“Impresione” në Pogradec nga Bardha Alimeta/ Poezi dhe pikturë në qytetin liqenor

“Impresione” në Pogradec nga Bardha Alimeta/ Poezi dhe pikturë në qytetin liqenor

466
0

Në odeonin e qytetit të Pogradecit u organizua këtë fundjavë aktiviteti për promovimin e ekspozitës dhe librave nga Bardha Alimeta. Një aktivitet shumë i veçantë organizuar nga Qendra Kulturore “Lasgush Poradeci”, dhe i mbështetur nga Bashkia e Pogradecit. Gjatë mbrëmjes aktorët pogradecarë performuan poezi të autores Bardha Alimeta. Nuk kanë munguar të ftuar të veçantë si studiues arti, gazetarë, poktorë dhe shkrimtarë. Mbrëmja letrare-artistike “Impresione” tërhoqi vëmendjen e të gjithë artëdashësve në qytetin liqenor.

Piktura abstrakte, ku tematika e tyre është natyra, gjendje shpirtërore, përshtjellime, ndjenja, ndaj autorja e ka titulluar “Impresione”.

Shkrimtarja dhe piktorja Bardha Alimeta është një artiste e lindur! Jo vetëm për artin e saj si në pikturë, poezi dhe prozë, por edhe për shpirtin e bukur. Në përditshmërinë e saj, Bardha është një njeri i lirë, pa komplekse, do të bukurën dhe e shpreh atë në art.

Pikturat e saj nuk janë thjesht një fantazi. Aty ka jetë, ka art, ka lirshmëri dhe bukuri mahnitëse që tërheq artdashësit në ekspozitat e saj. Bota e saj femërore shprehet me art në pikturë dhe përshkruhet bukur në krijimtarinë letrare.

Në poezitë e saj shpaloset dashuria, por edhe dhimbja shpirtërore. Bardha me vargjet e saj është përherë në kërkim të dashurisë njerëzore në kërkim të lumturisë. Poezitë e saj janë shpirtërore, janë poezi që të bëjnë për vete dhe teksa i lexon humbet në një botë tjetër. Në një botë ku njeriu gjen të bukurën, emocionin…

Në poezitë e saj jeta shpaloset me të gjitha ngjyrat. Aty ka lirizëm, ka figuracion, krahasim dhe metafora. Në poezi Bardha është vetvetja, e thjeshtë, e dashur, kërkuese dhe këmbëngulëse për të arritur atë që dëshiron. Gjithkush që lexon poezitë e Bardhës gjen aty veten dhe vihet në kërkim të poezisë së saj.

Po kaq mahnitëse dhe mbreslënëse Bardha na shfaqet edhe në prozë, krejt e veçantë dhe befasuese. Jeta e përditshme, shqetësimet e kohës, malli për vendlindjen, për gurgullimën e Shkumbinit dhe për fëshfërimën e pemëve gjejnë hapsirë në prozën e saj.

Në tregimet e Bardha Alimetës ka dritë, ka kontakt me njerëzit, atmosferë dhe jetë. Bardha është gjithnjë në kërkim të së bukurës dhe përjetimet, ndjenjat i shpreh me mjeshtëri në prozën e saj duke e bërë lexuesin të ndjehet mirë…

Bardha Alimeta ka botuar pesë libra me poezi dhe prozë si dhe ka çelur disa Ekspozita vetjake në pikturë.

Bardha Alimeta, kjo zonjë e artit

Istref Haxhillari

Shkimtar

Miq, kemi sonte mes nesh në këtë mjedis magjik një grua të veçantë. Poete, prozatore, piktore, ambasadore e paqes, aktiviste e shoqërisë civile, mike e poetëve dhe shkrimtarëve me në zë sot në vend, të gjitha në një grua të hirshme:

Zonja Bardha Alimeta.

Rasti e solli ta njihja nga larg para disa vitesh kur ajo nderohej me çmimin “Anton Pashku”, çmimi më i lartë që jepet prej 20 vitesh nga Shoqata e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë me qendër në Detroit të SHBA. Më pas jemi takuar në disa veprimtari letrare në Librazhd, këtu në Pogradec, Tiranë.

Me pesë vëllime në poezi e prozë, ekspozita në qytete të ndryshme siç është kjo që shihni sot këtu, nismat e herëpashershme letrare dhe artistike, personalisht e rendit Bardha Alimetën në tragën e artistëve të mëdhenj librazhdas si Koçi Petriti, Sherif Merdani, kompozitorë dhe valltarë me emër që jetuan dhe u frymëzuan në këtë qytet.

Librazhdi, qyteti i vogël i krijuar nga komunizmi në mes të shekullit të kaluar u bën përshtypje të gjithëve me pastërtinë shembullore, qetësinë, gjelbërimin, veshjet e djemve e vajzave që nuk u linin dhe as u lënë gjë mangët atyre të Tiranës dhe Elbasanit gjatë shëtitjeve në të vetmin bulevard buzë Shkumbinit. Falë kësaj gruaje me vullnet të hekurt ky qytet është sot kampioni i gjallërisë letrare dhe artistike. Prej kohësh Bardha e ka kthyer Librazhdin e saj në qendër promovuese të artistëve e shkrimtarëve nga e gjithë Shqipëria përmes veprimtarive cilësore që mbeten në memorien e pjesëmarrësve.

Vargjet dhe tregimet e saj kanë gumëzhimën e Shkumbinit, fëshfërimën e gjetheve të rrapeve shekullore, karakterin e heshtur të banorëve të qytetit, historinë e trevës ku gjallojnë sot e kësaj dite toponimet të tilla si Sofra e Skënderbeut, apo fshatrat që bënë histori në luftën e dytë botërore si Snosmi.

E veçanta e saj është thjeshtësia.

Poezitë dhe tregimet lexohen me një frymë, kuptohen shpejt dhe lënë mbresa që nuk shlyhen lehtë. Frymëzimi i saj, ashtu i paraardhësve të mëdhenj është Librazhdi dhe rrethinat, njerëzit e thjeshtë si Fqinja e famshme e Sherif Merdanit, banorët paqësorë, dashuritë  e fshehta, përçapjet e mundimshme të njerëzve për të mbijetuar në një vend me mungesa të mëdha.

Opusi letrar i Bardha Alimetës synon ta bëjë më të banueshëm jetën në qytetin e saj, më të bukur shpirtin e njerëzve, duke i mëkuar me artin e vet dhe krijuesve të spikatur në rang kombëtar.

Kjo është Bardha Alimeta, kjo zonjë e artit.