Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë me histori lavdie, krenarie e...

Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë me histori lavdie, krenarie e suksesi në shekuj për mbrojtjen territoriale të atdheut

346
0

Në emisionin Autokton të Autores  Anila Ahmataj u trajtua historiku dhe modernizimi i Forcave të Armatosura…

 

Ato përbëjnë një nga shtyllat e domosdoshme të ekzistencës e të garantimit të pavarësisë së shtetit shqiptar. Sot ato janë më të vlerësuarat e më të besuarat në mbarë opinionin shoqëror, me kontribute të mëdha, jo vetëm për mbrojtjen e vendit e ndihmën ndaj popullsisë, por edhe kontribuuese direkt ndaj paqes e sigurisë në rajon e më gjerë. Forcat e Armatosura kanë një histori e një rrugëtim të gjatë, ashtu siç ka historinë vetë shteti shqiptar. Krijuar më 4 dhjetor 1912, fill pas krijimit të qeverisë së Ismail Qemalit, ato kanë përshkruar një rrugë sa të vështirë, aq edhe të bukur e të lavdishme. Pavarësisht politikës, pavarësisht politizimit dhe idelogjizmave të kohës, në ndonjë rast edhe tradhtisë ndaj tyre, ato kanë ditur të orientohen drejt dhe të qëndrojnë besnike idealeve të popullit, mbrojtjes së vendit. Është pikërisht ky qëndrim konsekuent ndaj kauzës së lirisë e të mbrojtjes së vendit, demonstruar ndër vite nga Forcat e Armatosura, që i bën ato të gëzojnë respektin e dashurinë e popullit. Ushtria asnjëherë nuk është ngritur mbi popullin dhe interesat e tij, edhe në ndonjë rast kur e kanë detyruar, ka ditur të ruajë si gjënë më të shtrenjtë betimin ushtarak, sepse pjesëtarët e saj, ushtarë, nënoficerë e oficerë janë bijtë e bijat e tij, janë nga ajo shtresë e njerëzve të thjeshtë, të punës e të atdhetarisë shqiptare.

Zhvillimi, ristrukturimi e modernizimi i Forcave të Armatosura nga viti 1912 e deri më sot, ka kaluar në disa etapa në përshtatje me situatën gjeopolitike në rajon e më gjerë, por edhe në harmoni të plotë me mundësitë e burimet financiare të shtetit e të shoqërisë shqiptare në tërësi.

Në rrugëtimin e vështirë, që iu desh të përballej, shteti shqiptar në hapësirën kohore 1912 – 1939

 

 

organizimi ushtarak…

 

Dalëngadalë mori formën dhe modelin që i përngjante ushtrive të kohës, por gjithçka shteti shqiptar dhe Forcat e tij të Armatosura kishin arritur deri në fillimin e Luftës së Dytë Botërore do të shuhej në ditën e agresionit fashist ndaj vendit tonë, më 7 prill 1939, ku shteti u bë inekzistent dhe për pasojë edhe ushtria e asaj kohe. Në këto rrethana lindën forca të reja të armatosura që u përkisnin grupimeve të ndryshme politike të kohës. Forca më e madhe me një skemë organizative të qëndrueshme dhe shumë efecientë, me formacione sulmuese të disiplinuara, me një ngritje numerike progresive dhe me një Shtab të Përgjithshëm, që pati përkrahjen masive të popullit, ishte Ushtria Antifashiste Nacionalçlirimtare, e cila bëri të mundur çlirimin e Shqipërisë më 29 nëntor 1944 dhe çeli një epokë të re, atë të rindërtimit të vendit.

Pas çlirimit të vendit, pjesa më e madhe e partizanëve u rreshtuan në Forcat e Armatosura dhe u shkolluan e arsimuan në shkollat ushtarake të krijuara në vend, si Shkollën Ushtrake “Skënderbej” e Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, por edhe në akademitë ushtarake në vendet mike jashtë vendit. Ashtu siç filluan të organizoheshin të gjitha strukturat e shtetit, edhe Forcat e Armatosura iu nënshtruan një procesi të tërë organizimi. Ato u organizuan në njësi të mëdha ushtarake e dalëngadalë krijoi e modernizoi të gjitha armët e shërbimet sipas modelit të një ushtrie të rregullt.

Gjate periudhës së Luftës së Ftohtë, në vitet 70 dhe 80, Forcat e Armatosura patën një rritje të madhe numerike në forca aktive, rezerviste dhe vullnetare, sipas parimit “I gjithë populli ushtar”. Bazuar në konceptin e mbrojtjes pëllëmbë për pëllëmbë ushtria u shpërnda në shumë pika hapje gati në të gjithë vendin dhe fortifikimi u kthye në qëllim më vete.

 

Në vitet 90′ me ndryshimin e sistemit politik, edhe ushtria u bë pjesë e këtyre ndryshimeve.

 

Reforma në Forcat e Armatosura filloi me vendosjen e kontrollit civil në to, heqjen e simboleve komuniste nga uniformat ushtarake dhe zëvendësimi e tyre me simbolet kombëtare, vendosjen e gradave dhe depolitizimin e departizimin e tyre. Këto reforma u kryen hap pas hapi në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të arritur në një strukturë më të vogël në numër, por më solide në të vepruar e bashkëvepruar me aleancën.

Në vitin 1992, Shqipëri shpalli publikisht dëshirën e saj për t’u bërë anëtare e NATO-s, dëshirë e cila u pasua me ndërmarrjen hap pas hapi të një sërë reformash, në radhë të parë në mentalitetin e drejtimit, në organizimin e forcave me tendencë zvogëlimin e tyre, në pajisjen me armatim e teknikë të re e bashkëkohore të ndërveprueshëm me NATO-n, përgatitjen e kualifikimin e personelit në vendet partnere, aplikimin e një sërë standardesh bashkëkohore të nevojshme deri sa arritën pikën e tyre kulmore me anëtarësimin në NATO në prill 2009, duke u bërë kështu anëtare me të drejta të plota të kësaj organizate euroatlantike, si garantja kryesore e paqes dhe e lirisë kudo në botë

Tashmë me hyrjen e Shqipërisë në NATO, Forcat e Armatosura, u përfshinë në një sërë aktivitetesh e stërvitjesh së bashku me vendet aleate. Duke qenë pjesë e mbrojtjes kolektive, Forcat e Armatosura kanë vite që marrin pjesë në stërvitje e misione të përbashkëta me NATO-n jashtë vendit, por në të njëjtën kohë janë në gjendje të organizojnë në rolin e vendit pritës, edhe stërvitje me përmasa të mëdha brenda vendit, duke ofruar gjithë infrastrukturën aeroportuale dhe tokësore të nevojshme për zhvillimin e tyre, siç mund të përmendim zhvillimin me sukses të stërvitjeve më të fundit “Defender 21” e “Defender 23”.

Në ditët e sotme, arsimimi ushtarak përbën edhe prioritetin kryesor të punës së Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm. Përveç përgatitjes së oficerëve në vendet mike dhe aleate, tashmë funksionon Akademia e Forcave të Armatosura, sipas ligjit të arsimit të lartë, por edhe përvojës së akademisë amerikane “West Point”, brezi i parë i bachelorit të të cilit mbaroi këtë vit dhe aktualisht sapo është çelur viti i ri akademik, brezi i dytë i bachelorit dhe master me degë të tilla si: Teknologji Informacioni, Navigim Detar, Shkenca Ushtarake, Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Shkenca Komunikimi. Gjithashtu në Kolegjin e Mbrojtjes e Sigurisë vijojnë kurset institucionale të kualifikimit të oficerëve, ndërsa në Akademinë e Nënoficerëve kurset e përgatitjes e kualifikimit të nënoficerëve “Shtylla kurrizore” e Forcave të Armatosura, stërvitja bazë e ushtarëve profesionistë të rekrutuar rishtas bëhet e përqëndruar në Qendrën e Stërvitjes Bazë në Bunavi, duke hedhur në këtë mënyrë hapa të sigurt për një arsimim të qëndrueshëm e solid në përgatitjen e kualifikimin e ushtarakëve si “lider të së ardhmes”.

Në arritjen e këtyre sukseseve gjatë një rruge tepër të gjatë, gati 111 vjeçare të Forcave të Armatosura është mundi, djersa, gjaku, përkushtimi i mijërave burrave dhe grave në uniformë që kanë sakrifikuar vetë por edhe familjet e tyre, që forcat e Armatosura të realizojnë misionin e tyre kushtetues. Profesioni i ushtarakut është një profesion sa i vështirë, aq edhe i bukur, që buron drejtpërdrejtë nga vlerat më të larta dhe të shenjta të atdhedashurisë dhe të sakrificës më sublime në emër të atdheut, të lirisë e të paqes. Prandaj Forcat e Armatosura kanë dëshmorët dhe heronjtë e saj, të ajrit, të tokës e të detit, ashtu siç ka edhe dëshmorët rënë për paqen e sigurinë kudo në botë.

Ruajtja e pavarësisë, sovranitetit dhe tërësisë territoriale te vendit, mbrojtja dhe mbështetja e popullit në kohe paqeje, krize e lufte, si dhe dhënia e kontributit për paqen dhe sigurinë kudo në botë janë detyra të larta që kërkojnë aftësi të spikatura, përgjegjshmëri, sakrificë e përkushtim, cilësi këto që i kanë dhe i zotërojnë më së miri veç ushtarakët. “Detyra, Nderi e Atdheu” është trinomi dhe kodi etik që i ka karakterizuar dhe i karakterizon ushtarakët tanë në çdo kohë.

Mbrojtja e atdheut është parë dhe konsideruar jo vetëm si atribut i ushtarakëve meshkuj, por edhe atyre femër. Tradita e krijuar që me oficeret e para në vitin 1970, ka vijuar, biles edhe më me përparësi, duke rekrutuar e përgatitur, jo vetëm oficere, por edhe ushtare profesionist e nënoficere. Sot femrat ushtarake i gjen në fushat e poligonet e stërvitjes, në mbështetjen e furnizimin e reparteve, i gjen pranë anijeve luftarake e pranë mjeteve ajrore, ku tani kemi edhe piloten e parë femër, i gjen në patrullim në detyrat policore, në kryerjen e shërbimit të rojës, në auditorët e Akademisë së Forcave të Armatosura, në Shtabin e Përgjithshëm dhe në Shtabet e Komandave të Forcave, në misionet paqeruajtëse, shtabet e NATO-s, e kudo tjetër ku është nevoja dhe ku e kërkon funksioni organik. Aktualisht rreth 15% e personelit ushtarak është femër, të cilat kryejnë detyra të njëjta si edhe kolegët e tyre ushtarakët meshkuj, çka përbën edhe një detyrim të Rezolutës 1325 të OKB-së “Gruaja. Paqja dhe Siguria”.

Forcat e Armatosura i gjen sot më të pakta në numër, por me një strukturë shumë funksionale e më cilësore, me armatim, teknik e pajisje bashkëkohore të ndërveprueshme me vendet e NATO-s, me personel më të kualifikuar e të trajnuar, më të motivuar e më të shpërblyer, falë përkujdesjes e vendimeve të fundit të qeverisë, duke e bërë profesionin e ushtarakut më të kërkuar, më të dashur e të vlerësuar në sytë e popullit. Ushtarakët i gjen sot në misionet jashtë vendit të udhëhequr nga NATO, OKB e BE, në shtabet e NATO-s, në përfaqësitë tona ushtarake jashtë vendit. Ata konsiderohem me të drejtë “Ambasadorët e Paqes” në botë.

Për të njohur më nga afër stadin aktual të zhvillimit dhe modernizimit të Forcave të Armatosura, si dhe me objektivat e vizionin e së ardhmes së tyre, emisioni “Autokton” ishte në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ku zhvilloi një bisedë mjaft të ngrohtë, të këndshme dhe mbresëlënëse me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Arben Kingji, ku veç të tjerash mësuam se çfarë është berë me modernizimin e FA si dhe çfarë vizioni i pret ato në të ardhmen…