Dokumenti/ Si u dënua grupi që prodhoi 5 mijë trakte kundër regjimit...

Dokumenti/ Si u dënua grupi që prodhoi 5 mijë trakte kundër regjimit në ‘89. Baza në shtypshkronjën e udhëheqjes, telefonata erdhi nga…

446
0

AFRIM IMAJ/ “Organet e Sigurimit kanë zbuluar një organizatë ilegale të rrezikshme, që synon përmbysjen e pushtetit popullor me kryengritje të armatosur”. Trupi gjykues i një prej proceseve të regjimit komunist Kështu i raportonte Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë të rrethit Tiranë, kreu i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të kryeqytetit, në 10 mars të vitit 1989.

 

Këtë radhë, strofulla e armiqve kishte qenë në strehën e një objekti jo të zakonshëm, por bash aty ku shtypeshin buletinet e Partisë të shkallës tepër sekret dhe dokumentet zyrtare të klasifikuara të tilla. Elementi antiparti në këtë rast nuk kishte sfiduar vetëm vështrimin e autoriteteve zyrtare dhe vigjilentëve të Sigurimit, por edhe armatës së rojeve të shumtë që vigjilonin në çdo pëllëmbë të shtypshkronjës speciale brenda mureve të Tipografisë Ushtarake. Lajmet e para bënin fjalë për një organizatë të mirëstrukturuar që predikonte mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar.

 

Sakaq, puna operative e strukturave speciale do të zbulonte shumë shpejt platformën dhe synimet e organizatës antikomuniste që operonte në bazën e sigurisë së lartë në zemër të Tiranës. Po si ra në gjurmët e këtij grupi sigurimi i shtetit, në çfarë rrethanash u zbulua veprimtaria e tij dhe kush ishin organizatorët.

 

“Panorama” zbardh të plotë dokumentet që përmbajnë provat e siguruara në rrugë operative dhe shtrirjen e organizatës, që më së fundi kishte realizuar botimin e 5000 trakteve kundër regjimit…

 

dokumenti

 

ALARMI QË VINTE NGA SHKODRA

 

Në fillim me një telefonatë urgjente dhe më vonë me një raport të detajuar, kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, informonte mesnatën e 10 marsit 1989, ministrin e Brendshëm se grupe të paidentifikuara kishin shpërndarë e vendosur në vendet më të dukshme të qytetit komunikata me përmbajtje thellësisht armiqësore. Sqarimet e mëtejshme bënin të ditur autorësinë e këtyre veprimeve, pas së cilave qëndronte organizata e vetëpagëzuar “Komiteti për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar”. Komunikata e saj mbyllej me thirrjen për një tubim publik ditën e hënë, mëngjesin e 13 marsit ’89, para selisë së Komitetit Qendror për të kërkuar dorëheqjen e Ramiz Alisë dhe të lidershipit komunist. Kjo veçohej si pjesa më e rëndësishme dhe serioze e raportit nga Shkodra.

 

Ai përfundonte me njoftimin për arrestimin e dy të dyshuarve. Reagimi i menjëhershëm ndaj situatës së papritur nisi me shqyrtimin e ekzemplarëve të sjellë me urgjencë nga qyteti verior. “Ndryshe nga rastet e tjera të këtij karakteri, kujton njëri nga oficerët e Sigurimit të Ushtrisë, që ka ndjekur çështjen, fletushkat e 10 marsit 1989 nuk i përkisnin produktit të makinës së shkrimit, por teknologjisë më të përparuar të shtypshkrimeve”.

 

Ky fakt mundësonte identifikimin e shpejtë të makinerisë që i kishte prodhuar. Një të tillë,-shton eksperti ushtarak,-dispononte vetëm Tipografia Ushtarake në kryeqytet. Kjo, sipas tij, konfirmoi pa mëdyshje se komunikatat ishin shtypur aty. Tanimë mbetej zbulimi i autorëve dhe teknikëve që ishin marrë me riprodhimin e tyre. Por a mund të mbërrihej te ta kaq shpejt? Situata, sado delikate, nuk paraqitej e pamundur për t’u zgjidhur…

 

teksti i komunikates

 

DY TË ARRESTUARIT E PARË

 

Petrit Nuri Ishmi dhe Xhuljeta Cuka, dy të arrestuarit në orët e vona të 10 marsit 1989, fillimisht u përballën me aktekspertimin e komunikatave të shpërndara në Shkodër, ku konfirmohej riprodhimi i tyre në makineritë e Tipografisë Ushtarake. Në çastet e para, dy të dyshuarit, asokohe punonjës të kësaj ndërmarrjeje, u munduan të mohojnë çdo lidhje me ngjarjen, por nuk u funksionoi. Mënyra si ishin siguruar provat dhe rezultatet e ekspertimit të komunikatave nuk linin shteg për asnjë lloj alibie.

 

Ishte kjo arsyeja që Ishmi dhe Cuka, pa shumë rezistencë, rrëfyen gjerë e gjatë aktivitetin e organizatës së tyre. “Dëshmitë e Ishmit dhe Cukës ishin befasuese,-shprehet ish-oficeri i Sigurimit të Ushtrisë që është marrë me çështjen, duke iu rikthyer profilit dhe rrezikshmërisë së grupit që kishte vepruar në zemrën e një baze sekrete në kryeqytet. Njëherazi me autorësinë e komunikatave, dy të prangosurit pohuan me detaje historinë e organizatës ilegale, krijuar në vjeshtën e vitit 1987.

 

Rrëfimi i tyre çoi sakaq në kryqëzimin e një tjetër protagonisti të grupit që operonte në Tipografinë Ushtarake. Emri i Alfred Berishës, i denoncuar rishtas nga Ishmi dhe Cuka, nuk ishte i panjohur për Policinë e Tiranës. Prej kohësh, ai ishte skeduar si organizator i shpërndarjes së fletushkave e trakteve armiqësore në kohë e vende të ndryshme me bojë, laps dhe mjete të forta. Ballafaqimi në proces zbardhi gjithë misteret e çerdhes antikomuniste, që vepronte aty ku shtypeshin buletinet sekrete…

 

PROVAT TRONDITËSE: 5000 KOMUNIKATA KUNDËR REGJIMIT

 

Në raportin e datës 13.3.1989 të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, për Sekretarin e Parë të Komitetit të Partisë të rrethit, jepet një pasqyrë e zgjeruar e ngjarjes së pazakontë në ndërmarrjen e sigurisë së lartë në kryeqytet. Njëherazi me të dhënat e tre të pandehurve, aty përshkruheshin me hollësi tërësia e provave të pakontestueshme të siguruara deri në atë moment. Dokumenti nënvizon se grupi i tipografëve të arrestuar kishte përgatitur 5000 copë komunikata dhe i kishte ndarë në tri pjesë të destinuara për t’i shpërndarë brenda datës 10.3.1989 në qytetet Shkodër, Durrës e Tiranë. Raporti vë në dukje se nga kjo sasi e konsiderueshme, 2000 copë janë gjetur në shtëpinë e Petrit Nuri Ishmit, 1560 copë ishin grumbulluar në qytetin e Shkodrës dhe pjesa tjetër ishte gjetur në një qendër zjarri në qytetin e Durrësit.

 

Pjesa më e mistershme e njoftimit për kreun e partisë së kryeqytetit ishte konstatimi se pas grupit të tipografëve fshihej një diplomat i një vendi perëndimor në Tiranë. Nga aq sa kishin zbuluar deri në atë periudhë organet e specializuara, bëhej fjalë për atasheun kulturor të Ambasadës së Francës në vendin tonë, Luc bounol La Font. Veç dyshimeve të forta, dokumenti shprehej i rezervuar për rolin e tij në aktivitetin e organizatës së vetëquajtur “Komiteti për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar”. Sidoqoftë, provat e ofruara nga Drejtoria e Punëve të Brendshme ishin tronditëse dhe kërkonin vlerësimin maksimal. Situata që përjetonte vendi dhe zhvillimet politike në Europën Lindore e bënin ngjarjen edhe më alarmante…

 

 

PANORAMA