“Fëmija po digjej, hyra mes flakëve”, rrëfimi rrëqethës i nënës së 3...

“Fëmija po digjej, hyra mes flakëve”, rrëfimi rrëqethës i nënës së 3 fëmijëve dhe vjehrrës: Gjithçka u bë hi

398
0

Ende pa zbardhur dita, kjo 18-vjeçare u zgjua mes flakëve të zjarrit, që i kishin përfshirë shtëpinë. Ajo rrëmbeu së bashku me burrin tre fëmijët e mitur, më i vogli vetëm 6 muajsh, për të dalë jashtë.

Burri menjëherë ka shpërthyer derën dhe familjarisht, pesë personat brenda përfshirë edhe dy të moshuar shpëtuan pa u lënduar.

 

 

 

Gjithçka kishte në apartamentin e Maries, në katin e pestë në banesat sociale në Shkozë, u shkrumbua në pak minuta. Ishin fqinjët ata që njoftuan zjarrfikëset, të cilat e shuan zjarrin brenda pak minutash.

 

Maria thotë se flakët mund të jenë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike në kuzhinë. Ende i duken shenjat e blozës në fytyrë dhe flokë, ndërsa të miturit janë mbuluar prej saj. Gruaja u fut mes flakëve të shpëtonte fëmijët.

 

“Hyra atje në kuzhinë mes flakëve ja shiko flokët, mora fëmijën, ishte duke u djegur. I mora fëmijët ika, burri theu derën”, tregoi Maria.

 

18-vjeçarja e tronditur ende nuk e beson ferrin që përjetoi. Ajo tregon për News24 se gjithçka kishte siguruar me mundim, duke lypur nëpër rrugët e Tiranës, në Kosovë dhe Greqi, bashkë me fëmijët dhe vjehrrën, u bënë hi në çast. Paratë e mbledhura, dokumentet dhe pak mall me rroba të përdoruara ishte gjithçka që kishin.

 

“Kemi lypur në Tiranë, në Kosovë, në Greqi. Burri dhe vjehrri dalin dhe mbledhin hekura dhe kanaçe. Malli u dogj i tëri, të gjitha, donim të dilnim t’i shisnim të hanim bukë, u dogj. Gjithçka rrobat, këpucët, u dogjën lekët, gjithçka”, shtoi ajo.

 

Sa para kishe?

Maria: Një milion lekë kisha, të gjitha u dogjën nuk ngeli gjë. Nuk kemi asgjë tjetër tani, as rroba, as mall, asgjë, të na ndihmojë bashkia tani. Shih shtëpia nuk kam më lek, nuk kam ku të shkoj më.

 

Asnjë ambulancë nuk u gjend aty për Marien dhe fëmijët, asnjë person nga qendra sociale në Shkozë nuk u interesua për fatin e tyre, duke i pohuar News 24 me telefon se sot është thjesht një ditë pushimi. Pranë tyre ishin vetëm zjarrfikësit, fqinjët dhe mediat.

 

“U dogjën të gjitha ikën, shyqyr që më shpëtuan fëmijët o Zot, se nuk kam bërë keq. Ca do bëj të më ndihmojë Zoti dhe qeveria. Njerëzit e qendrës nuk duan ta dinë, nuk erdhi njeri nga zyra të shikonte, ja kështu kemi dalë nga shtëpia”, tha vjehrra.