E rekomandojnë sapo infektohesh me Covid, ilaçi ”magjik” zhduket nga farmacitë e...

E rekomandojnë sapo infektohesh me Covid, ilaçi ”magjik” zhduket nga farmacitë e Tiranës: Mos e kërko kot, ka një muaj që…

464
0

Në farmacitë e Tiranës nuk ka Takipirinë, një nga medikamentet që rekomandohet të merret menjëherë mbasi të shfaqen simptomat e para të Covid-19. Në një vëzhgim rezultoi se ky medikament i rëndësishëm ka rreth një muaj që është në mungesë nëpër farmaci.

“Mos kërko kërkund. Kemi një muaj që nuk kemi, nuk e dimë pse”, thotë një nga farmacistet. Për mungesën e saj nuk janë në dijeni as mjekët që në receta e japin si medikament.

Nga rruga “Abdyl Frashëri” në kryeqytet deri në Sheshin “Skënderbej”, në të gjitha farmacitë ku ne ishim, rreth 15, kishte vetëm 3 kuti me Takipirinë, në tre farmaci të ndryshme, të shoqëruara nga farmacistët zakonisht me shprehjen: “As nuk e dimë si ka mbetur dhe kjo, është e fundit se më kishte mbetur në një cep dhe nuk e kisha vënë re se është.”

 

Gazeta “Si” foli me Sonila Isaku, zëdhënësen e Agjencisë së Barnave, e cila tha se mungesa e Takipirinës mund të jetë për shkak se “është një medikament që merret dhe pa recetë e mund të ketë pasur shumë kërkesa ose mund të jetë problem importi.”

 

Një nga farmacistet tha se muajt nëntor-dhjetor janë kërkuar shumë Takipirinat dhe për “2 javë është mbaruar furnizimi i gjithë muajit.”

 

Të njëjtën gjë tregon dhe një tjetër farmaciste e cila thotë se njerëzit e kërkonin Takipirinën shumë, edhe kur vetëm kishin dhimbje koke të lehtë.

 

“E kanë marrë shumë sapo filluan uljet e temperaturave. Dhe ne e rekomandonim sepse nuk e dinim se nuk do të kishte më. Kur morëm furnizimin e radhës na thanë se nuk ka Takipirinë dhe askush nuk na dha shpjegim pse”, thotë një tjetër farmaciste.

 

Farmacistët dhe mjekët, deri kur të zgjidhet ky problem, kanë gjetur një zgjidhje të përbashkët: Të gjithë japin paracetamol 500 mg ose Daleron, në mungesë të Takipirinës.

 

Burimi: Gazeta si