Historia e rrallë e ‘59, nëna e vëllai rrëfejnë vrasjen e vajzës...

Historia e rrallë e ‘59, nëna e vëllai rrëfejnë vrasjen e vajzës së zhdukur (PJESA I)

599
0

Drama që ka përjetuar Çerçiz Dyrmishi dhe familjarët e tij në fundin e viteve ’50, e rrëfyer vetëm nga ata dhe bashkëkohësit, tingëllon e pabesueshme. E tillë do të mbetej ajo përfundimisht, po të mungonte dokumentacioni zyrtar i ish- Sigurimit të Shtetit, në të cilin ngjarja është regjistruar e plotë, madje deri në detaje. Ajo nis me një lajm të beftë, që ka tronditur të madh e të vogël, mëngjesin e ftohtë të 13 janarit 1959, në qytetin e Memaliajt.

dosja1

Arrestimi i papritur i Çerçiz Dyrmishit dhe familjarëve të tij, se kishin vrarë me duart e tyre vajzën e shtëpisë, Ervehenë, ka rënë si bombë në qytezën e vogël të minatorëve. Për muaj dhe vite me radhë, të njohurit dhe të panjohurit e familjes Dyrmishi do të jetonin me urrejtjen për protagonistët e krimit makabër. Në fakt, ajo çfarë kishte ndodhur kishte qenë një tjetër histori, me tjetër rrjedhë e personazhe të padëgjuar, që do të zbardhej pak vonë, kur Çerçizi dhe të tijtë kishin kaluar jo pak në qelitë e burgut. Po çfarë ndodhi?

HETUESIA: RRETHANAT E NGJARJES

Ervehe Dyrmishi kishte lindur në Koprenckë të Skraparit dhe prej disa vitesh ndodhej e martuar me Xh.Q. nga Progonati i Tepelenës. Në muajin shkurt të vitit 1956, ajo largohet nga banesa e të shoqit dhe kthehet tek i vëllai, Çerçizi, në qytetin e Memaliajit, me pretendimin se keqtrajtohej nga bashkëshorti. Pak ditë më vonë, i shoqi i Ervehesë ndërhyn te Çerçizi dhe kërkon kthimin e saj në shtëpi.

Ky i fundit, pas bisedave me të motrën, e çon përsëri tek i shoqi, i cili, sipas zakonit, kishte përgatitur edhe një darkë. Gjatë darkës, krejt papritur, Erveheja largohet në drejtim të Memaliajit. Mbas kësaj largohet dhe Çerçizi e brenda natës kthehen të dy në shtëpi, e para Erveheja dhe më pas Çerçizi. Pas asaj dite, Erveheja u zhduk dhe nuk u pa gjëkundi.

Fakti i zhdukjes së saj nuk preokupoi asnjë nga familjarët. Këta të fundit besohet se kanë mbetur të kënaqur, pasi shpëtuan nga prezenca e saj. Me këtë lidhet heshtja e të vëllait, Çerçizit, të ëmës, motrës dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes. Tri vite më vonë, në janar 1959, organet e hetimit nisën procedurën për fatin e të zhdukurës. Nga rrethanat e çështjes del se fillimi i hetimeve për rastin e dhënë ishte me vend.

Përderisa Erveheja mungonte në drejtim të paditur qysh në vitin 1956, derisa ky largim u bë në kushte të dyshimta dhe shpjegimet e të afërmve të saj ishin kontradiktore, për hetuesinë kishte plot arsye që të mendonte se në rastin konkret mund të ndodhemi para krimit të vrasjes.

POLICIA: ERVEHENË E KANË VRARË

Në datën 3.7.1959, sipas dokumentit të Prokurorisë, Policia e Skraparit filloi ndjekjen penale kundër Çerçiz Dyrmishit nga katundi Kopreckë, me banim në Memaliaj, gruas së tij, Fatime Dyrmishi, dhe vjehrrës, Hatixhe Hasanaj, për vrasjen e qytetares Ervehe Dyrmishi, motrës së Çerçizit, për motive të dobëta. Së bashku me tre të pandehurit u mor në përgjegjësi penale edhe Emine Dino për moskallëzim krimi.

Hetimet në fillim u zhvilluan nga hetuesi i degës së Skraparit, Ali Cufi, dhe pas dy muajsh u ngarkua hetuesi i Drejtorisë së Përgjithshme, Zija Çela. Ndërkaq kontrolli mbi hetimet u krye direkt nga kryetari i degës së hetuesisë së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Misto Bllaci.

Në përfundim, çështja iu referua Gjykatës së qarkut Gjirokastër, e cila deklaroi fajtorë të katër të pandehurit, duke dënuar Çerçiz Dyrmishin me 25 vjet heqje lirie (Prokurori kërkoi dënimin me vdekje), Fatime Dyrmishi me 15 vjet, Hatixhe Hasani me 20 vjet dhe Emine Dino me një vit me kusht. Vendimi u la në fuqi nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë.

TË PANDEHURIT: E KEMI MBYTUR

Në procesverbalin e datës 12.3.1959, Çerçizi pohoi: “E qëllova Ervehenë me një hekur tri herë në kokë. Mbasi u rrëzua, vjehrra i zuri gojën për të mos bërtitur, ndërsa gruaja i hodhi litarin në fyt. Mbasi u shkaktua zhurma, erdhi Mineja dhe na pa. Në orën 11 e mbështollëm me një batanije dhe e shpumë afër lumit. Bëmë një gropë një metro të thellë dhe e varrosëm. Isha unë, Hatixheja, Fatimeja dhe Mineja. Nga varrimi u kthyem në ora 12:30 të natës”.

Në procesverbalin e datës 18.4.959, Fatime Dyrmishi deklaroi: “Çerçizi i ra me një shkelm dhe Erveheja ra e vdekur. Prezente ka qenë edhe Minija. E mbuluam me një batanije dhe ia hodhëm mbi kurriz Çerçizit, i cili bashkë me Minenë e nxorën jashtë. Se ku e hodhën, nuk e di. Nëna gjithashtu mbeti në krevat (në shtëpi)”.

Në procesverbalin e datës 20.4.1959, Fatime Dyrmishi jep këto shpjegime: “E mbytëm qysh atë natë që u kthye nga burri. Më parë Çerçizi i ra me shqelm dhe pastaj e mbyti me litar. Unë i mbaja gojën me shami dhe Çerçizi me Minenë i shtrëngonin litarin. Nëna i mbante duart dhe këmbët. Mbas vrasjes e nxuarrën jashtë Çerçizi dhe Minija. Rrugën e kontrolloi më parë Çerçizi. Trupin e hodhëm në lumë”.

fax1

Në procesverbalin e datës 8.4.1959, Hatixhe Hasani, pas ballafaqimit me Fatimen, thotë: “Çerçizi vajti në dhomë të Minesë dhe u kthyem bashkë. Mineja mbante në dorë një litar dhe ia hodhën Ervehesë për ta mbytur. Unë me vajzën (Fatimen) vumë duart në kokë, dukë thënë ç’po bëni. Të nesërmen Çerçizi më tha se e hodhën në lumë”.

Në procesverbalin e datës 15.4.1959 shpjegon: “Unë, kur e varrosëm, s’kam qenë, por vendin ma tregoi vajza Fatime një ditë që po lanim rrobat. Tani vendi u deformua. Atë natë ka vajtur edhe Fatimeja. Çerçizi e mbyti me litar, Fatimja i mbante gojën me peshqir”.

Në procesverbalin e datës 1.4.1959, Mineja thotë: “Pashë Ervehenë të vrarë dhe të mbuluar. Më thanë se e vranë, mbasi i turpëroi. Unë u largova”.

Në procesverbalin e datës 16.4.1959, Mineja jep këtë përshkrim: “Nga korridori dëgjova se po ziheshin. Çerçizi e goditi me mashë. Vajta në dhomën e tyre, hapa derën dhe më thanë se e vranë Ervehenë. Ajo qe e shtrirë dhe e mbuluar me batanije. Nuk e di si e hodhën, mbasi dola nga dhoma”.

PROVAT: VARRI BUZË LUMIT

Vendvarrimi i viktimës veçohet si prova më e fortë e procesit për dënimin e Çerçiz Dyrmishit dhe tre pjesëtarëve të tjerë të familjes për vrasjen e Ervehesë. Së paku, për pjesën e ekspertëve të cilët janë marrë drejtpërdrejt me çështjen.

Përtej pasaktësive dhe kundërthënieve që përmbajnë dokumentet e hetuesisë rreth këtij objekti, akoma më misterioz e bëjnë ekzistencën e tij dëshmitë e të pandehurve. E vetmja pikë ku bashkohen thëniet e tyre gjatë procesit është përshkrimi i një vendi në buzë të lumit në skaj të qytetit.

Në rrëfimin pas procesit gjyqësor, Çerçiz Dyrmishi ka treguar çastet kur është përgjigjur për vendvarrimin e Ervehesë. “Ishte natë, një natë e errët dhe e ftohtë. Pasi e mbytëm, e mora në supe dhe e çova në një vend afër lumit. Aty ishte një gropë dhe e hodha. E mbuluam me baltë dhe me ferra që të mos kuptohej dhe u kthyem në shtëpi. Më çuan aty hetuesit me dhjetëra herë. Kemi gërmuar me ta, por nuk kemi gjetur gjë.- Ndoshta mund ta ketë marrë lumi,- u thosha unë atyre”. Gati të njëjtën përgjigje ka dhënë për vendvarrimin edhe e shoqja e Çerçizit, Fatimja.