Ikën Ardit Roshi, vjen Klea Huta. 3 muaj pasi lindi djalin, prezantuesja...

Ikën Ardit Roshi, vjen Klea Huta. 3 muaj pasi lindi djalin, prezantuesja rikthehet në ekran me spektaklin e ri

506
0

Tre muaj pasi solli në jetë djalin Krid nga martesa me muzikantin Elgit Doda, Klea Huta po përgatitet të rikthehet në ekran si moderatore. Fjala është për një spektakël të ri muzikor në “Vizion Plus”, që mban autorësinë e vëllezërve Pandi e Bledar Laço. Ky show do të jetë risi për këtë sezon televiziv, pas mbylljes së spektaklit “Këndo këngën time”, që moderohej nga Ardit Roshi. Vëllezërit Laço e kanë ftuar sërish Klean të drejtojë formatin e tyre të ri, pas disa eksperiencave të mëparshme me të. Ndërkohë, në përgatitje të daljes së saj në ekran këtë sezon të ri, Klea po shijon maksimalisht mëmësinë.

Nëpërmjet një postimi në “Instastory”, ku dukeshin vetëm këmbët e Kridit, shkroi disa fjalë zemre për djalin.

“O mreti mamës ti, u bënë 3 muaj që ma ke shkrirë zemrën o era ime e mirë! Më ke ndryshuar si njeri. Po shkalloj për ty, edhe 100 dashuri! Ta puth mami këmbën e vogël sa të postoj këtë foto! Të dua Krid!”- kanë qenë fjalët që i ka dedikuar Klea të birit.

Krid erdhi në jetë në muajin qershor të këtij viti dhe Klea Huta është kujdesur që portreti i tij të mos publikohet ende, pavarësisht se fotot me të nuk mungojnë në rrjetet sociale të prindërve.

Ndërsa sa i takon profesionit, spektakli i ri nuk është i vetmi angazhim i Klea Hutës. Klean do ta shohim edhe si aktore, një ndër pasionet e saj që në fëmijëri. Gjithçka është bërë e ditur nga postimi i banorit të “Big Brother 2”, Bjordi Mezinit. Ai prezantoi trailerin e projektit të tij filmik “Kapiten Dinamo”.

Nga videoja dhe hashtaget nën të kuptojmë se bëhet fjalë për një serial televiziv, që ka në qendër jetën e një regjisori. Krah Kleas do të jenë edhe personazhe të tjera si: Erblin Bajko, Enxhi Cuku, Roland Saro, Aleks Seitaj, Romina Ruda etj. Nuk ka ende një datë për publikimin, ndërkohë që pritet veçantia e këtij projekti të ri televiziv.

Moderatorja Klea Huta vendosi që së fundmi t’u përgjigjej pyetjeve të ndjekësve në llogarinë e saj në “Instagram”. Ajo tregoi momente të ndryshme nga pritja e ëmbël dhe një ndër pyetjet që Klea nuk ka hezituar t’i përgjigjet ishte se sa ka qenë e nevojshme ndihma nga të tretët pas lindjes, nisur nga fakti se periudha pas lindjes shoqërohet me çrregullime të humorit dhe depresion.

“Ka qenë gjithçka. Pa mamin tim dhe të gjithë pjesëtarët e familjes sime dhe të Elgitit do ta kisha jo të vështirë, por të pamundur për të mos kaluar postpartum. Ma kanë bërë shumë të lehtë këtë rrugëtim të ri, më të bukurin në jetë, por dhe shumë i vështirë. E kam kaluar si diçka shumë normale, pa drama dhe pa depresione. Ndryshe nga fillimi i shtatzënisë”, ka shkruar Huta krah postimit të saj në “Instastory”, duke ndarë këto detaje nga pritja e ëmbël.

Klea ka treguar gjithashtu se gjatë shtatzënisë me Krid shtoi 19 kilogramë, megjithatë duket se ka arritur t’i humbasë menjëherë ato, pasi është shfaqur mjaft në formë. Ndërkohë, për ta mbajtur gjendjen psikologjike mirë, ajo ka vendosur të kthehet menjëherë në punë me një projekt muzikor.

Kështu, pas ardhjes në jetë të djalit Krid, Klea Huta lajmëron rikthimin në muzikë me një bashkëpunim. Ajo ka publikuar një pjesë të këngës së re në “Instastory”, duke pyetur ndjekësit se me kë mendojnë se do të vijë në bashkëpunim.

 

 

“Me kë dhe kur?” – ka shkruar Klea krah postimit ku shfaqet në makinë duke dëgjuar këngën. Huta nuk ka zbuluar asnjë detaj më shumë rreth rikthimit të saj në muzikë, por me siguri ajo ta ndajë shumë shpejt projektin e saj më të ri.

 

E kështu, pavarësisht faktit që është me djalin e vogël, Klea duket shumë aktive sa i takon karrierës.