Epidemia e gripit, 11 viktima dhe 30 mijë të sëmurë në Kosovë

Epidemia e gripit, 11 viktima dhe 30 mijë të sëmurë në Kosovë

313
0

Numri i madh i pacientëve nga gripi sezonal, nga i cili tashmë kanë vdekur 11 persona, ka ndikuar që në Kosovë të shpallet gjendje epidemike e gripit.

Që nga një tetori i vitit të kaluar, kur edhe është raportuar rasti i parë i gripit, në kuadër të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, janë raportuar gjithsej 29 mijë e 938 raste të dyshimta me grip.

Infektologu Sali Ahmeti, thotë se gjendja e të sëmurëve me grip, sidomos gjatë dy javëve të fundit, është e rëndë dhe se numri i pacientëve është i madh. Ai thotë gjithashtu se të sëmurët kanë komplikime shëndetësore. Në mjekim intensiv aktualisht janë pesë raste, derisa 11 tashmë kanë vdekur.

“Ka të sëmurë me raste mesatare dhe të lehta, por ka edhe forma me komplikime nga të gjitha rajonet e Kosovës dhe ka të sëmurë të spitalizuar nën mjekimin intensiv. Këta të sëmurë zakonisht kanë edhe sëmundje përcjellëse, respiratore, sëmundje kardiovaskulare, me diabet, sëmundje nervore të mëparshme dhe ndonjëherë përfundojnë edhe jo mirë, pra me vdekje”, tha Ahmeti.

Sipas Ahmetit, pothuajse të gjithë të vdekurit kanë qenë të pavaksinuar kundër gripit.

Në anën tjetër, në Klinikën Pediatrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pediatri Muharrem Avdiu bëri të ditur se numri i fëmijëve që po kërkojnë ndihmë mjekësore nga gripi sezonal është i madh.

“Sidomos gjatë vikendit kemi pasur deri në tre fëmijë në një shtrat. Kjo tregon që numri i fëmijëve me grip ka qenë shumë i madh. Megjithatë kapacitetet për trajtim janë të mjaftueshme dhe stafi është mobilizuar. Me barna jemi të furnizuar mirë dhe po shpresoj që gjitha rastet do ta kalojnë pa ndonjë komplikim”, tha Avdiu.