Emri/ Kush është 26 vjeçari që kanosi djemtë e Spartak Brahos

Emri/ Kush është 26 vjeçari që kanosi djemtë e Spartak Brahos

475
0

Pas publikimit nga ish-kryeministri Sali Berisha të mesazhit dixhital të qytetarit, ku tregonte për një sulm ndaj djemve të Spartak Brahos, ka ardhur konfirmimi i policisë, e cila ka shpallur në kërkim një 26 vjeçar.

 

Lajden Kadilli u përfshi në një sherr me djemtë e deputetit socialist, Spartak Braho, që degjeneroi në kanosje me armë. Kadilli rezulton me precedentë penalë në të shkuarën. Gjatë ditës së sherrit me djemtë e deputetit socialist më 18 gusht, ai ka qenë bashkë me babanë, Arjan Kadilli, të cilët kanë kërcënuar me armë Kreshnik Brahon.

 

Kadilli është shpallur në kërkim nga policia pas kanosjes me armë zjarri. Sherri ka lindur për shkak të një parkingu në pallatin ku banon djali i Brahos në qytetin e Durrësit. Lajden Kadilli ka lënë një motor në vendin e parkingut dhe pas sherrit, ai është rikthyer i armatosur duke kanosur 35 vjeçarin.

 

Mësohet gjithashtu se Lajden Kadilli ka qëlluar me qytën e automatikut xhamin e makinës ku ndodhej Kreshnik Braho dhe ky i fundit është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

 

“Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës kanë shpallur në kërkim dhe po punojnë për kapjen e shtetasit L.K., 26 vjeç, banues në Durrës  pasi për motive të dobëta dyshohet se ka kanosur me armë zjarri dhe i ka thyer xhamat e 2 mjeteve shtetasit K.B., 35 vjeç, banues në Durrës”, thuhej në njoftimin e policisë.

 

Ndërkohë, policia sqaron se ishte proceduar penalisht djali tjetër i deputetit socialist, Arbër Braho, pasi kishte goditur me sende të forta shtetasit A. K., 58 vjeç, dhe L.K., 30 vjeç duke i shkaktuar dëmtime trupore.