Fiskalizimi, shpresa e dështuar se teknologjia do zhdukë informalitetin!

Fiskalizimi, shpresa e dështuar se teknologjia do zhdukë informalitetin!

68
0

Nga Nikollaq Neranxi

 

Shqipëria është vendi i vetëm në Rajon dhe Europë, i cili po aplikon një sistem të komplikuar të monitorimit të të dhënave ndaj biznesit, i cili njihet rëndom me emrin fiskalizim. Në mandatin e saj të tretë, kjo qeveri, e cila ka dhënë prova të mjaftueshme ndër vite se është një armike e betuar e sipërmarrjes së ndershme private, tashmë nuk po bën gjë tjetër me fiskalizimin, por po i shton asaj edhe një problem tjetër. Fiskalizimi që në hapat e parë të ideimit të tij, është paraprirë nga një megapropagandë qeveritare, sipas së cilës, më në fund do zhduket informaliteti dhe në arkën e shtetit do ketë më shumë para. Por mbi të gjitha, na është thënë se na e kërkon Europa, gjë që nuk është e vërtetë. Direktiva e BE-së, së cilës i është referuar qeveria kur ka bërë këtë ligj, miratuar edhe nga Parlamenti, nuk ka lidhje me faturën elektronike, por me lehtësimin e marrëdhënieve ndërkufitare shtet me shtet për prokurime publike, jo për marrëdhëniet biznes-biznes, apo biznes-konsumator.

 

Pra, duket qartë se kjo është një vendimmarrje e qeverisë sonë, e paimponuar nga askush.

 

Lind pyetja, atëherë pse po e kërkon me kaq ngulm fiskalizimin Rama dhe qeveria e tij? Qëllimi është një dhe aspak i panjohur. Ky do të jetë një instrument më shumë për të vënë në vështirësi bizneset dhe për t’i falimentuar ato. Po ju rendis disa probleme:

 

Problemi i parë: Procesi i fiskalizimit është shumë i kushtueshëm dhe përveç pasurimit të kompanive oligopole që janë përzgjedhur për të tregtuar mjetet dhe shërbimet e fiskalizimit, të gjithë të tjerët do paguajnë një thes me para, pasi qeveria nuk merr përsipër asnjë investim apo kompensim në këtë drejtim, edhe pse ky proces i shërben vetëm asaj. Me sistemin e ri, biznesi do ketë rritje të kostos së administrimit, ndërlikim të bazës ligjore procedurale dhe rritje të shpenzimeve për kompletimin e infrastrukturës. Nuk mund të them një shifër ekzakte se sa kushton fiskalizimi, sepse ka shumë elemente dhe shumë formula përllogaritjeje, por sa më e sofistikuar të jetë struktura e shitjes, aq më shtrenjtë do të kushtojë procesi. Nga blerjet e kompjuterëve, printerëve, softuerëve, mirëmbajtja, certifikata elektronike, fuqi punëtore shtesë dhe me ekspertizën e duhur për të aksesuar programet etj., janë mijëra euro në vit shpenzime për çdo biznes dhe të gjitha këto, pasi kemi kaluar periudha mjaft të vështira dy vitet e fundit, si tërmeti dhe pandemia, ku nga kjo e fundit nuk kemi dalë akoma.

 

Problemi i dytë që ka fiskalizimi në këtë formë, ka të bëjë me deklarimin e të dhënave mjaft sensitive në Tatim-Taksa. Për një biznes të madh që shet te një i vogël, kjo mbart mjaft rrezik. Tashmë, zyrat e tatimtaksave do të kenë të dokumentuara se çfarë po shet një biznes dhe kujt po ia shet. Në këtë mënyrë, ata ndërtojnë një database të klientelës së biznesit, produkteve që blen secili klient dhe fare mirë këto të dhëna mund t’ia japë një konkurrenti. Kam të gjithë të drejtën e botës të dyshoj, përderisa ka kaq shumë korrupsion në zyrat e shtetit dhe këto të dhëna në duart e tyre përbëjnë një rrezik të madh. Do të duhet mjaft kohë që të krijohet një marrëdhënie besimi mes biznesit dhe institucioneve shtetërore. Pra, shteti duhet të reformojë thellësisht veten në fillim, që të mund të kërkojë shumëçka nga biznesi më pas. Edhe FMN, në vitin 2019 evidentoi në një raport, se mënyra si është ndërtuar buxheti dhe cilësia e institucioneve fiskale, ka nevojë për më shumë përmirësime për të ndihmuar vendin të lëvizë drejt një ngritjeje ekonomike.

 

Problemi i tretë është se fiskalizimi i bërë në këtë kohë dhe me këtë mënyrë, nuk do ta ulë informalitetin dhe përsëri nuk do arrijë t’u marrë para informalëve. Në Shqipëri nuk janë problem bizneset e ligjshme. Si me kasë, si me kompjuter, si me faturë në kohë reale apo pak më vonë, ata paguajnë çdo detyrim në shtet. Po bizneseve që kanë punuar deri tani duke bërë evazion, çfarë magjie do t’u bëjë kompjuteri? A do mundet kjo qeveri ta fiskalizojë biznesin që sjell mallra pa doganë ose furnizohet në rrugë të tjera të paligjshme? Ai mall, në të gjithë zinxhirin e tij, nuk do lërë asnjë gjurmë, nuk do lëshohet asnjë faturë, pra, përsëri asnjë lekë në buxhet. Janë vetë këta qeveritarë që e kanë lejuar deri tani këtë evazion dhe korrupsion dhe do vijojnë ta lejojnë për sa kohë fitimi ndahet nga poshtë-lart. Teknologjia e fiskalizimit, sado e sofistikuar dhe moderne të jetë, ajo nuk ka ndonjë fuqi magjike të largojë vesin, i cili te ne është ngritur në sistem.

 

Dhe së fundmi, sa më shumë para t’i kërkojë shteti biznesit të ndershëm, duke shpikur llojlloj ligjesh e vendimesh, për t’iu rritur shpenzimet, aq më pranë falimentimit do jetë ai. Nuk jemi duke folur këtu për biznese që operojnë në prosperitet. Ata numërohen me gishtat e duarve dhe janë klientët e pushtetit. Vështirësitë financiare të sipërmarrjes janë të jashtëzakonshme dhe impenjimi i qeverisë për ta ndihmuar me politika lehtësuese, është zero. Mbase kjo mund të jetë qeveria e vetme në botë, e cila edhe në vitin e pandemisë dhe të karantinës i mori biznesit një më një çdo taksë, madje të shoqëruara edhe me gjoba e kamatëvonesa. Pra, nuk ka dyshim se fiskalizimi do të jetë për shumë biznese pika që do derdhë gotën dhe ata do të falimentojnë. E duke falimentuar, natyrisht që nuk do të mblidhen më shumë para për buxhetin e shtetit, por shumë më pak. Referuar INSTAT, vetëm në marsin e këtij viti, rreth 45% e punonjësve nuk deklarojnë sigurimet shoqërore dhe kjo për arsye se janë mbyllur me mijëra biznese ose edhe ata që vijojnë punën kanë tkurrur stafin. Vetëm gjatë vitit 2020 kanë falimentuar rreth 45000 biznese dhe aktualisht kalojnë në status pasiv rreth 60 biznese në ditë.

 

Qeveria këto kohë duhet të ishte afër halleve të sipërmarrësve, t’i dëgjonte ata, t’i ndihmonte, jo të bënte reforma të dhunshme si kjo e fiskalizimit, të cilën e kanë kundërshtuar të gjithë përfaqësuesit e biznesit. Eksperienca ka treguar se qasja e dhunshme e institucioneve të shtetit ndaj biznesit, jo vetëm që s’e ka zhdukur informalitetin, por e ka thelluar atë dhe të ardhurat në buxhet jo vetëm nuk janë rritur, por janë ulur.

 

I ndodhur në gjithë këtë presion, jo vetëm bizneset e vogla me fuqi të vogël financiare, por edhe ato të mëdhatë, të cilat kanë vite që operojnë në treg dhe kanë bërë një emër, mund të falimentojnë dhe vendin e tyre mund ta zënë operatorë të rinj biznesi, të cilët kapitalin fillestar e kanë siguruar në rrugë të paligjshme. Ne e dimë mirë se sa shumë para të tilla ka në Shqipëri. Reforma e duhur dhe urgjente në ekonomi, në këtë kohë, do të ishte pikërisht kjo, të hetohen të gjitha burimet e ngritjes së një biznesi dhe t’u mbyllet aktiviteti atyre që nuk deklarojnë burimin e kapitalit, në mënyrë që konkurrenca të jetë e ndershme. Vetëm kështu rritet ekonomia dhe shtohen paratë në arkën e shtetit, sepse në garën e tregut duhet të jemi të gjithë të barabartë.

 

Si përfundim, nuk kam dyshim që ky proces do dështojë dhe për fat të keq me kosto të mëdha për sipërmarrjen, pasi në këto kushte ekonomike dhe në këtë formë siç e kërkon qeveria, unë e shoh të pamundur suksesin. Në një vend me korrupsion dhe informalitet të lartë, çdo reformë, sado avangarde të jetë nga pikëpamja teknologjike, është e destinuar të dështojë.

 

Nga Nikollaq Neranxi

 

Gazeta Panorama, 27 korrik 2021