dhe 20-30 vite kur është i mitur.

Por a ka kapacitete Shqipëria për të luftuar këtë dukuri kaq të përhapur, por të fshehtë?

Po! Shqipëria mund të parashikojë mirë të gjitha rastet e abuzimeve dhe rishqyrtimi i tyre mund të sjellë frymë ndryshimi. Problemi përveçse është shumë i thellë ligjërisht, ai është mjaft i cekët në shoqërinë shqiptare. Ende nuk ka një koncept të qartë për të qenë e thjeshtë të katapultohet në mendimet e qytetarëve shqiptarë që të përdhunosh apo të përdhunohesh nuk është turp, por është krim. Për t’u marrë me këtë pjesë nevojitet me patjetër të vendosen në punë institucionet përkatëse. Mungesa e tyre apo keq menaxhimi i detyrave ka krijuar një boshllëk përsa i përket sensibilizimit. Kjo do të marrë shumë kohë, por ama mund të japë fryte të mira.

Por edhe media që e realizon mirë aspektin sensibilizues ka shumë për të bërë.

Një ndër cilësitë bazike që sjellja dhe raportimi i medias duhet të ketë është integriteti. Sipas SouthEast Mediaobservatory (2015), integriteti i medias është mishërimi i vlerave të shërbimit publik në media dhe gazetari. Po ashtu, nënkupton kapacitetin e gazetarëve dhe profesionistëve të tjerë të medias: për t’iu përmbajtur autonomisë dhe standardeve profesionale, duke shfaqur përkushtim për t’i shërbyer interesit publik.

Po të ndalemi të analizojmë raportimin e rastit në fjalë, mund të lindin pyetje si: A kishte ky raportim elementë të integritetit? A i shërbeu interesit publik dhe konkretisht personit të prekur?

Në fakt, nuk mund të mohojmë që u denoncua një ngjarje mjaf e rëndë që ndodh në vendin tonë. Madje, situata shkoi edhe më tej ku, njerëzit, të nxitur edhe nga media, u ngritën dhe reaguan, duke treguar kështu se tani shoqëria shqiptare është e vendosur të kundërshtojë dhe të flasë.

Por, ajo çka u shfaq në media e tejkalonte atë çfarë duhej të tregohej. Nisur nga fakti që po vihej në shënjestër një krim ndaj të cilit, për shumë kohë njerëzit (viktima, publiku, institucionet etj.), për arsye si frika, turpi, mosbesimi te institucionet përkatëse, heshtnin apo nuk reagonin forcërisht, publikimi dhe denoncimi i ngjarjes i shërbeu më së miri interesit publik, Mirëpo, a i shërbeu kjo më së miri, personit më të prekur të ngjarjes? Po, por vetëm deri në momentin ku u cënua (tërthorazi dhe jo vetëm) privatësia dhe identiteti i viktimës dhe i familjarëve.

Në rastet e mësipërme kemi parë një rol mjaft konfuz të medias. Në shumicën e rasteve artikujt apo raportimet ishin të një natyre tendencioze që nuk synonin gjë tjetër veçse vëmendje dhe klikueshmëri nga ana e audiencës. Në një lajm të vetëm viheshin re një sërë shkeljesh jo vetëmtë etikës, por edhe të ligjit.

Në rastin e 15 vjeçares, disa media jo vetëm publikuan videot me të cilat autori e shantazhonte të miturën se do t’i bënte publike, por  intervistuan edhe familjarë (babain dhe vëllain) duke e identifikuar familjen e viktimës, vetë viktimën dhe banesën ku ajo jetonte.

E thënë me fjalë të thjeshta, nuk u mor fare parasysh cilësia bazike që sjellja dhe raportimi i medias duhet të ketë në mishërimin e vlerave të shërbimit publik në media dhe gazetari. Në këtë aspekt media e shkruar dhe ajo audiovizive kanë mjaft punë për të bërë, në mënyrë që ta kryejnë me sukses detyrën e tyre.

Nga ana tjetër, reagimi qytetar tregon se shoqëria jonë po zgjohet, tashmëështë radha që të zgjohen edhe institucionet e shtetit. (shkolla, gjykata, psikologu..) dhe njerëzit që përfaqësojnë këto institucione duhet të reagojnë dhe përgjigjen duke marrë masa parandaluese dhe ndëshkuese.

Viktimat e dhunës seksuale tashmë kanë një arsye më shumë për të denoncuar dhunuesit, vetë dhunuesit duhet të marrin mësimin se krimi i tyre do të ndëshkohet rëndë sado kohë të kalojë dhe në fund, por jo e fundit media duhet të hapë sytë dhe në betejën për “vëmendje” të ketë në qendër të vëmendjes interesin më të mirë publik.