Hajdari: Dënoj ashpër mënyrën se si po bëhet politikë me COVID

Hajdari: Dënoj ashpër mënyrën se si po bëhet politikë me COVID

302
0

Deputetja Rudina Hajdari akuzoi sot qeverinë dhe opozitën se nuk po e trajtojnë situatën e pandemisë në mënyrë realiste por po e përdorin për përfitime politike.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Hajdari akuzoi opozitën se po bën politikë me viktimat e COVID-19 duke iu referuar denoncimit të një jave më parë të kryetarit të PD, Lulzim Basha, se qeveria po fsheh shifrat reale.

Ndërsa nga ana tjetër, deputetja tha se qeveria po flet jashtë realitetit sa i përket shëndetësisë.

Në fund ajo bëri thirrje për bashkim në përballimin e kësaj krize.

 

“Kjo është një situatë që vërtet duhet të gjejmë solidaritet dhe të kemi përgjegjësi të larta njerëzore.

 

Sot dua të dënoj në mënyrë të ashpër mënyrën sesi po bëhet politikë me vdekjet. Në një krahë kemi një palë që valëvit si flamur betejë njerëzit në morg.

 

Dhe kemi palën tjetër, këta që thonë se shëndetësia është një pasuri e madhe kombëtare që po ecën në mënyrën më të mirë të mundshme.

 

Këto nuk janë realitete dhe mënyra se si mund të përballohet kjo situatë. Ne nuk mund të bëjmë politikë me këtë situatë. Të krijojmë një komitet për një strategji të qartë se si do të ecim përpara me këtë pandemi.

 

Të mos zihemi me njëri-tjetrin. Të qëndrojmë krah për krah njeri-tjetrit dhe të qetësojmë qytetarët shqiptarë”, tha ndër të tjera deputetja Hajdari.