Gjyqtari me titull “Profesor” kandidat për Kushtetuesen, përballet sot me vetingun

Gjyqtari me titull “Profesor” kandidat për Kushtetuesen, përballet sot me vetingun

481
0

Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, njëherësh edhe kandidati për Gjykatën Kushtetuese, Ilir Mustafaj, pritet të përballet me procesin e vetingut në një seancë të dytë sot.

 

Mustafaj vjen nga rradhët e të përndjekurve politikë dhe ka një karrierë 20 vjeçare në drejtësi, ku mban dhe titullin profesor. Ka përfunduar Fakultetin e Drejtësisë në vitin 1996 dhe ka punuar deri në vitin 2000 si ndihmësgjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Që prej vitit 2000, ai ushtron funksionin e gjyqtarit në këtë gjykatë, ndërkohë që ka qenë edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Për Mustafajn, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi një seancë në datën 14 qershor. Në këtë seancë dëgjimore, ai pati një diskutim me anëtarët e treshes që ka kryer hetimin për të, duke kërkuar edhe përjashtimin e relatores së çështjes Xhensila Pine. Mustafaj kërkoi nga trupi gjykues hetimin në të tri kriteret, pasi hetimet vetëm në kriterin e pasurisë, sipas tij, nuk është i drejtë. Më qëllim që të merret parasysh kërkesa e tij, seanca e 14 qershorit për kandidatin për Gjykatën Kushtetuese, Ilir Mustafaj, u shty dhe ende nuk është lënë një seancë tjetër.

 

Gjatë zhvillimit të seancës së parë dëgjimore, Mustafaj bëri një përmbledhje të karrierës së tij mbi 20-vjeçare dhe kërkoi që të merreshin parasysh pretendimet e tij. “Prej 23 vitesh jam gjyqtar, kam gradën ‘Doktor’ dhe titullin ‘Profesor’, jam lektor, kam kryer botime brenda e jashtë vendit dhe kam qenë përfaqësuesi i Magjistraturës shqiptare në Bruksel. Si i vetmi ‘Profesor’ në sistemin e drejtësisë, vazhdoj të mbetem në një Gjykatë të Shkallë së Parë”, tha Mustafaj. Ky i fundit bëri të ditur se katër ditë para seancës dëgjimore i kishte dorëzuar Komisionit 48 faqe parashtrime dhe 336 faqe prova shkresore.

“Për të marrë në konsideratë provat që kam sjellë, do të duheshin minimumi 1 javë për t’i lexuar dhe jo më pak se 10 ditë për t’i shqyrtuar”, tha gjyqtari. Nga ana tjetër, kryesuesi i trupit gjykues, Lulzim Hamitaj, tha se provat janë shqyrtuar dhe se për nga administrata dhe mënyra e punës, KPK mund ta realizonte këtë gjë në pak ditë. Gjithashtu, Hamitaj i kujtoi gjyqtarit se praktika e përfundimit të hetimit në një kriter ishte tashmë e konfirmuar edhe nga shkalla e dytë e vetingut, Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

 

Ndërkohë, Ilir Mustafaj tha se pasuria e tij përbëhej nga një shtëpi dhe një makinë, duke lënë të kuptohet se nuk ka vend për dyshime. Ndërkohë, për gjyqtarin nuk ka pasur asnjë denoncim nga publiku. “Gjithë pasuria ime është vetëm një shtëpi dhe një makinë që kapin një vlerë jo më shumë se 60 mijë euro, që në fakt është trashëgimi nga nëna. Është hera e parë që shikoj të kundërshtohet prova shkresore dhe të mos kryhet ballafaqimi i tyre,” tha Ilir Mustafaj.

 

KANDIDATET PER KUSHTETUESE

 

Alban Brati

Arta Vorpsi

Avni Shehu

Elsa Toska

Fiona Papajorgji

Ilir Mustafaj

Irena Reso

Kestrin Katro

Klodian Rado

KostandinKaanxhi

Marsida Xhaferllari

Mimoa Qinami

Valbona Bala (Pajo)