Emigrantët shqiptarë/ Greqia rinovon lejet e qëndrimit edhe për ata që pasaporta...

Emigrantët shqiptarë/ Greqia rinovon lejet e qëndrimit edhe për ata që pasaporta u ka skaduar brenda këtij viti

426
0

Qeveria greke ka vendosur të lejojë rinovimet e lejeve të qëndrimit edhe për emigrantët, pasaportat e të cilëve kanë skaduar brenda vitit 2020. Lajmi bëhet publik prej Ministrisë së Brendshme greke, e cila sqaron se e ka dërguar qarkoren në të gjitha qendrat e decentralizuara të prefekturave të vendit.

 

Burimet pranë kësaj ministrie sqarojnë se vendimi është marrë falë kërkesës prej ministrisë së Jashtme shqiptare si dhe me ndërmjetësinë e ekspertit të emigracionit, Fatos Malaj, i cili mori përsipër dhe realizoi gjithë termat teknikë të kësaj marrëveshjeje, raporton top channel.

 

Për shkak të vështirësive të krijuara prej Covid-19, qeveria greke shtyu deri në 31 dhjetor të gjitha lejet e qëndrimit që skadonin brenda 2020-ës, ndërsa me këtë vendim krijohet lehtësi edhe për mijëra emigrantë të tjerë, të cilët do të duhet ose të udhëtonin në Shqipëri, ose të nënshtroheshin në radhët të gjata në përfaqësitë tona diplomatike.

 

Prej këtij vendimi përfitojnë mijëra emigrantë shqiptarë, të cilët rrezikonin të mbeteshin pa leje qëndrimi, pikërisht për shkak të pamundësisë për t’u pajisur me një pasaportë shqiptare, për shkak të radhëve të gjata në ambasadën shqiptare në Athinë, dhe konsullatat tona në Janinë dhe Selanik.