Ekspozita e gazetarit Kreshnik Kuçaj / “Fillesat” e ekonomisë shqiptare, themelet në...

Ekspozita e gazetarit Kreshnik Kuçaj / “Fillesat” e ekonomisë shqiptare, themelet në financat e Shqipërisë

703
0

Historiani i njohur i ekonomisë Johan Clapham do të thoshte se historia e ekonomisë është dega më themelore e historisë, jo më e rëndësishmja. “Themelet ekzistojnë për të bartur gjëra më të mira”, ka thënë ai. Teksa sheh ekspozitën “Fillesat” të çelur në Kalanë e Tiranës për të shkuarën e financave të Shqipërisë kupton se nëse mëson diçka nga historia e zhvillimit ekonomik, është se kultura bën të gjitha ndryshimet.Gazetari Kreshnik Kuçaj sjell për publikun shqiptar për një javë ekspozitën me materiale nga fillesat e të shkuarës së financave të Shqipërisë, informacione dhe dokumente aspak ose pak të njohura të kompanive shqiptare në vitet ’20-’30, por dhe përpjekjet e shqiptarëve për të kapur ritmin e vendeve të tjera në mekanizmat modernë financiar. Z. Kuçaj na tretgon se ekspozita është konceptuar në formën e një rrugëtimi në vite duke u ndalur në ato që mund të cilësohen si gurët kilometrikë në historinë e financave dhe ekonomisë së vendit.

 

 

EKSPOZITA

Janë të pafundme dokumentet e kohës, por Kreshniku ka zgjedhur disa prej tyre të renditura sipas viteve dhe rëndësisë në ekonominë shqiptare.Ekonominë e tregut Shqipëria nisi ta aplikojë në mënyrë të strukturuar, të organizuar mbi baza kombëtare. Jetëgjatësia e shkurtër e qeverisë së Ismail Qemalit dhe më pas ndërhyrja e ushtrive të huaja kishin bërë të pamundur nisjen më herët të aplikimit të modelit ekonomik.

Në fillim të viteve ’20 kur vendi sapo kishte dalë nga lufta e Parë Botërore autoritet ndërmorën hapat e parë për të mobilizuar kapitale për zhvillimin ekonomik të vendit. Shteti u gjend mes dy alternativave, atë të marrjes hua nga jashtë dhe të dhënies së konçesioneve, duke zgjedhur këtë të dytën, pra, lejimin e shfrytëzimit të burimeve natyrore nga kompani të huaja. Për këtë qëllim në këto vite u mbajtën disa kongrese tregtare që kishin si synim që të bashkonin tregtarët shqiptarë me qëllim bashkimin e energjive për të ndërmarrë projekte madhore ekonomike.

 

 

Teksa ndalemi në foto pas fotove na tërheq vëmendjen historia e kompanive të atyre viteve. Në fund të viteve ’20 në Shqipëri ishte projektuar dhënia e 2 konçesioneve për fabrika birre. Njëra parashikohej të ndërtohej në Shkodër dhe tjreta në Korçë. Vetëm “Birra Korça” u ngrit. Koncesioni për ngritjen e fabrikës së birrës në Shkodër u votua nga Parlamenti në dhjetor 1926, por ajo nuk u ngrit dhe pse godina u ndërtua.

Një tjetër histori interesante ishte dhe ajo e përpjekjeve të krijimit të një banke, “Anglo Albanian Bank Lt”, me investim britanik të sjellë nga Mehmet Konica, ish ministër i qeverisë së Zogut në Uashington dhe sipërmarrësi shkodran Mark Kakarriqi. Ata kishin mund të siguronin mbështetjen e sipërmarrësit anglez Clarence Trevor. Projekti nuk u realizua dhe investitorët nuk mundën të bëjnë bashkë më shumë se 20 mijë paund nënshkrime për kapitalin themeltar.

RENDESIA E HISTORISE

Në ekspozitë krahas fotove të dokumenteve janë dhe dokumente fizike, si fatura të kohës libra tregtarë apo edhe një makinë llogaritëse e asaj periudhe. Ekspozita është çelur në kujdesin e Elvana Hana dhe është një bashkëpunim i TV SCAN, Credins Bank dhe Kalaja e Tiranes. Gazetari Kreshnik Kuçaj na thotë se “Fillesat” është hapi i parë i një projekti shumë-dimensional dhe afatgjatë për zbardhjen e historise ekonomike të vendit.