Homazh për mësuesin që dha kontribut real në zhvillimin e arsimit,...

Homazh për mësuesin që dha kontribut real në zhvillimin e arsimit, letërsisë, artit dhe kulturës në Dibër

512
0

LAMTUMIRË HYSNI BRUÇI

Nga:   FAIK BRUÇI, HALIL RAMA e MEVLUD BUCI

Të enjten e 2 qershorit 2022, ndërroi jetë Hysni Bruçi, një nga personalitetet dibrane, i njohur për kontributin e tij real në zhvillimin e arsimit, letërsisë, artit dhe kulturës në Dibër.

Ai lindi në Lukan të Katër-Grykëve, më 17 gusht 1941. Rrethanat e sollën që të rritej te gjyshja e tij nga e nëna, në Muhurr. Këtu kaloi fëmjërinë dhe mori shkollimin bazë, duke bërë dallimin nga bashkmoshatarët si nxënës shembullor. Me të njejtin nivel dijesh dhe zelli për të mësuar, ai, do të ndiqte dhe  mbaronte me rezultate të shkëlqyera shkollën e mesme pedagogjike “Ndrec Ndue Gjoka”, në Tiranë (e më pas edhe Shkollën e Lartë dy vjeçare pa shkëputje nga puna) për t’u kthyer si mësues në shkollat e vendlindjes së tij.

Ndërkohë, mësuesi i lëndëve gjuhë shqipe – histori në shkollën 8-vjeçare “Nexhat Agolli”, Muhurr, në vitet 1960-1961, që kishte shërbyer edhe në shkollat e zonave Luzni e Kastriot, si dhe me klasë kolektive në Rreth-Kale e Shqath, do të shpërthente si një talent i rrallë në krijimtarinë poetike të asaj kohe. Kështu, në vitet ‘60-’70-të të shekullit të kaluar, në faqet e gazetave e revistave, të përditshme, javore e të përmuajshme periodike, që botoheshin në Tiranë, do të tërhiqte vëmendjen firma e mësuesit Hysni Bruçi, nga Muhurri i Dibrës. Publicistika e tij po zinte vend të rëndësishëm në gazetat “Zëri i Popullit”, “Mësuesi”, “Bashkimi” etj. Po ashtu në rubrikat letrare-artistike të gazetave “Drita”, “Zëri i Rinisë” e “Puna”, si dhe të revistave “Nëntori” e “Ylli”, ai, do të shfaqej, jo vetëm me reportazhe e skica letrare, por edhe me vjersha e poema.

Ai, qe, ndërkohë nga të parët që u angazhua me lëvizjen amatore në fshat. Pasi kishte spikatur për talentin e tij si poet me vjershat e poemat e botuara në shtypin qëndror, Hysni Bruçi mori pjesë edhe në përgatitjen e Almanakëve të parë letrarë “Dibra”.

Që me fillimin e botimit të gazetës lokale “Ushtima e Maleve” nisi të punojë aty, një vit si korrektor letrar e pastaj për disa vite si redaktor për kulturën e punën me talentet e reja letrare.

Në gjysmën e dytë të viteve ‘’70-të, në Dibër po bëhej një hop përpara për gjallërimin e jetës artistike dhe kulturore dhe gazeta “Ushtima e Maleve”, sektorin e kulturës të së cilës e drejtonte Hysni Bruçi pati ndikim të dukshëm në nxitjen e promovimin e talenteve të reja. Madje, që këtu u evidentuan dhe u tërhoqën në institucione njerëz të pasionuar e të përkushtuar.

Në mars të vitit 1978, fillon punën në sektorin e kulturës të Komitetit Ekzekutiv, ku dha një kontribut të çmuar për organizimin dhe masivizimin e artit e kulturës në rrethin e Dibrës. Ishte koha kur u arrit që, Estrada e Peshkopisë, të klasifikohej “profesioniste” dhe të krahasohej me të Korçës, Sarandës dhe të Fierit. Ajo arriti të realizonte katër premiera në vit dhe të përfaqësohej denjësisht edhe në eventet kombëtare. Pasurimi i orkestrës së saj me instrumentistë të shkolluar të oboes, flautit, trombës, violinçelit etj, është padyshim edhe meritë e Hysni Bruçit që drejtonte sektorin e kulturës në Komitetin Ekzekutiv të rrethit. Ai inkurajoi dhe mbështeti muzikantë të talentuar që të krijonin e drejtonin grupe të ndryshme artistike. Në lëvizjen artistike u përfshinë këngëtarë që bënë emër brenda e jashtë vendit. U rrit profesionalizmi në trupën e aktorëve e të regjive të shfaqjeve; u rrit niveli artistik edhe me skenografinë e shfaqjeve. Gjatë kohës që Hysni Bruçi drejtonte sektorin e Kulturës në Komitetin Ekzekutiv të rrethit, u krijua edhe Trupa e Teatrit Dramatik Amator, që realizonte dy deri në tri premiera në vit. Vatër e argëtimit të fëmijëve u bë Teatri i Kukullave. Orkestra Frymore e qytetit të Peshkopisë arriti të marrë çmimin e dytë në takimin kombëtar të Korçës. Shtëpia e Pionierit po bëhej shkollë për përgatitjen e talenteve të reja. Dega e Librit, me çeljen e 16 librarive në fshat e në qytetet Peshkopi, e Bulqizë përmirësoi dukshëm punën me librin. U krijua edhe Dega e Monumenteve të Kulturës. U ngrit edhe Ansambli Artistik “DIBRA” (që fatmirësisht e ruan edhe sot këtë emër), i cili arriti të japë shfaqje të suksesshme edhe jashtë vendit, si në Turqi, Prishtinë, Shkup etj. Hysni Bruçi pati rol parësor edhe në formimin e Shoqatës së Historianëve, si dhe të Bërthamës Arkeologjike të rrethit të Dibrës. Puna studimore solli edhe riorganizimin e Muzeut Historik dhe ngritjen për herë të parë të Muzeut Etnografik të rrethit. Sipas një programi të posaçëm pune të Sektorit të Kulturës në Komitetin Ekzekutiv që drejtohej nga Hysni Bruçi, u ngritën muze tematikë në Dovalan, Sinjë, Okshtun, Bulqizë, Ostren, Lurë, Zerqan, Zogje e Kastriot. Po bëhej praktikë pune që çdo vit të organizoheshin sesione shkencore në zona.

Në tetor 1978, u zhvillua Konferenca e Parë Shkencore e rrethit për çështje të historisë e kulturës të Dibrës. Për herë të parë aty u paraqit projekt-ideja për Rrugën e Arbërit, që po bëhet realitet në vitet e demokracisë, falë edhe rolit determinant të gazetës me të njejtin emër “Rruga e Arbërit” dhe Lidhjes së Intelektualëve Dibranë.

Në ato vite, Rrethi Letrar i Dibrës fitoi statusin e Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të rrethit. Dhjetëra krijues dibranë që tanimë kanë botuar edhe librat e parë me poezi e tregime, debutimin e parë e patën në gazetën lokale “Ushtima e Maleve”, në kohën kur sektorin e artit, kulturës e letërsisë e drejtonte redaktori i talentuar Hysni Bruçi.

Për piktorët e skulptorët u dhanë 9 studio. Sektori i artit figurativ arriti që, çdo vit, të çelte ekspozitë. Punët e disa piktorëve dibranë zinin vend në ekspozitat vjetore kombëtare. Masivizimi solli që disa qendra pune e shkollat të ngrenë grupet artistike.

Të 26 shtëpitë e kulturës në zona arritën të ngrenë grupet foklorike me 50-60 pjesëmarrës. Në orkestrat e tyre hynë edhe instrumente të rrallë muzikorë si: gajdja e Klenjës, kavalli i Kastriotit, fyjet e Selishtës, lauria e Murrës, culet e Venishtit e Palamanit, sharkia e Çidhnës, pipzat e Lurës etj. Hysni Bruçi tregon se orkestra e grupit folklorik të Çidhnës kishte rreth 30 instrumentistë.

Po ashtu ai vlerëson krijimin dhe interpretimin e valleve si: vallja e brezave, vallet lirike të Grykës së Vogël e të Kalasë së Dodës, vallja e Xhafer Kabës, vallet dyshe të burrave të Zall- Dardhës, Muhurrit e Maqellarës, vallja këmbë mbas këmbe e Katër Grykëve, Vallja “Hore” e Sllovës, vallja humoristike e Pollazhanit etj.

Shpërthyen këngë brilante, si: “Na knojnë pushkët nëpër kulla”, “Shtatë liqejt e Lurës”, “300 duvakët”, “Këngë për Mahmut Dacin”, këngët epike për Kosovën (“O prite Azem Galicën”, “Këngë për Jakup Ferrin”) etj. Emra këngëtarësh të tjerë dibranë u bënë të njohur e të dashur për artdashësit brenda dhe jashtë vendit Vlerësimi i mëtejshëm i punës me folklorin, për të cilin H.Bruçi tregoi përkushtim të rrallë, bëri që Dibra të marrë vendin e parë në Festivalin Folklorik kombëtar të vitit 1978.

Hysni Bruçi ka realizuar edhe kumtesa e studime për çështje të historisë e kulturës së kësaj treve. Ato janë referuar në Sesione Shkencore e disa janë botuar në revista e organe shtypi. Të tilla kanë qenë: “Tema e Qëndresës në krijimtarinë e popullit”, botuar në “Dibra e dibranët”, “Vlera pedagogjike në Abetaren e Kolë Gjumarit”, botuar në gazetën “Mësuesi”, “Disa të dhëna historike për lidhjet e Dibrës me Qeverinë e Vlorës të 1912-tës”, mbajtur në Konferencën Shkencore të Kulturës të rrethit (1978); “Mbi disa shkaqe e koncepte të mënyrës së jetesës” si dhe “Shkaqe e pasoja të thashethemeve”, botuar në “Zëri i Popullit”. Gjithashtu, Hysni Bruçi ka realizuar trajtesa me vlerë, si: “Ornamenistika në kostumet e shtatë zonave etnografike të Dibrës”, “Instrumentistë në kohë që bënë emër dhe Orkestra Folklorike e Dibrës”, “Figura mëmëdhetare të Dibrës dhe çështje të simboleve përkujtimore”, “Zall- Dardha – një nga djepet e folklorit të Dibrës”, “Rapsodia Dibrane dhe profile rapsodësh” etj. Do të mjaftonte qoftë dhe botimi në një libër i këtyre kumtesave, studimeve e trajtesave, të realizuara, të mbajtura në sesione shkencore e të botuara me firmën e Hysni Bruçit, për të kuptuar kontributin e tij të veçantë për zhvillimin e letërsisë, artit e kulturës në Dibër.

Vetëm një muaj para se të ndrronte jetë Ai botoi librin “Krojet e këtyre viseve thonë”, me një lëndë aq të pasur dhe e larmishme si dhe vetë poezia e këtij liriku, që pas akumulimit të tij në pesë dekada sjell për lexuesin poezi që u shkrumbëzuan dhe u hirnosën, ndoshta të kyçura në sirtaret e tavolinave të tij të punës si mësues, redaktor letrar në “Ushtima e Maleve” e inspektor i kulturës në ish-Komitetin Ekzekutiv të Dibrës…apo në sepetet e shtëpive të tij në Lukan, Muhurr e Peshkopi, dhe që dalin në dritë me një shkëlqim të rrallë. Në tetë ciklet e këtij libri me poezi  Hysni Bruçi vjen si model i poetit të epikës dhe lirikës dibrane, ku përveç bukurive natyrore, ai përçon në vargje, pothuajse, gjithë historinë disa shekullore të Dibrës. Ndaj dhe Dibra e dibranët do ta kujtojnë atë me respektin e nderimin që meritonte.

Lamtumirë shoku e miku ynë Hysni Bruçi!

Shpirti yt lulëzoftë në kopshtet më të bukura të parajsës!