Dyshohet për marrëveshje të paligjshme mes kompanive, ‘Konkurrenca’ pezullon rritjen e çmimeve...

Dyshohet për marrëveshje të paligjshme mes kompanive, ‘Konkurrenca’ pezullon rritjen e çmimeve të tarifave telefonike

555
0

Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të pezullojë përkohësisht rritjen e tarifave për shërbimet e telefonisë celulare. Vendimi është marrë pas dyshimit se tri kompanitë që operojnë në këtë sektor kanë ndërmarrë njëkohësisht dhe me të njëjtat nivele rritjen e çmimit të paketave dhe mbushjes në treg.

 

Komisioni i Konkurrencës pranë Autoritetit të Konkurrencës ka vendosur ndërprerjen e menjëhershme dhe jo me vonë se 5 ditë nga njoftimi i këtij vendimi, të aplikimit të paketave të reja standarde 30 ditore me parapagesë, për ndërmarrjet Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom. Kjo masë e përkohshme do të jetë në fuqi deri në përfundim të procedurës hetimore nga Autoriteti për tregun e shërbimeve celulare.Sipas Autoritetit, qytetarë dhe OJF janë ankuar për një rritje të menjëhershme dhe në të njëjtin nivel të të gjitha çmimeve e tarifave nga 3 kompanitë celulare.

 

Ankuesit pretendojnë se kompanitë celulare kanë rritur çmimet në mënyrë të pajustifikuar, pa informuar konsumatorët e telefonisë celulare dhe në dëm të interesave ekonomike të këtyre konsumatorëve. Kompanitë pretendojnë, në të kundërt, se ato kanë bërë njoftimet sipas rregullave, por Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të ndërmarrë një hetim në treg për të verifikuar se kush ka të drejtë. Ndërkohë, rritja tarifore pezullohet. Konkurrenca bën me dije se në rast të moszbatimit të vendimit për masa të përkohshme të pezullimit, ndërmarrjet Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom ndëshkohen me gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës.