Elbasani në “shtetrrethim” nga forcat operacionale. Të gjithë nën përgjim

Elbasani në “shtetrrethim” nga forcat operacionale. Të gjithë nën përgjim

512
0

Pas takimit që kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda zhvilloi me drejtuesit lokalë të Policisë së Elbasanit, pas incidentit të 18 shtatorit, urdhrat kanë qenë të qartë. Forcat operacionale speciale tashmë janë vendosur në qytetin e Elbasanit duke e kthyer atë qytet në një shtetrrethim të vërtetë. Kjo pasi shefi i akuzës Besim Hajdarmataj ka qenë i prerë, duke kërkuar me ngulm vazhdimin e hetimeve. Sipas burimeve të ABC News, elementët kriminalë do të mbahen në monitorim, si përgjim ambiental, fotografik dhe telefonik. Më herët prokuroria e rrethit të Elbasanit kishte kërkuar që tre elementë të dyshuar si kontigjent të mbaheshin nën përgjim. Por kjo gjë nuk u realizua, pasi forcat e posaçme nuk kishin stafi të mjaftueshëm për ta realizuar diçka të tillë. “Duket se situata kriminale në Elbasanit ka dalë jashtë kontrollit nga organet ligjzbatuesë dhe, për këtë arsye duhet edhe një kundërverpim i menjëhershëm”, mësohet se është shprehur në takimin me dyer të mbyllura shefi i prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ndërkohë, në të njëjtën linjë me kreun e akuzës ka qenë edhe ministri i brendshëm, Fatmir Xhafa. Burime konfidenciale, nga takimi për mbylljen e sezonit turistik, bëjnë të ditur për ABC News, se Xhafa ka pritur veçmas 12 drejtorët e policisë së qarqeve, duke i kërkuar në mënyrë të prerë që situata e Elbasanit të mos përsëritet më. Aktualisht për ngjarjen e Elbasanit qëndrojnë pas hekurave dy persona ndërsa një i tretë qëndron në arrest shtëpie. Dosja tashmë po përgatitet për t’ju deleguar organit të akuzës së prokurorisë së Rrethit Elbasan, pasi nuk ka elementë të veprës penale që gjykohen nga krimet e rënda.